SHKOLLA, PLANPROGRAMET DHE TEKSTET SHKOLLORE NË REPUBLIKËN SHQIPTARE TË KOSOVËS
(Takime me nxënës-maturantë)
“Jo vetëm ta duash dhe ta kesh gjithmonë para syve Atdheun dhe shtetin, ku sejcili ka lindur dhe është edukuar, por edhe ta mbrosh e ta shpëtosh edhe me gjak”, porosiste Kryeheroi dhe Kryeprofeti ynë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Në vend të hyrjes
Krahinat e pushtuara të Shqipërisë kanë kërkuar, siç kërkon i verbëri sytë: shkollën, diturinë, përparimin dhe zhvillimin. Shkollimi në gjuhën shqipe për shqiptarët ishte ndaluar edhe nga perandoria pushtuese otomane. Pak para se të thyente qafën kjo perandori pushtuese, pas shumë përpjekjeve dhe sakrificave të Lëvizjes dhe Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ishte hapur Shkolla e Parë Shqipe në Korçë (1887)…
Krijimi i shtetit shqiptar, Shpallja e Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, ishte ngjarja dhe fitorja kulmore e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Mirëpo, ndërhyrja e ushtrive të shteteve shoviniste fqinje dhe vendimet e Fuqive të Mëdha, lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar dy të tretat e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar!!…
Terri dhe terrori i robërisë për shumicën e popullit shqiptar s’kishte fund ! Dhuna, persekutimi, dëbimi, terrori, vrasjet, masakrat dhe gjenocidi mbi popullin e pushtuar shqiptar u intensifikuan nga serbo-malazezët dhe nga grekët që kishin pushtuar dy të tretat e Shqipërisë dhe nuk po linin metodë e mjet pa përdorur për ta përjetësuar sllavizimin dhe greqizimin (helenizimin) e tokave të pushtuara ! Prandaj, sipas planeve dhe elaborateve të tyre populli i pushtuar shqiptar do të duhejë shfarosur, ndryshe do të ishte i pamundur sllavizimi dhe helenizimi i tokave të uzurpuara të Shqipërisë !
Këto politika shfarosëse ndaj shqiptarëve, me mjete dhe metoda tjera, u ndoqën edhe nga Jugosllavia komuniste e Tito-Rankoviçit… Për këtë qëllim u copëtuan tokat e pushtuara të Shqipërisë (Shqipëria Verilindore) midis tri republikave federative: Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë ! Një Pjesë e këtyre tokave shqiptare u njoh si “obllast” (rreth) i Kosovës që shkallë-shkallë, falë përpjekjeve e sakrificave të mëdha të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe mbështetjes së pakushtëzuar të shtetit tonë AMË, fitoi statusin e një autonomie territoriale, administrative, politike e kulturore (me statuts të dyfisht: njësi e Republikës së Serbisë dhe njësi konstituive e Federatës jugosllave) …
Kurse, populli shqiptar i Shqipërisë së Poshtme (Çamëria), përjetoi shfarosjen (gjenocidin) dhe dëbimin në masë nga forcat neofashiste të Greqisë pushtuese !! Për gjuhë shqipe, për shkollë e të drejta themelore të shqiptarëve nën Greqi nuk bëhet fjalë as sot !!
Shkolla shqipe, me shtrirje të kufizuar, në periudhën e Jugosllavisë komuniste pushtuese funksiononte me planprograme dhe tekste që promovonin dhe përhapnin “bashkim-vëllazërimin” dhe “patriotizmin” jugosllav, me synim dhe qëllim që ta mbillnin te rinia shqiptare ! Për uljen e numrit të shqiptarëve shteti pushtues kishte shpikur “kombësinë turke”, “torbeshët”, “kombin mysliman”, etj.. Këto metoda dhe politika antishqiptare patën për rezultat asimilimin e Sanxhakut shqiptar në “myslimanë” që flasin serbisht, “boshnjak”, etj., asimilimin e Plavës e Gucisë, etj., asimilimin e qyteteve e rajoneve tjera të shqiptarëve me besim ortodoks në Maqedoninë shqiptare, si në Ohër, Manastit, etj., pa përmendur këtu miliona shqiptarë të asimiluar në Turqi dhe të mohuar prej saj edhe sot !!
