Kulturë\Letërsi

Bedri Islami: Bibla, Homeri, Eskili, Dante, Shekspiri, Servantesi, Dostojevski , Uilltmanni – nuk janë emra, janë një galaksi e mahnitshme

Bota do të ishte e mangët në zhvillimin e saj, tejet e mangët, nëse nuk do të kishte disa vegime të ndritshme përjetësisht, që ende sot e kësaj dite janë të pashembullt.Në rrugëzgjatjen e saj, më tepër drejt dritës se sa drejt territ, ajo ka patur disa figura jetësore të papërballueshme nga koha, të gjallë dhe mbijetues, të cilët na kanë përcjellë në momente të veçanta tri ndasitë e Nëndheshme, dhe që, pavarësisht çfarë mund të ndodhë më tej në zhvillimin e teknologjisë apo të shkurtohen largësitë me sistemet e tjera diellore, asgjë nuk i zhbën ato.

BIBLA, Homeri, Eskili, Dante, Shekspiri, Servantes, Dostojevski , Uilltmann- nuk janë emra, janë një galaksi e mahnitshme, rreth së cilës kanë buluar gjeni të tjerë, që nuk ia kanë zbehur askujt ndriçimn, por kanë zënë vendin e tyre të pashmangshëm në këtë hapësirë gjysëm qiellore dhe gjysëm parajsore.BIBLA është njëri nga pa të krahasueshmit me asnjë libër tjetër për nga forca e rrëfimit – sidomos Dhjata e Vjetër. Faqet për Gjenezën e Botës, për fatin e Jeruzalemit, Jeremia, historia e mbretit Saul dhe David, lëmshi i zjarrit i shfaqur te Moisiu, tregimet e Esterit, rrëfimi i mrekullueshëm i së huajës Ruth në vendin e Moabitëve, Libri i Jobit, veçanërisht Libri i Isaisë dhe Profecia Ezekielit, janë pjesë tekstesh , pa të cilat nuk do të ekzistonte kultura perëndimore. Pasrendjet poetike dhe tragjike të Shekspirit e kanë burimin dhe fillesën te këto tekste, aqë janë në gjenezën e lindjes së artit modern dhe të besimit, çka, kjo e fundit, është tashmë një çështje e shpirtit të secilit.Kthehuni pak te Libri i JOBIT.Ne përballemi me një problem të përjetshëm që është raporti mes së mirës dhe të keqes, trajtuar në mënyrë të shkëlqyer te Libri i JOBIT, ose te vepra më madhore e të gjitha letërsive, sipas Frojdit.Historia e JOBIT është ajo e njeriut të drejtë, të përndjekur, e njeriut që kërkon të vendosë kontakt me Zotin, ta pyesë atë, historia e njeriut të mosbesuar dhe të qortuar edhe nga miqtë e vet, e që, në të njëjtën kohë, beson se i ka përligjur veprimet e fjalët e veta. Më në fund Zoti i përgjigjet nga lartësia, mes vorbullës së reve dhe i thotë se Zoti është diçka që nuk mund ta rrokë mendja njerëzore.Nga ky libër madhor filozofi Leibniz nxorri përfundimin se e keqja është e nevojshme për larushinë e botës, njëjtë sikur e mira për qetësinë e saj.Kush e ka shkruar Biblën? Kjo ka qenë një pyetje trazuese në të gjitha kohrat. Do të mbetet e tillë edhe në shekujt e ardhshëm. Në “Librin e Librave ka tema dhe kapituj, që kanë një fuqi të tillë dhe një perfeksion formal të pashoq saqëështë e vështirë për mua t’i përfytyroj të shkruara nga një njeri i vetëm- e kam të vështirë të përfytroj një autor të vetëm në stuhinë e librit JOB apo në Psalmin 23 – si një njeri të zakonshëm.Të kuptuarit nëse universi kishte apo nuk kishte një fillim, nëse Bibla ishte produkt i dërguar apo i krijuar, ishte një çështje me interes të madh për filozofin gjerman Imanuel Kant, i cili besonte se të dyja përgjigjet paraqitnin kontradikta logjike. Një tjetër filozof gjerman, Friedrich Nietzsche e mohonte krejtësisht Zotin, por e lexonte me endje të pashoqe Biblën, si një testament njerëzor të mrekullueshëm.Stephen Hawking, ndoshta nga të vetmit që mund të bëjë hije ndaj Ajshtajnit, thonte se secili është i lirë të besojë atë që dëshiron, edhe pse, sipas qëndrimit tim – vazhdon ai – shpjegimi më i thjeshtë është se nuk ekziston asnjë Zot, se besimi në botën e përtejme është thjeshtë një iluzion, ama Biblën e njihte mrekullisht dhe , jo vetëm nga rrënja familjare – por edhe nga e fsehta përvëluese, ngrysej shpesh herë duke arsyetuar si një teolog i shkallës së parë. Ndaj do të ligjëronte se ” Zotit i mbetet liria për të zgjedhur gjendjen fillestare të universit.AJSHTAJNI,,po ashtu një njohës i shkëlqyer i Biblës, e kundërshtonte fuqimisht idenë se universi drejtohej në mënyrë rastësore. Ndjesitë e tij i prmblidhte në thënien : ” Zoti nuk luan me zare”.Sot ndesha rastësisht në një thënie të mrekullueshme të Niçes, i cili shkruan se hëna është një murg që sheh me zili tokën, ose një maçok, që ecën mbi një qilim yjesh.Bibla është një mrekulli yjore dhe e papërshkueshme nga shirat e kohës.Por, si duket, nuk është libri më i vjetër i botës, ose, për shumë kohë ka qenë pronë e mbyllur e izraelitëve dhe shpërndarja e saj është bërë përmes një lëvizje të re, të furishme, të shtypur në fillim, sakrifikuese dhe , m pas, agresive, deri sa sundoi në një pjesë të botës – krishtërimit.Aleksandri i Madh, sipas Pluarkut, bashkë me shpatën mbante poshtë nënkresës edhe librin ILIADA , dy simbolet e fatit të tij prej luftëtari.Iliada , nga grimcat e së cilës u krijuan tragjeditë e famshme greke, nuk është e përkryer në çdo fjalë të saj.Horaci ka thënë : ” I miri Homer dremit ndonjëherë”, por i gjithë kompleksi homerian, të verbërin për të cilin grindeshin 7 qytete si vendlindja e tij, është i pabeuseshëm si një ngrehinë madhështore.Iliada dhe Odiseja – dy krijmet më të furishme të botës, edhe në botën antike, edhe në kohën tonë, nderoheshin, por nuk mbaheshin dhe nuk mbahen si libra të shenjtë, ashtu si ndodh edhe me tragjeditë e mëvonshme të Eskilit, Sofokliut, Shekspirit, udhëtimin dantesk, marrëzinë donkishoteske, çmendurinë poetike të Dostojevskit, lëvizjet faustike të Gëtes, apo , në fund të fundit me qytetin e gurtë të Kadaresë.ILIADËN kemi pasur fatin ta lexojmë dhe ta kemi në një përkthim të shkëlqyer të erudit të pashoq, Gjon Shllaku. Është një mrekulli që vështirë të përsëritet. Të gjithë këto janë libra klasikë, por jo të shenjtë.Në librin ” Rënia e Perëndimit”, në kapitullin që i kushtohet kulturës magjike, Spengler-i thotë se prototipi i librit magjik është KURANI. Nuk e di pse ai ka një përceptim të tillë, ajo që njihet është se ky libër është deri më tani, sipas dijes sime, i fundmi libër i shenjtë që ka të bëjë me shfaqjen e një besimi të ri – muslimanizmin.Pëdr ulematë, domethënë për ata që merren me dokrinën muslimane, por edhe për besimtarët, Kuran nuk është një libr si të tjerët. Sado e pabesueshme që mund të duket, për dijetarët islamë, Kurani është më i hershëm se gjuha arabe. Kurani , për to, është krijuar para gjuhës në të cilën është shkruar, ai është mdje para Universit dhe, nga ulematë, gjithnjë sipas dijes sime, nuk është pranuar që është vepër e Zotit, por si një gjë më e thellë dhe më e mistershme. Për muslimanët ortodoksë, Kurani është cilsi e Zotit, por gjithësesi një libër i shenjtë.Është e vështirë të mendohet bota e tashme, në të gjithë përmasat e saj, nëse nuk do të kishin ekzistuar librat dhe krijimet e mëdha për të cilat shkrova shkurtimisht e që, një herë tjetër, do të shkruaj më gjatë për secilin prej tyre.Thuajse se dy të tretat e kryeveprave botërore të artit e kanë zanafillën në këto libra. Bernadrd Shou do të shkruante një herë se ” Çdo libër që i ia vlen ta rilexosh, është shkruar nga Shpirti”.Koncepti i Librit të Shenjtë nuk vjen nga antikiteti e as nga perëndimi. Në antikitet libri shihej si një surogat i fjalës, ndaj Pitagora vendosi të mos linte asgjë të shkruar. Ai donte që mendimi i tij të jetonte pas vdekjes trupore dhe nga kjo lindi formula ” e ka thënë mësuesi”. E njëjta formulë do të paraqitej edhe nga dishepujt e Jezu krishtit, për të cilin dimë se ka shkruar një herë të vetme disa fjalë mbi rërë e që u fshinë. Nuk dimë se ka shkruar gjë tjetër.Por më pas nga Lindja vjen një koncept krejt tjetër, krejt i panjohur për Antikitetin dhe për Perëndimin e kohës. Koncepti i librit të shenjtë dhe i shenjtërisë së librit.