Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (XCVI): GJIRI I LALËZIT – PLAZHI MË I PASTËR NË BREGDETIN SHQIPTAR
Rreth 30 km në veri të Durrësit dhe 46 km larg nga Tirana, në bregdetin e Adriatikut ndodhet Gjiri i Lalëzit. Gjiri, me bregdet të ulët, ka gjatësi 35 km, që nga Kepi i Rodonit e deri te Bishti i Pallës, me laguna e moçale të vogla e me grykëderdhjen e lumi Erzen. Në këtë gji deti shtrihet edhe Plazhi i Gjirit të Lalëzit, njëri nga plazhet më të njohura të bregdetit shqiptar, i gjatë 14 km. Për të shkuar nga Tirana në Plazhin e Gjirit të Lalëzit nga autostrada Tiranë – Durrës ndiqet dalja në Maminas, ku degëzohet rruga 22 kilometërshe deri në cak. Plazhi i gjerë, me detin përpara, në njërën anë dhe me brezin e pyllit të pishave përgjatë tij, nga ana tjetër, paraqet një peisazh të rrallë dhe një vend shumë të përshtatshëm për pushim e relaksim në ajër të pastër e nën rrezet e ngrohta të diellit. Këtij peisazhi i bashkohen lokalet e shumta; hotelet, baret e restorantet moderne, të ndërtuara me plan apo pa plan në dy dekadat e fundit, që krijon kushtet për zhvillimin e turizmit elitar. Pos lokaleve hoteliere janë ndërtuar dhe po ndërtohen edhe shumë rezidenca e resorte luksoze, fshatra turistike dhe vila të shtrenjta të biznesmenëve e politikanëve të njohur, pastaj njësi tregtare etj. Këto ndërtime, në një masë, e kanë shkatërruar pamëshirshëm brezin e pyllit të bukur të pishave. Gjiri i Lalëzit është vendi ku priten pishat e mbillet beton, ku zhduket pylli e ngriten të ashtuquajturat resortet turistike! Kështu, pylli i bukur i pishave dalëngadalë po ia lëshon vendin betonit. Pas brezit pyjor shtrihen fushat e gjera bujqësore me ara të sistemuara bukur dhe me fshatrat atraktive. Gjiri i Lalëzit është vend i parapëlqyer dhe destinim turistik që vizitohet dendur nga turistë të vendit e të huaj, nga njerëz të pasur dhe jo të pasur. Veçanërisht frekuentohet nga pushuesit e kryeqytetit, Tiranës. Gjatë tërë javës, pas orarit të punës, si dhe ditëve të fundjavës dhe gjatë pushimeve vjetore shumë tiranas zbarkojnë në plazhin e Gjirit të Lalëzit. Drejt këtij plazhi, që nga kthesa në autostradë, shumë shpesh, sidomos fundjavëve, krijohen kolona të gjata kilometrike. Andej, drejt plazhit vrapojnë makina të shtrenjta, të fuqishme e të shpejta, si dhe mjete të transportit për ata që s’kanë makina; autobusa, furgona, biçikleta… Edhe plazhi është i ndarë; plazhi i parcelizuar dhe i vilave luksoze dhe plazhi publik, kryesisht i parregulluar, ku nuk ka çadra e shezlongje e nuk paguhen taksa. Brenda ditës në sezonin turistike plazhin e Gjirit të Lalëzit e vizitojnë mijëra pushues. Pushuesit aty e gjejnë, pos detit të pastër, rërës së pastër e ajrit të pastër, edhe shërbimin shumë të mirë dhe ushqimin cilësor. Cilësia e ujit dhe e rërës është më e mira në krejt bregdetin. Si në çdo plazh të Shqipërisë, edhe këtu plazhi është i ndarë në parcela private, të pajisura me çadra e shezlongje, që paguhen shtrenjtë. Problem tjetër është se brezi i rërës dhe i pyllit të pishave nuk mirëmbahen sa e si duhet. Mbeturinat shpesh mbulojnë plazhin dhe pyllin me pisha, sidomos te plazhi publik. Për Kanalin e Kuçedrës të Gjirit të Lalëzit tregohet një legjendë interesante. Ky kanal shkarkon ujërat e kënetës në det. Legjenda thotë se një ditë me shi kuçedra kishte dale nga deti për t’u shpëtuar rrufeve dhe ishte futur në tokë, duke e hapur një kanal të thellë. Dragojtë i dolën para, e ndaluan dhe e mbytën, që mos t’ua dëmtonte të mbjellat. Në këtë kanal del edhe sot uji me flluçka ajri, si lirim i gazërave apo shkarkim i energjisë nëntokësore. Aty thonë se janë mbytur shumë pushues, që kanë hyrë për t’u larë në det, sepse ka turbulenca detare. Sot mbi kanalin e Kuçedrës janë hedhur inerte e mbetje urbane, duke e bllokuar krejtësisht kanalin dhe duke e penguar daljen e energjisë nëntokësore. Kjo trevë është një zonë e tërmeteve, ku vitin e kaluar vetëm brenda tri ditëve kanë rënë rreth 500 dridhje të tokës. Sot Gjiri i Lalëzit është një qendër e madhe turistike, një vend ideal për pushim, një plazh i përmasave të gjera me mijëra pushues në ditë. Deti është shumë i pastër e rëra shumë e imët, kurse pylli i pishave i rri si një kurorë e bukur përgjatë tij. Zona bregdetare e Gjirit të Lalëzit ndodhet larg qyteteve, ndaj ajri dhe deti është krejtësisht i pastër. Këtu bëhen bashkë turizmi i plazhit, agroturizmi, turizmi sportiv, malor, i aventurës, kulturor, historik. Për 14 km nga plazhi i Gjirit të Lalëzit mund të vizitohet zona e Kepit të Rodonit me liqenin artificial në të. Posaçërisht duhet të vizitohet kisha 700-vjeçare dhe kalaja e Rodonit, që njihet si kalaja e Skënderbeut, ku pushonte kryetrimi pas betejave të rënda dhe ku motra e tij, Mamica, i kalonte pushimet e verës. Në zonën e Gjirit të Lalëzit është Parku Kombëtar i Rrushkullit me 380 hektarë pyje. Në Tiranë agjencitë turistike përgatisin pako të udhëtimit me autobus dhe me biçikletë drejt këtij plazhi. Gjithashtu organizohen ture me gazetarë dhe me turistë të huaj, që duan ta eksplorojnë këtë zonë. Zona është një destinacion edhe për peshkim dhe lundrim. Qysh tash duhet të përcaktoheni për pushimet verore dhe nuk do të zhgënjeheni nëse e zgjedhni Gjirin e Lalëzit, që ka plazhin më të mirë e më të pastër në bregdetin shqiptar!