Xhelal Marku, gazetari që ka përcjellë lajmin e vërtetë me penë dhe kamera
Albert Z. ZHOLI
Duke lexuar librin monografik: “XHELAL MARKU– GAZETARI AKADEMIK ME PENË E KAMERA”, të autorit Fran Lleshi, poet e prozator i njohur, bindesh plotësisht se, personazhi Xhelal Marku, që ai ka zgjedhur të trajtoi në këtë libër, është një personalitet i shquar i Medias dhe i Shtypit, që me punën e tij dyzetvjeçare, ka bërë emër e ka lënë gjurmë të veçanta me krijimtarinë e tij. Pa hyrë në thelbin e librit dua të citoj se që të gjithë ata që kanë preferuar mes profesioneve të tjera gazetarinë duhet ta dinë që ky profesion ka parimet e saj. Të gjithë ato që kanë zgjedhur këtë profesion kanë bërë një betim, që është kodi kryesor i gazetarisë dhe që të gjithë e njohin, është e vërteta. Suksesi i gazetarisë dhe i gazetarit që e përcjell apo punon me lajmin është të zbulojë lajmin dhe ta përcjellë atë në kohë reale, duke ruajtur kodin e etikës, duke qenë sa më korrekt me shkueshmërinë e lajmit, pa mbajtur njëanshmëri dhe pa i dhënë ngjyrimet e dallimit apo konceptit. Përcjellja e lajmit duhet ti përshtatet sa më shumë ndodhisë së vërtetë dhe mbi të gjitha sa më shumë ti shërbejë kombit. E pra ky është qëllimi i gazetarisë. Media është një shembull për të tjerët, qëllimi i saj është propagandimi i kulturës, i etikës, i gjuhës së bukur, i mendimit të lirë dhe të edukuar, i mendimit të papërlyer me interesin. Gazetaria, si çdo fushë tjetër ka përkryerjen e saj tek e vërteta e përjetshme. ..Duke cituar këto rreshta mendoj për shenjtërinë e armatës së gazetarëve pjesë e së cilës është dhe miku im Xhelal Marku. Puna e tij e njësuar me artin e fjalës e të figurës artistike, është një vepër e rrallë arkivore në Median Kombëtare, e realizuar kjo me plot pasion, përkushtim, sakrifica e profesionalizëm, përgjat një jete të tërë. Meritë e autorit është, se tek personazhi Xhelal Marku, ai ka arritur të gërmoi e të studioi në thellësi vlerat e çmuara të gazetarit, veçoritë dalluese, historinë e krijimtarisë së tij, pasionin deri në sakrifica, për të sjell në ekran më të bukurën dhe më tipiken e jetës reale të kohës. Dhe për të arritur këtë, ai nuk ka qënë vetëm gazetar e skenarist, por edhe regjisor e kameraman i përsosur, duke xhiruar me idenë e montazhit në frontet më të vështira të punës: në miniera, në uzinat e shkrirjes e në fabrikat e pasurimit të mineraleve, tek gjeologët maleve, tek barinjtë në bjeshkë e kudo tjetër, ku kishte një përvojë të mirë pune, apo ku kishte një mendim novator të zbatuar në praktikën e punës. Përherë i kudondodhur dhe i sakrificës gazetari Xhelal Marku, ku në çdo situatë a ngjarje, ai ishte i pari që shkonte, por dhe i pari që do të jepte lajmin, në ekranin e vetëm të shqiptarëve – TVSH. Dhe kjo nuk ishte e lehtë, por kërkonte mund e sakrifica të mëdha, pasi atij i duhej të udhëtonte në kohë të mirë dhe në kohë të vështirë, përmes vapës përvëluese të verës, apo në shi e në dëborë, për sjellur në ekran lajmin e ditës, reportazhin apo dokumentarin për një sukses të veçantë në një sektor të caktuar. E gjithë vepra e krijimtarisë mediatike të gazetarit Xhelal Marku, ka në themel të saj, gërshetimin harmonik dhe në sinkron