Shqipëria/Aktualitet

Ibish Neziri: DY FJALË RRETH SULMIT FIZIK KUNDËR GAZETARIT VALON SYLA

Lajmeve për përmbysjen e Qeverisë Hoti nga kushtetuesja , ju bashkua edhe një lajm për sulmin, jo edhe bash të papritur, ndaj gazetarit Valon Syla, i cili për kohë bukur të gjatë u ka shpallur luftë mërgimtarëve pa dallim, të cilët nuk lënë rast pa shfrytëzuar për ta vizituar atdheun e vet, shtëpitë e veta, familjet e veta, të afërmit e vetë.

Një diçka e tillë u paralajmërua edhe mbrëmë në emisionin humoristik „Amelika“ nëse nuk gabohem, ngase edhe autorët e këtij emisioni e kishin kuptuar se gazetari Syla e ka provokuar këtë sulm kohë të gjatë, prandaj edhe nuk është për t’u çuditur.

Për të çuditur nuk është as thënia e Milaim Zekës, në mbështetje të gazetarit Syla se „mërgata mbanë gjithçka“. Edhe kjo thënie e Zekës nuk mund të hudhet poshtë, ngase mërgata e ka mbajtur edhe Milaim Zekën.

Është për t’u çuditur me reagimin e Ehat Miftarajt, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili nuk e ka të qartë sa duket dhe nuk din ta bëjë dallimin mes fjalës së lirë dhe fyerjes, sharjes, poshtërimit. Ai reagoi duke thënë se sulmi ndaj Sylës është sulm ndaj fjalës së lirë dhe ndaj çdo aktivisti në Kosovë. Edhe AGK-ja bashkë me Arben Gashin e LDK-së e ndoshta edhe me ndonjë tjetër që mua nuk më ra në sy, njësoj reaguan duke thënë se sulmi ndaj Sylës është sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë.

Edhe unë nuk pajtohem me sulmin që iu bë Valon Sylës, por z. Syla, ka kohë që e ka kërkuar këtë sulm, prej të cilit uroj të ketë dalur sa më lehtë, por desha t’i pyes edhe zotin Miftaraj, edhe AGK-në, edhe Arben Gashin, por edhe vetëveten, se sharjet, fyerjet, poshtërimet, pa asnjë bazë, pa asnjë arësye, a janë sulme dhe nëse po, cilës kategori të sulmeve i përkasin, ku ishin këta që nuk reaguan që kur zoti Syla i filloj këto sulme të cilat nuk i kisha kategorizuar ndryshe pos si terror psiqik kundër mërgimtarëve? Pse këta heshtën, pse nuk reaguan, por shpesh u qeshën me „gojë në grusht“, pse nuk ia tërhoqi vërejtjën AGK-ja apo edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi  dhe Arben Gashi Valon Sylës?

A dijnë këta apo jo cili është dallimi mes fjalës së lirë dhe sharjës, ofendimit, poshtërimit?

Nëse nuk e dijnë, para se të shesin mendë, le ta mësojnë, e pastaj të vlerësojnë e t’i matin gjërat me të njëtin kut.

Edhe unë e kam ndier veten të sulmuar nga Valon Syla, por askush nuk më mori nën mbrojtje. Të sulmuar nga Syla e kanë ndier vetën edhe dy djemtë e mi, të dy të lindur e të rritur në mergatë, por asnjërit prej atyre që nuk reaguan ndaj këtyre sulmeve nuk iu erdhi keq.

Nga Valon Syla e ka ndier veten të sulmuar, të fyer e të pushtuar e terrorizuar psiqikisht secili mërgimtar, por as për këtë Ministria e Jashtme dhe e Diasporës nuk e tha as një fjalë të vetme dhe nuk e mori as mundin më të vogël të distancohet nga sulmet e Valon Sylës.

Sulmi i sotëm, që nuk është dashur të ndodhte, dhe prej të cilit distancohem, le t’u shërbej të gjithëve si shembull se nuk është shprehje e mendimit dhe fjalës së lirë sharja e fyerja e poshtërimi i gjysmës së popullsisë, ashtu si nuk është as sulmi fizik.