Që peshkopi ynë i nderuar, Fan S. Noli ishte njëra ndër mendjet më të shquara dhe ndër befasitë më të mrekulluara, kjo është një gjë e ditur dhe nuk ka të bëjë vetëm me njeriun e ditur, përkthyesin e pa kërkundshoq, por edhe me mendjen e kultivuar nge befasia dhe poetika e të menduarit. Jam i bindur se Fan Noli nuk e ka njohur Borges-in. Edhe Borges, po ashtu jam i bindur, nuk e ka njohur Fan Nolin. Njëri poeti rebel i Shqipërisë, krijuesi i Kishës Autoqefale Ortodokse shqiptare – qoftë edhe vetëm për këtë, ai duhej të kishte Monumentin e tij të lartë, shumë më të denjë se përmendoret e mbira si këpurdha por të pavlerë – ishte në të njëjtën kohë përkthyesi më i shquar i Shekspirit, Servantesit, por edhe i poezive brilante të figurave të mëdha të poetikës botërore. Në anën tjetër, në Argjentinë jetonte Borges, poeti i verbër, i pasionuari i përhershëm i bibliotekave, stilisti i një mjeshtërie të rrallë, që solli në letërsi një pamje tjetër të botës, që, pa të, do të kishte qenë jo e plotë. Noli është poeti i parë i madh i dëbuar nga shteti, ingranazhet e të cilit e dënuan me vdekje në mungesë dhe që, për të dëshmuar se e kishin seriozisht, vranë mikun e tij më të afërt, shkodranin Lugj Gurakuqi. Ikja e Nolit nga Shqipëria ishte njëri ndër aktet e dhimbshme të historisë, zemërimi i shtetit kishte rënë mbi ish kryeministrin jetëshkurtër të Shqipërisë dhe, së bashku me të, nis edhe dëbimi dhe dënimi i shkrimtarëve. Edhe Borges do të jetojë shumë vite jashtë atdheut të tij, kujtimet me të cilin do të jenë të përmallshme, poetike dhe brengëse. Luis Borges është njëri ndër krijeusit më të fuqishëm të shekullit XX, ndër më mitikët dhe ëndërrorët, i njëjtë me sivllezërit e tij, po ashtu mitikë, Kafka, Prust e Xhojs, poet i ndjenjave si kiliani Neruda, i dashurisë si francezi Aragon, i mallit si pararendësit e tij Bodler, me të vërtetën e tij që ishte e ndryshme nga e të tjerëve. Intelektual i shkallës sipërore, mëkatar i madh se kishte qenë i lumtur në verbërinë e tij, njeriu që nuk e njihte urrejtjen dhe sarkastik i shkëlqyer, që shkruante se jeta dhe vdekja i kishin munguar jetës së tij, erdhi vonë në letrat shqipe, për shkaqe që nuk vareshin prej tij, por erdhi madhërishëm.
Por, le të vijmë tek përngjasimi poetik i dy mjeshtërve të mëdhenj të fjalës. Fan Noli njihet edhe si përkthyesi i mrekullueshëm i poezisë – poemë “Waterlo” të Hygoit. Në fund të përkthimit të tij poeti shqiptar shënoi në fund se, pas gjithë asaj tragjedie, kishte së paku një ngushëllim: kjo poemë e mrekullueshme e Hygoit nuk do të kishte lindur, nuk do të ishte shkruar, nëse nuk do të kishte ndodhur beteja e famshme e Waterlosë. Fan Noli vdiq në 13 mars 1965. Të kthehemi tani te Borges. Në vitin 1972. Në librin e tij poetik ” El oro de los tigres”,1972, në ciklin “Pesëmbëdhjetë monedha””, Borges, duke vënë në gojën e Makbethit vargjet e mëposhtme, shënjon të njëjtën ide si të Fan Nolit. Ja dhe vargjet:
Bëmat tona vijojnë udhën e tyre të paanë,
e shkova në thikë mbretin tim
që Shekspiritë shkruante tragjedinë e tij…
Të dyja këto ngjasojnë me një pjesë të librit të tetë të Odisesë, ku lexohet se perënditë endin fatkeqësi në mënyrë që breznive të ardhshme të mos u mungonë për çfarë të këndojnë. Fan Noli mbetet gjithnjë , ashtu si ka shkruar miku dhe kundërshtari i tij, Arshi Pipa : E mërtisun, por jo e harrueme, fëtyra e Fan Nolit po merr në kohën tonë, mbas sa vjet heshtje‘ së pameritueme, shkëlqimin e saj të denjë. Ngjet me të, afërsisht, si me ndonjë shtatore, kryevepër arti të lashtë, qi mbet e ndryeme më një skaj t’errët për vjet a shekuj, e mshehun, gati e panjohun nën pluhnin e kohnavet qi grumbullohet mbi trajtat e saja, tue ja veshë, tue ja mashtrue. Por arti i madh asht i pavdekshëm. E vjen nji ditë qi nji dorë e dashun dlirë shtatoren nga pluhni e dheu; e nga errsina ku kish humbun e qet në dritë të diellit. Ç’pamje e mallëngjyeshme atëherë! Shkëlqen mermeri ma i bukur, ma krenar. Koha nuk e ka prishë: përkundrazi, e ka hijeshue ma tepër, i ka shtue fisniki e hir. Pse vetëm gjanat qi i qindrojnë kohës janë fisnike, të denja për adhurim. E lavdija ma e sigurtë asht ajo ma e vonshmja. Ndër Borges, nëse do ta kishte njohur poezinë, përkthimet dhe artin e Nolit, heshtjen që ra disa kohë në emrin e tij dhe shkëlqimin, ndoshta do të kishte shkruar: „Për trëndafilin e bardhë nuk ka përse, ai lulëzon, sepse lulëzon“.
1Ekrem Ajruli