Opinion

Blerim Muriqi: QASJA KURTI: GJYKATA TA DËGJOJ POPULLIN! – FILOZOFI E RREZIKSHME POPULISTE

Vetëvendosja të mos mbytet në rritën e saj! 

I mësuar të rritet politikisht nga përplasje artificiale apo reale, Albin Kurti ka një zell prej atleti të mos e lëshoj asnjë rast të vogël a të madh për të  inkasuar mbështetje të tipit tifozëri të shkallëve të stadiumeve ku adrenalina kujdestaron një nisje topi a një fishkëllimë filikaqeje të referit. 

Këshilli gjyqësor me të dhënat që i ka ofruar KQZ-së dhe bazuar në të shprehurën e gjykatës kushtetuese kanë bërë që 47 kandidatë për deputetë të mos certifikohen, në mesin e tyre është gjendur edhe bartësi i listës së LVV-së z.Kurti.  

Fryma elektorale e krijuar ku e ku edhe artificialisht me armatën e madhe të internetit, dalëngadalë po na çon në mendësinë e tipit të jogurt revolucionit.  

Në Kosovë nuk janë kushtet e krijimit të një autoritarizmi për të prodhuar autokracinë elektorale përmes përmbysjes përkrahëse të masave të përdorura, gjë që nuk e favorizon z.Kurti.  

Kjo frymë e ngritur kështu sikur është ngritur, ashtu sikur e dimë ne duhet ta dijë edhe z.Kurti, se vjen për fajin e pushtetimit të keq që kanë prodhuar gabimtarët e PDK-LDK-së pa përjashtuar nga përgjegjësitë edhe partitë e vogla, të cilat nuk u ngopën kurrë së përfituari, dhe jo nga fitorja programore e të bërit opozitë!  

Kjo frymë i ka rrënjët në zhgënjimin e masave, dhe ai zhgënjim na bënë sikur të mos jetë i tëri burimor! 

Nëse zhgënjimi nuk është i tëri rrjedhojë e veprimeve tona, gjë që do vërtetonte tezën: se shërbimet e huaja janë këtu për të na dëmtuar, kjo megjithatë përbënë një problem akoma më të madh nga sa ishte përpara, meqë te ne tashmë po rrjedhin gabimet tjera edhe përtej thirrjes për ta dëgjuar gjykata popullin.  

Akuza e Glauk Konjufcës në llogari të kryetares së KQZ-së përbënë hapin më eklatant të goditjes kërcënuese ndaj institucioneve të pavarura. Te ne ka ndodhur të përdoren institucionet dhe përdorja pa dyshim se ka krijuar edhe deformime të mëdha në proceset që kemi kalua, por kërcënimi nga politika në ardhje është një standard i ri, të cilit duhet të gjithë t’i vihemi kundër! 

Institucionet e kapura edhe aktrojnë në secilin përgjasim ku ato mund ta fshehin lepurin e hiles. Këtu nuk kemi pse e përjashtojmë mundësinë, që edhe Valdete Daka të aktroj në skenën e madhe të mundësive nga të qenit kryetare e institucionit kompetent për certifikimin jo vetëm të kandidatëve, por edhe të gjithë sagës së zgjedhjeve. 

Përtej kësaj qëndrojnë këto dy teprimet, për të cilat nuk duhet të bëjmë sikur nuk po shohim apo ta lëmë nëse kalohet në heshtje. Thirrja e popullit mbi ligjet në fuqi nga Albini dhe kërcënimi i kryetares së KQZ-së nga Galuku, duke e bërë fajtore pa të drejtë në rastin e kanidatit Albin Kurti, dhe vetëm e rastit Albin, përtej 46 të tjerëve që po e ndajnë fatin e njëjtë me të për shkak të kaluarës së tyre të tri viteve të fundit, përbënë një shfaqje të re të shkarjes sonë nga demokracia plurale drejt një shtrati unitar të gjykimit për njëshin, i cili pretendohet të vendoset në frymën edhe të slloganit “KREJT dhe DREJT”, që ka vendosur LVV-ja për të imponuar më shumë frymë referendumiane për ta vendosur njëshin, se sa zgjedhje që do rrisnin frymën liberale brenda shoqërisë për koegzistencën shumë të nevojshme që e kemi.  

Fryma referendumiane, që po tentohet të imponohet nga kreu i LVV-së dhe po shtyhet në sinkron nga karvani i krrakamës, përbënë krijimin e një jazi faktik brenda shoqërisë sonë, të cilin do na duhet shumë kohë për ta mbuluar e shëruar nëse lejojmë të shkoj në thellësitë për ku është nisur.  

Ne kemi nevojë për ndryshim dhe ai mund të vij me rotacion pushteti për të etabluar tërësinë programore të prodhuar nga përvoja e mbledhur në gjithë këto vite përgjatë gabimit të atyre që drejtuan këto njëzet vite pas çlirimit. Rrotacioni për të cilin ne kemi nevojë, nuk është gjë tjetër, veçse shërimi i institucioneve dhe vënja në jetë të vizionit të ri zhvillimor për vendin, duke përdorur të gjitha resurset e tij, nga njerëzore e deri te ato materiale.  

Kur rasti ndryshim, i ardhur nga zhgënjimi i masave, kapet nga një grupim për qëllime pushteti dhe përdoret në tërësinë e kapaciteteve të tij si mjet në shërbim të kësaj e vetëm të kësaj, pushteti në vetvete shërben inatin dhe pengjet e mbetura nëpër vite e dekada. Ajo që ndodhë (sado i madh të jetë ndryshimi) nuk është tjetër veçse këneta ku vizioni ndryshim dalëngadalë rrëshqet në dogmë. Shoqëritë e ndryshme njohin pafund tendenca pozitiviste, të cilat jo pak herë ia kanë dalur të ngriten edhe në frymë masash, por secili rast që nuk ka gjetur te vetja zhvillimin dhe shpëtimin, ka përfunduar në autokraci, mbështjellur me fijet e helmëta të dogmës së imponuar. 

 Te ne, sado që të provohet, nuk mund të ndodhë vënja autokrate e askujt mbi institucionet në kushtet e tanishme dhe mbi shoqërinë jo e jo. E shumta që mund të ndodhë është keqpërdorimi i mundësisë për t’i vërshuar institucionet me militantë, dhe kjo tentativë që domosdo do të shfaqet edhe me tepri, ashtu sikur është më shumë për të kënaqur egon e lënduar rrugës së gjatë të të bërit parti edhe mund ta filloj dunsin e tendencës rritëse të LVV-së.  

E keqja nuk ndalet pa e mbushur kupën thotë populli! 

Kudo ku autokratët ia kanë dalur ta bëjnë ligjin kanë prodhuar shumë vuajtje dhe shumë dhimbjje. Ne kemi nevojë vetëm për ndryshim, andaj lutemi që Vetvendosja të mos mbytet në rritën e vet me çka do na e humbiste këtë rast të mirë!