VIKTIMË APO XHANDAR I LINDJES SË MESME?
Izraeli dhe izraelitët ishin ndër popujt e persekutuar dhe të dispersuar anemban botës, viktima të padrejtësisë shekullore.
Pas gati 2 000 vitesh u krijuan kushtet (pas LDB) që ky popull të (ri)mblidhet në një pjesë të tokës, tashmë e Palestinës, dhe të krijojë shtetin e tij…
Mirëpo, që nga krijimi, ky shtet dhe populli i tij, nga viktimë e padrejtësive, u bë persekutues i popullit palestinez! Në emër të zgjerimit të territorit të shtetit të tij dhe në emër të sigurisë së këtij shteti, Izraeli dëboi palestinezët nga shtëpitë, fshatrat dhe qytetet e tyre shekullore ! Ky spastrim etnik, që po vazhdon edhe sot, u bë me metoda dhe mjete brutale, me dhunë e terror, që bota tash po e kualifikon gjenocid…
Populli që kishte përjetuar gjenocidin dhe holokaustin nga shteti nazist i Hitlerit po kryen gjenocid ndaj një populli tjetër!! Para syve të mbarë botës po kryen bombardime masive mbi popullatën civile, po rrënohen pallate, shkolla, spitale, shtëpi, qytete e vendbanime dhe po vriten, pa asnjë dallim, fëmijë, gra, pleq duarthatë, si në asnjë luftë tjetër!! Bota, edhe kur bën sikur i dënon këto krime, rri e bën sehir, krejt e pavullnetshme për ta ndalur këtë fushatë-ndërmarrje vrastare !
Ditët e fundit, po në emër të “sigurisë” së tij, pasi bombardoi Libanin, ku dhe sa dashti, nisi fushatën e bombardimeve mbi Sirinë, një shtet tjetër fqinj !! Me këto fushata bombardimesh dhe shkatërrimesh ndaj vendeve tjera, tash edhe ndaj Sirisë, Izraeli, po manifston ambiciet e tij për të qenë xhandari i Lindjes së Mesme, ambicie të rrezikshme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe të vetë Izraelit…
Doktrina izraelite e luftës për të kontrolluar dhe “disiplinuar” shtetet që e rrethojnë dhe rajonin, për t’i bombarduar dhe shkatërruar shtetet fqinje dhe të rajonit në emër të sigurisë së tij është në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare, nëse mund të flitet akoma për të drejtën ndërkombëtare !!? Izraeli duhet ta kuptojë që ekzistenca e tij afatgjate është e kushtëzuar nga fqinjësia e mirë, nga paqja, stabiliteti dhe siguria e fqinjve të tij dhe e rajonit…
Po të pranohet logjika e më të fortit dhe e armës për të qeverisur rajonin, kontinentin apo botën, atëherë mund të themi se sistemi-rendi dhe e drejta ndërkombëtare ka marrë fund, ka falimentuar ! Se është kështu u dëshmua dhe po dëshmohet edhe me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës ! Kjo ligjika e forcës dhe armës po shtrihet me shpejtësi në botë…
Bota, si asnjë herë tjetër pas LDB, është mposhtur nga ethet e luftës ! Të gjitha shtetet, popujt dhe e gjithë ekonomia e botës janë “formatuar” për prodhim armësh dhe mjetesh për luftë, për vrasje dhe shkatërrim masiv!! Të lumtur janë vetëm Industrialistët e prodhimit të armëve, që po ngazëllejnë me këtë zhvillim që ka marrë bota… Faturën e kanë paguar dhe po e paguajnë popujt, sidomos të vegjlit !
Toutes les réactions :
3
add a comment