të plotë, të figurës së zgjedhur me artin e fjalës së bukur e plot foguracione, që ai kishte në pasionin e tij, si ish mësues i letërsisë në Gjimnaz, një pasion që u aplikua mjeshtërisht nga ai edhe në profesionin e gazetarisë. Dhe ishte pikërisht kjo veçori dalluese e punës së tij, që e bëri atë të ec me ritme më të shpejta se kolegët e tij dhe pse jo, të bëjë edhe diferencën me ta, një veçori që autori Fran Lleshi e ka trajtuar mirë e bukur në librin e tij, kushtuar gazetarit Xhelal Marku. Fakti që sot Xhelal Marku, mban në vlerësim të punës së tij, disa tituj, çmime e dekorime, tregon qartë se ai është një nga gazetarët më të vlerësuar në historinë e gazetarisë shqiptare. Përmendim këtu: dekorim me “Urdhrin Naim Frashëri” në v. 1988, një “Çmim të Parë” për reportazhin në v. 2008, Dy çertifikata “Mirnjohje” nga ish Bashkia Rrëshen në v. 2009 dhe ish Bashkia Peshkopi në v. 2014, katër tituj: “Gazetar i Kategorisë së Parë në RTSH” në v. 1988, “Qytetar Nderi” i Komunës Reç të Dibrës në v. 2014, “Nderi i Qarkut Dibër” në v. 2017, si dhe titullin e lartë: “Akademik” të akorduar nga Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe Arteve e Nju Jorkut (AAAS, Neë York) SHBA në v. 2021. Dhe kjo karrierë e suksesshme e këtij gazetari, nuk është arritur lehtë, por me punë të përkushtuar e profesionale, gjatë gjithë veprimtarisë së tij në disa rrethe të vendit.
Gjithashtu, në librin e autorit Fran Leshi, theksohet fakti, se gazetari Xhelal Marku, krahas suksesit në Media e në Shtyp, po aq i suksesshëm ka qënë edhe në fushën e botimeve të tij. Me botimin e librit të parë kombëtar për turizmin në Shqipëri, me titull: “TURIZMI SHQIPTAR”, në vitin 2012, ai shënoi një tjetër arritje të rëndësishme edhe në fushën e letërsisë. Unë si redaktor i këtij libri, kam bërë vlerësimet e mia edhe në shtyp e në media, për librin “Turizmi Shqiptar”, por vlerësime të tilla për këtë libër, kanë bërë edhe shumë autorë të tjerë, shkrimtarë, poetë e analistë të njohur si: Xhafer Martini, Ndue Dedaj, Mujo Buçpapaj, Qazim Shehu, Mevlud Buci, atj. Së shpejti nga autori Xhelal Marku do të kemi edhe libra të tjerë, që janë një kontribut disavjeçarë i punës së tij krijuese.
Në librin kushtuar gazetarit Xhelal Marku, një vend të rëndësishëm zë edhe historia e vendlindjes së tij krahinës së Reçit të Dibrës, një krahinë e njohur për tradita të shquara atdhetare, për trimëri e bujari, për besë e qëndresë të pamposhtur përballë pushtuesve, tradhtarëve dhe armiqëve të vendit ndër shekuj. Historia e Reçit thotë autori, sipas defterit turk, nis qysh në vitin 1330, në shekullin e 14-të, për të vazhduar deri në ditët e sotme. Dhe në këtë histori të lavdishme të krahinës së Reçit-Mal i Parë i Dibrës, spikat me historinë e vet të luftërave antiturke edhe fisi “Marku”, pjesë e të cilit është gazetari Xhelal Marku. Jam befasuar me historinë e këtij fisi, që pati në krye të luftërave antiturke të Reçit edhe një prijës legjendar, fisnik, trim e partiot të flaktë, siç ishte Komandanti Sul Marku. Madje në këto luftëra, kanë rënë dëshmorë edhe disa pjesëtarë të fisit Marku, si: Hasan Marku, Hysen Marku, Selman Marku, Ramadan Marku, si dhe një grua Beklie Marku.
