Shqipëria/Aktualitet

Arban Bislimi: NDERIMI DHE MIRËSJELLJA NDAJ MËRGIMTARËVE TANË ËSHTË DETYRIM QYTETAR E LIGJOR DHE VLERË NJERËZORE

Dhuna duhet dënuar dhe nuk arsyetohet, qoftë ajo verbale, simbolike apo fizike. Në një shoqëri “normale” një individi që fyen, stigmatizon dhe bën thirrje tërthorazi për mosdurim ndaj një grupi të qytetarëve tanë, që përbën më shumë se 1/3 e popullsisë, do të duhej t’i shtroheshin ca pyetje edhe nga prokuroria. Në mungesë të reagimit të organeve dhe të klasës politike situata paska eskaluar dhe një qytetar i rastit paska poshtëruar individin, duke i dhënë ca shuplaka mbas kreje. Imazhe të pahijshme, me të cilat nuk do të dëshironim t’i mësonim fëmijët tanë, ashtu siç nuk duam t’i mësojmë me diskursin dhe posturën prej rrugaçi të portalxhiut, që na paska ra në hundlesh. Është strategji marketingu efikase të fyesh mbi 1 milion njerëz që t’i nxitësh të reagojnë e tē bësh klikime (aq më shumë që klikimet e mërgatës paguhen më shtrenjtë), por nuk është etike dhe në kufinjtë e të lejuarës të mundohesh të bësh emër në këtë mënyrë, sepse dikush mund të ta kthej në të njëjtën mënyrë. Dhuna simbolike dhe verbale e portalxhiut, që tentoi të fyente dhe poshtëronte mërgatën, iu kthy me sa duket me dhunë simbolike nga një prej të interesuarëve, që e poshtëroi duke e rrahur shapulla mbas kreje, ashtu siç rrihen fëmijët.

Përtej këtij incidenti të izoluar ndërmjet dy qytetarëve tanë të moshës së rritur, dua të theksoj disa gjëra për mërgatën tonë. Mërgimtarët janë pjesa më e dhimbshme e Atdheut, sepse mërgimtari tipik ka lën vendin e vet që vendi të mos vdesë, duke gjetur rrugët për të mbajtur familjen, financuar arsimimin e armatimin e Kombit në kohët më të vështira. Mërgimtari tipik nuk i përket atyre shtresave që kanë bashkëpunuar me çdo regjim e Qeveri dhe që nuk patën asnjëherë detyrim të emigrojnë. Mërgimtari është një pionier i guximshëm që ka zbuluar dhe është imponuar në vende të reja dhe ndër kultura dhe shoqëri të panjohura dhe ka fituar vendin dhe respektin e tij me mund e duke u përpjekur ndër beteja të mëdha. Prandaj, edhe nuk i takon një fëmije të lazdruar, që nuk ka njohur ato sfida të jetës dhe përballjes me të panjohurën dhe hostilitetin e një vendi të huaj, ku i pa pronë dhe i pa pasuri detyrohesh të bësh vendin e të ndërtosh jetën. Të dali dikush e t’i fyej, stigmatizoj dhe dhunoj, qoftë edhe simbolikisht bashkëkombësit tanë të mërguar përtej detit, pse ata po vijnë në vendlindje e në shtëpitë e tyre as është parë, as është dëgjuar! Ai zotëriu, që e poshtëroi këtë “gazetarin”, tek e fundit ka marrë ndoshta udhë 2000 kilometra, duke rrezikuar me gjithë familje dhe pritur me dhjetëra orë në kufinjtë e botës për t’u kthyer në Atdheun e vet. Një sakrificë dhe vullnet i tillë, për të gjetur Atdheun, familjen dhe shokët e tij, kërkon respekt, mirësi dhe tolerim nga bashkatdhetarët tanë, nga institucionet dhe akterët politikë të shoqërisë shqiptare. Këtë respekt dhe mirëkuptim, mjerisht, mërgimtarët tanë nuk e gjetën asnjëher sa duhet as nga qytetarët, as nga institucionet, organet e rendit, e aq më pak nga ata që jetojnë nga klikimet e tyre si soji i këtij portalxhiut, Valon Syla, dhe kolegët e tij, që fyerjen dhe stigmatizimin e Mërgatës e kanë veprimtari parësore!!…