Shkolla shqipe në Republikën Shqiptare të Kosovës
Çështja e shkollës, e planprogrameve dhe e teksteve të saj mbeti plagë e hapur dhe me dhimbje edhe në Kosovë, 25 vite pas çlirimit të saj !! Kjo ishte arsyeja që Shoqëria LËVIZJA, Shoqata e të Burgosurve Politikë, shumë mësues e arsimtarë dhe intelektualë atdhetarë kishin hedhur idenë e një nisme e të një projekti që do të sensibilizonte shoqërinë tonë shqiptare dhe institucionet shtetërore në Republikën e Kosovës për gjendjen ku është katandisur shkolla dhe për nevojën urgjente të reformimit të saj, hartimit të planprogrameve dhe të teksteve që do të shkollojnë, mësojnë dhe edukojnë fëmijët dhe rininë tonë shqiptare ta duan vendin, ta duan dijen, shkencën, kulturën e tyre, t’i shohin ëndërrat në vendin e tyre dhe të zotohen t’i përmbushin ato ëndërra për zhvillimin, përparimin dhe emancipimin e popullit dhe Atdheut të tyre…
Por, me planprogramet dhe me tekstet (librat) shkollore që ka Kosova shqiptare (pa viset e saj) edhe pas çlirimit nga zgjedha e rëndë e robrisë, nxënësit tanë (edhe studentët) më së paku mësojnë e njihen me historinë dhe me të kaluarën e popullit të tyre !! Tingëllon si e pabesueshme, por në shkollat tona edhe 25 vite pas çlirimit nxënësit nuk mësojnë dhe nuk njihen me idetë, programet, kërkesat, përpjekjet, veprimtarinë dhe luftën titanike për liri e bashkim të Lëvizjes sonë Kombëtare dhe të figurave të saj të shquara para dhe pas Luftës së Dytë Botërore !! Nuk themi që historia më e re e Lëvizjes dhe e Luftës Çlirimtare të mësohet e të njihet për të jetuar me te, por të njihet e të mësohet nga nxënësit dhe studentët në mënyrë që të dinë ta çmojnë e vlerësojnë të tashmen, që ta kenë të qartë peshën dhe rëndësinë e lirisë e të bashkimit të kombit, të dinë ta konceptojnë e ndërtojnë të ardhmen, edhe për brezat pas tyre…
Shkolla jonë detyrimisht do të duhejë ta kishte edhe dimensionin dhe karakterin kombëtar. Ajo duhet t’i mbush nxënësit, përveç me dituri dhe edukim, edhe me dashuri e përkushtim për gjuhën, Atdheun, flamurin kuqezi, kulturën dhe traditën shqiptare, për Kryeheroin dhe Kryeprofetin tonë, Gjergj Kastriotin, për Atin e Lëvizjes sonë Kombëtare, Adem Demaçin, për Kryeheroin e qëndresës, të trimërisë, të heroizmit shqiptar e të lirisë sonë, Adem Jasharin dhe Familjen JASHARI dhe për gjithë luftën titanike të Lëvizjes sonë Kombëtare dhe Dëshmorët e saj para dhe pas LDB. Vend të rëndësishëm në planprogramet dhe tekstet shkollore, në mos kryevendin, duhet ta ketë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe themeluesja e saj, Lëvizja Popullore e Kosovës… Nuk mund të mbetet jashtë planprogrameve dhe librave shkollor as qëndresa, sakrifica dhe heroizmi i veprimtarëve, ideologëve dhe luftëtarëve të Lëvizjes Kombëtare në burgjet e pushtuesit… Për këtë qëllim duhen ekipe të ekspertëve, pedagogëve, krijuesve, etj. që do të hartonin planprogramet dhe tekstet e historisë, letërsisë, muzikës, arteve, etj. për shkollat tona. Për këtë duhet para së gjithash politikë dhe qeveri kombëtare e jo kosmopolite, servile e hipokrite…
Pak a shumë këto ishin arsyet themelore dhe ky ishte motivi që na kishte nxitur të kërkonim nga disa komuna “leje” për t’u takuar me nxënës, kryesisht maturantë, në shkollat tona. Privilegjin e takimit të parë, më 17 tetor, e patën nxënësit e shkollës “Xhelal Hajda-Toni” në Rahovec, kurse takimin e dytë e patëm me nxënës të shkollës “Ukshin Hoti”, në Krushë të Madhe. Nxënësit, arsimtarët dhe drejtorët e tyre na pritën me shumë respekt dhe interes. Përgjegjës i projektit për komunën e Rahovecit ishte Dervish Çadraku, Veteran i Lëvizjes dhe i Luftës Çlirimtare. Interesimi i nxënësve për ligjëratat tona ishte i madh. Temat për të cilat referuam dhe çështjet që ngritëm në këto takime të para, H. Hyseni, D. Çadraku, Selim Gashi…, u ndoqën me vëmendje nga nxënësit. Pati edhe mjaft pyetje dhe komente nga nxënësit dhe profesorët… Me nxënësit u bisedua edhe për fenomenin e ikjes, largimit nga vendi dhe për shumë çështje të shkollës sonë, të planprogrameve dhe teksteve që u ngritën dhe trajtuan në këto takime të para me nxënës… Prezantimin tonë me përpikmëri dhe elokuencë e bëri miku ynë, Qemajl Krasniqi…
Pas takimeve në shkolla vizituam Shtëpinë Muze të kolosit, Ukshin Hoti dhe Muzeun e masakrave që ka bër Serbia në Krushë të Madhe… Falënderojmë të gjithë ata që ndihmuan dhe i mundësuan këto takime të para me nxënës! Takimet me nxënës do të vazhdojnë…
add a comment