Kulturë\Letërsi

Elife Podvorica: Gëzuar ndërrimi i motmoteve!

-…Dhe, ja erdhi momenti kur gjithëçka ishe bërë gati që të shtrohej në tryezën festive. Nuk ishte pa mund, sepse procesi i përgatitjes, sidomos i blerjes së gjërave nëpër dyqane, ishte peripecia vet, për shkak të numrit të madh të njerëzve që secili me list në dorë, kërkonte gjërat që ishte porositur për t’i sjellë në shtëpi!

Edhe unë po nxitoja këtë mëngjes për te raftet e ndryshme dhe, meqë isha ndër të parat në dyqan, gjërat shkuan me shpejtësi!

Njëra ndër to ishte edhe “sallata ruse”. Gjersa fillova procesin e përgatitjes së saj, mendova: “a thua pse të jetë në tryezën time kjo sallatë me emër të një populli që nuk na ka në hatër ne shqiptarëve aspak! Çudi, si nuk e kundërshtojnë një gjë të tillë dhe të mos apelojnë: ”ju shqiptarët nuk keni të drejtë të hani sallatën tonë”!

-Jo ore rusë, do të kundërshtonim! Ne dijmë të gatuajmë edhe sallatën cezariane franceze! Sepse, edhe sallata juaj e famshme është e gatuar për herë të parë nga një belgo-francez! Se si u pagëzua kështu e dini ju vet! Sa çudi! Disa popuj vërtetë që shumëçka e kanë adoptuar si të tyren edhe nëse ajo s’ka pas asnjë lidhje me ta! Si p.sh grekët e lashtë, të cilët tërë historia njerëzore i quan ashtu, kur dihet mirë që ata nuk janë tjetër, pos pellazgët –paraardhësit e ne shqiptarëve!

Dhe, duke gatuar përbërsit e sallatës, mora vendimin se do ta ndryshoja dhe do t’i përshtatja ca perime të cilat do të ngjanin në traditën shqiptare! Çka mund të mendohet këtu tjetër përveç se: specit djegës, lakrës turshi dhe gotës me lëngun e saj!

Në momentin kur fillova të mbështillja edhe dhuratat që do i vëja nën bredhin e stolisur, filluan intenzivisht të vinin mesazhe urimi!

Sa intersante kjo punë! Si e ka vendosur njerëzimi që viti të ndahet në mozaik muajsh të emërtuar secili me një domethënie të tijën!Pastaj kur vie fundi i tij, ta përcjellim me ngjyra festive dhe të bëjmë gjithë këtë gallatë urimesh!

Urojnë edhe ata që kanë keqkuptime mes vete gjatë tërë vitit, siç janë politikanët në Parlament!

Urojnë e festojnë edhe ata që nuk kanë shpëtuar, pa ndonjë ngatërresë cilado qoftë ajo!
Me një fjalë, urojnë të gjithë! Edhe të varfërit, edhe ata që kanë më shumë, edhe të pasurit! Vjen momenti i solidaritetit ndaj atyre që halli ka qenë përcjellës i përditshmërisë së tyre në këtë vit që po lëm pas!!

Mendja më shkon te lypsarët e rrugëve të Prishtinës, të cilët gjatë tërë vitit, në borë e në shi, na shohin me ata sytë e tyre lutës dhe me dorën e zgjatur kah xhamat e makinave, apo në qoshet e rrugëve e shesheve të qytetit!

Mendja më shkon edhe tek ato familje që sonte i kanë sofrat e zbrazëta.

Mendja më shkon tek ato familje që i kanë gjitha të mirat, por që fati këtë vit u ka sjellë momente të dhimbshme me shëndetin dhe familjarët e tyre!

Mendja më shkon në gjithë Mërgatën shqiptare! A thua ka një popull tjetër në botë që jeton paralelisht i ndarë në dy pjesë: atë që jeton brënda trojeve të veta gjeografike, dhe pjesën tjetër që, për një arësye a një tjetër, jeton diku në ndonjë shtet tjetër të Botës!

…Edhe teka ata popuj që pësuan goditje tërmetesh në të gjithë botën! Sidomos, te ata popuj që pa fajin e tyre, qenë viktima të luftrave të padrejta të më të mëdhenjëve dhe interesave të tyre gllabëruese!

Eh, nga s’më fluturonte mendja ime?!
Por, meqë jemi në orët e afërta të ndërrrimit të motmoteve, dëshiroj që Vitin e Ri 2021 ta presin e ta gëzojnë të gjithë njerëzit, nxënësit e mi të dashur e studentët, (të cilët disa prej tyre do të jenë pjesë e programit festiv televiziv), pleqtë, për të cilët çdo vit tjetër, vjen me frikën e lamtumirës nga kjo botë! Nga kjo botë, ku e mira dhe e keqja janë “kushërira” të afërta!.. Nga kjo botë ku dikush nuk e di fundin e të mirave, e tjetri lufton për të mbijetuar, duke numruar kafshatën e gojës për mbijetesë! Dhe ky proces ka një emër të përbashkët: Luftë…! Luftë për ekzistencën, luftë për t’u bërë i pasur!

Nga thellësia e shpirtit, uroj që në vitin që po rrah tik-takun e ardhjes së tij, njerëzit të jetojnë në Paqe! Që kjo natë festive e stolisur me fjalët më të bukura urimesh e përshëndetjesh, të vazhdojë edhe në kapërcyellin e ndërrimit të motmotit! Që njerëzit të bëhen solidarë mes vete! Që popujt të ndërtojnë ura miqësie midis tyre… që i pasuri t’i shtrijë dorën  të varfërit!

Sepse, fundja, të gjithëve na pret një FUND!
Andaj, familjarëve, miqëve të mij, kolegëve, nxënesve dhe studentëve, gjithë popullit shqiptar, por edhe gjithë popujve miq të shqiptarëve, ju uroj Vitin e Ri 2021!

Gëzuar!