Vështrim/Analizë

Blerim Muriqi: PËRGJIMI I KRYETARIT TË SERBISË QË DEKONSPIRON RUSËT PËR DUART E PËRZIERA NË MAL TË ZI

Sikur mësohet nga mediat, kryetari i Serbisë Vuçiq ka përfunduar i përgjuar përgjatë një viti e gjysmë të fundit. Pyetjes se kush fshihet realisht pas këtij përgjimi nuk është e vështirë t’i përgjigjemi secili. Të gjitha pistat çojnë te rusët. Në mënyrë jo të drejtpërdrejtë këtë e vërtetoi edhe vet Vuçiçi, i cili u deklaroi gazetarëve se i kishte materialet e përgjimeve në dorë dhe se ai nuk do t’ua zbardhte gazetarëve, sepse ai nuk do donte që ta shkatërronte Serbinë. Bazuar në këtë deklarim të tij mund të konstatohet se rusët qëndrojnë prapa përgjimit, sepse vetëm ata mund ta godasin për vdekje nga brenda Serbinë e tanishme.  

Pse përgjohet Vuçiçi nga rusët? Është kjo një pyetje që sot Serbia nuk guxon as ta shpie nëpër mend, por që këtë duhet t’ia shtrojnë vetes të gjithë në rajon, në BE  dhe në NATO. Rusët kanë arsye të frikohen se  mos Vuçiçi po rrëshqet në prehrin Evropian apo Amerikan, atje ku domosdo Serbia do të përfundoj një ditë edhe përkundër kurthit të madh ku e ka futur veten në vallen e FSB-së Ruse, e cila derisa të jetë Putini në drejtim të Rusisë do të jetë vet shteti i thellë rus, por edhe politika e zareve gjeopolitike të saj. Përmbajtja e Serbisë dhe mos marrja pjesë në ushtrimet e përbashkëta me Rusinë dhe Bjellorusinë (të dakorduara dhe deklaruara si aktivitet ushtarak ndërkombëtarë), pas sugjerimit amerikan që iu bë Vuçiçit duhet të ketë përbërë aktin e fundit të mosbesimit rus ndaj Vuçiçit dhe kreut serb të shtetit. Blerja e dhunshme, në të cilën u shty Serbia për sistemin S300 të mbrojtjes ajrore ruse, ngriti shqetësimin amerikan në kuota alarmi. E frikuar nga ky alarm amerikan, Serbia hezitoi t’i bënte dy gabime të rënda të njëpasnjëshme, që këtu hyn dhënia e statusit diplomatik zyrtarëve rusë në qendrën ushtarake të Nishit. Për çka rusët u detyruan të tërhiqen në rolin e nëpunësve të ambasadës së tyre në Beograd. Kjo vështirësoi kontaktet mes tyre dhe për këtë Rusia anashkaloi Serbinë në disa turne që diplomacia e saj lëvizi në rajon, deri në rastin e para takimit në Shtëpinë e Bardhë, kur erdhën për ta vëmendësuar atë se si të sillej në Uashington.  

Vizita e fundit e Lavrovit në Beograd, duhet t’i ketë paraprirë zbulimit se kryetari serb po përgjohej. Lavrov duhet t’i ketë tërhequr vërejtjen Vuçiçit për rrugën që po trazonte me tjerët në bisedat e tij telefonike, të cilat ai i ka shpeshtuar kohëve të fundit, e veçanërisht këto dy vitet e fundit.  

Bazuar në këto zhvillime të përgjimeve dhe të mosbesimit rus në kupolën serbe, rajoni mund të jetë dëshmitar i disa lëvizjeve të ndikuara nga shërbimet ruse, përfshi destabilizimin e pushtetit të Vuçiçit në Serbi.  

Synimi amerikan për shtimin e përpjekjeve për të unifikuar Bosnjën, duke ia hequr ca nga atributet republikës serbe, të cilat e pengojnë atë të bëhet shtet unitar, shihet si fundi i interesave serbe për aleancë në përqafimin rus, ku veçse e kafshuar po përfundon. Lavrov ka dekonspiruar veten me fjalorin e përdorur në kundërshtim të asaj që po e pret Bosnjën ku duhet të ketë dalur se rusët janë në dijeni të dakordësimit të Vuçiçit me bashkësinë ndërkombëtare për hapat që do të ndërmerren. Në rrethanë të tillë, ato që mund t’i realizoj Serbia si të drejta të komunitetit serb në Kosovë, tashmë kur shkëmbimi i territoreve ka marrë fund, janë shumë minore në krahasim me intresein serb për integrimet evropiane.  

Rusia nuk është e gatshme ta përfundoj uverturën e vet në Ballkan me bishtin nën shalë. Ajo, edhe pse është në dijeni se nuk mund të shkoj aq larg, megjithatë Ballkani përbënë para-oborrin e saj, ku ajo do donte ta mbante vëmendjen e perëndimit ndaj verpimeve të saja hipotetike. Shpërqendrimi i tillë i perëndimit asaj i jep komoditet në veprimet tjera në disa pika të nxehta të globit, ku e nesërmja parashihet se mund t’i përplasë me ta. 

Shtyrja e Serbisë në drejtim të përmendjes së reparacioneve të luftës që Serbia mund t’ia kërkoj Gjermanisë është xhevahiri i ri rus, që është hedhur jo kot nën rrotat e veshit perëndimor. Nga të gjitha këto zhvillime ne mund të kuptojmë të paktën emëruesin e përbashkët të tyre, që neve do na rezultonte të jetë pritja e një destabiliteti rajonal, në Bosnje apo në Mall të Zi, meqë në Kosovë nuk po ia dalin të prodhojnë tensione të tilla, të cilat do ta çonin vendin në kaos edhe pse lëvizjet e fundit me Listën Serbe ishin tipike paralajmërim se komunat e veriut mund të shkojnë drejt një mbylljeje me Kosovën.   

Përgjimi i kryetarit serb dhe hezitimi i tij për t’ia dhënë opinionit faktet në saje të një ruajtjeje të Serbisë, tregon pengun ku është futur Serbia dhe ky është një ogur i mirë për Kosovën, sepse qartëson Evropën dhe Amerikën se nuk duhet pritur Serbinë të ndryshoj për t’i çuar përpara integrimet e Kosovës dhe për ta shtyrë njohjen nga pesë shtetet jo njohëse të bashkimit evropian. Por, kjo është edhe një gur i keq në qafën e rajonit, sepse ai mund të shtyhet në destabilitet sikur po tentohet në Mal të Zi. Fillimviti i keq që ka filluar atje me imponimin dhe përdhosjen e malazezëve nga serbët, të cilët tashmë kanë marrur qeverinë, është treguesi më i mirë i brishtësisë së rajonit. 

Se diçka fshihet përtej përgjimit të kryetarit serb nga rusët tashmë nuk kemi nevojë të harxhojmë energji për t’ia ngulitur në kokë akujt, sepse tashmë të gjithë e dijnë, dhe këtë diçka nuk duhet ta paguaj rajoni ynë. Për këtë duhet të kujdeset ombrella jonë mbrojtëse, perëndimi. Nëse populli e ka thënë e stërthënë se dita shihet me mëngjes, atëherë ky vit sikur ka hyrë me shumë veprime të rrezikshme dhe energji negative në Serbi, Bosnjë dhe Mal të Zi, shihet se do jetë një vit i vështirë e me shumë zhvillime. Ne shqiptarëve na mbetet të ndërtojmë kapacitetet për ta përballuar të keqen e çfarëdo forme që mund të na sfidoj…