Në historinë e luftërave të Reçit e të fisit “Marku”, një vend nderi zë gjithashtu edhe historia e familjes së gazetarit Xhelal Marku, që nis me gjyshin e tij Halim Marku, për të ardhur deri në ditët e sotme, me plot emra e figura të ndritura të kësaj familje, e cila në luftërat antiturke, pati edhe një dëshmor të vetin, vëllain e gjyshit të Xhelalit, Selman Markun, që ra dëshmor në betejën e përgjakshme antiturke të vitit 1910, të zhvilluar në vendin e quajtur Pëllume të fshatit Kraj-Reç. Është një histori atdhetare e kësaj familje e shtrirë në pesë breza, ku spikat i pari i familjes Halim Marku, i cili traditën e bujarisë e të mikpritjes e kishte të veçantë në të gjithë Reçin, për të ardhur më pas me trashëgimtarët e tij: Aliun, Zenelin e Mahmutin, njerëz me kontribute, me pastërti shpirtërore dhe të përkushtuar për punën e tyre. Breznitë e Kullës së Halim Markut, janë gjenerata të së ardhmes me plot merita e kontribute ndër vite, prej të cilëve janë me arsim të lartë, ku midis tyre padyshim spikat emri i gazetarit Xhelal Marku, një trashëgimtar i denjë i Kullës, por dhe një personalitet publik me shumë kontribute në Shtyp e në Media, një emër që vjen nga një familje me një histori të ndritur vlerash e kontributesh përgjat tre shekujve me radhë. Dhe nuk janë pak, por në trashëgiminë e familjes së Halim Markut, sot numrohen rreth 250 frymë, me rreth 110 familje, të cilët punojnë e jetojnë në vende të ndryshme, brenda e jashtë Shqipërisë, deri në Kanadanë e largët.
Një vend të rëndësishëm në librin e autorit Fran Lleshi, “Xhelal Marku – Gazetari akademik me penë e kamera”, zënë edhe opinionet e shumë personaliteteve të njohur, të cilët shprehin vlerësimet e tyre për figurën e këtij personazhi me plot kontribute në historinë e gazetarisë shqiptare. Janë 12 autorë të ndryshëm, duke nisur me Zef Brozin, ish-deputet dhe ish-Kryetar i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, për të vazhduar më tej me shkrimtarin dhe publicistin e njohur Akademik dhe “Mjeshtër i Madh”, Halil Rama, me shkrimtarin dhe kulturologun Ndue Dedaj, me ish-Kryetarin e Bashkisë Rrëshen Gjon Dedaj, me Pjetër Dodën, ish-Shef i Arsimit dhe i Kulturës në Mirditë, me gazetarin e mirënjohur Dëfrim Methasani, “Mjeshtër i Madh”, me poetin dhe shkrimtarin Gjovalin Ndoja, me poeten Marjana Sulejmani, “Mjeshtre e Merituar e Sportit”, me gazetarin Aleksandër Ndoja, kryeredaktor i Revistës “MIRDITA”, me ish-minatorin dhe ish-përgjegjësin e Minierës Kurbnesh, Ndue D. Gjikolaj, me byrazerin e Kullës së Markut në Reç, Preng Lleshajn nga Proseku dhe me Bardhok Gjikolajn, ish-drejtor ndërtimi në disa rrethe të vendit. Me shkrimet e tyre, ata hedhin dritë dhe plotësojnë më së miri, portretin e personazhit Xhelal Marku.
Në librin kushtuar Xhelal Markut, pasqyrohen edhe krijimtari poetike, si dhe tekste këngësh kushtuar këtij gazetari, me autor të njohur si poeti Gjok Beci, “Nderi i Kombit” dhe poeti Mevlud Buci, të cilët me vargjet e tyre të mrekullueshme, e bëjnë edhe më të plotë pasqyrimin e krijimtarisë mediatike të gazetarit Xhelal Marku, i cili është dhe mbetet një nga personalitetet më të vlerësuara në historinë e gazetarisë shqiptare. Ja pra, ky është profili i gazetarit Xhelal Marku, një figurë e kompletuar intelektuali, me një karrierë të suksesshme pune, me një histori të ndritur atdhetarie të vendlindjes së tij Reçit të Dibrës, të fisit të tij “Marku” dhe të familjes së tij, që trashëgohet nga gjyshi i tij fisnik, mikpritës e sofërshtruar, Halim Marku.
Urime autorit Fran Lleshi për librin dhe suksese të mëtejshme mikut tim, personazhit Xhelal Marku!