Shtegtime nëpër Atdhe (CCCIV)
VJOSA – LUM “I EGËR”, DHURATË PËR SHQIPËRINË DHE EVROPËN
Lumi Vjosa është njëri ndër lumenjtë më të mëdhenj të Shqipërisë, që buron nga një liqen i vogël në malet e Pindit në Epir, pranë fshatit Mecovë, në lartësinë mbidetare 1340 metra. Rrjedhë nëpër Shqipërinë e jugut dhe pas 272 km derdhet në Detin Adriatik. Nga rrjedha e përgjithshme e saj, 192 km kalon nëpër territorin e R. së Shqipërisë dhe 80 km nëpër territorin e shtetit grek. Në hershmëri Vjosa njihej me emrin Anio, ndërsa grekët e quajnë Aoos. Emrin e lumit Vjosa e mbajnë shumë vajza të të gjitha trojeve shqiptare.
Lumi Vjosa është lumë i mitizuar, i njohur edhe si lumë i shenjtë dhe i personifikuar me një perëndi, e shfaqur edhe në statuja që në shek. III p.e.r. Për Vjosën janë thurë shumë legjenda. Ajo përmban vlera të larta mjedisore, kulturore dhe ekonomike për rreth 100 mijë banorë që jetojnë në brigjet e saj dhe të degëve të saj, si dhe vlera të trashëgimisë natyrore dhe të biodiversitetit që ka.
Rrjedha e Vjosës është e natyrshme dhe e paprekur. Ajo përshkon nëpër gryka të maleve e nëpër kanione të bukura, nëpër fusha të gjera, herë e qetë e herë e rrëmbyeshme, duke krijuar ishuj e duke gjarpëruar mrekullueshëm nëpër shtratin e saj sa të ngushtë e sa të gjerë.
Lugina e Vjosës përmban pamje karakteristike me bimësi barishtore, me drurë pyjorë dhe me bimësi të llojllojshme. Ekosistemi i saj përmban 1100 lloje, nga të cilat 13 lloje shtazore dhe dy lloje bimore janë në rrezik të zhdukjes. Aty ndodhen 10 zona të mbrojtura dhe rreth 130 monumente natyrore. Vjosa kalon nëpër zona të mbrojtura, tri prej të cilave janë parqe kombëtare, siç është zona “Vjosë-Nartë” në grykëderdhjen e Vjosës në Adriatik etj.
Dy degët kryesore të Vjosës janë lumi Drino dhe lumi i Shushicës. Lumenj më të vegjël, që derdhen në Vjosë, janë edhe lumi i Langaricës dhe lumi i Bënçës. Në lumin e Langaricës ndodhet kanioni i mrekullueshëm, 7 km i gjatë dhe Ura e Kadiut, një urë e vjetër e kohës osmane që ka vetëm një hark. Pastaj aty gjendet pylli dhe shpellat e Petranit, kisha e Bënjës etj. Në fshatin Kosinë ndodhet kisha e Shën Mërisë, e dyta më e vjetër në Ilirik. Një mrekulli natyrore paraqet Gryka e Këlcyrës, ku Vjosa çan përmes shpateve të thepisura të dy maleve. Në afërsi të qytetit të Konicës ndodhet një urë historike me harqe prej guri.
Vjosa kalon nëpër qytetet Përmet, Këlcyrë, Tepelenë e Memaliaj, ndërsa përmes degëve takohet edhe me Konicën, Leskovikun, Ersekën, Frashrin, Gjirokastrën, Ballshin, Fierin e Vlorën. Rreth 3 km nga lumi, afër Këlcyrës ndodhet pika turistike “Rrepet e Grykës”. Në Grykën e Këlcyrës ndodhet burimi “Uji i Zi”.
Kërcënimin dhe rrezikun më të madh për shkatërrimin apo dëmtimin e sistemit mjedisor dhe të pamjeve të bukura natyrore të luginës së Vjosës e paraqisnin ndërtimi i hidrocentraleve të vogla. Ishin planifikuar tetë diga në Vjosë dhe 23 të tjera në degët e saj. Disa prej tyre kanë përfunduar dhe disa ishin në ndërtim e sipër. Hidrocentralit të parë, i ndërtuar në Kalivaç, i është dhënë leja në vitin 1997, por në vitin 2017 qeveria e ka anuluar këtë kontratë me koncesion. Janë anuluar edhe HEC-et tjera. Edhe nga ana greke janë dhënë gjashtë leje për ndërtimin e digave, por vetëm një është ndërtuar.
Planifikimi dhe fillimi i ndërtimit të disa HEC-eve në Vjosë kishte alarmuar shoqatat mjedisore të vendit dhe të huaja, të cilat kishin filluar fushatën për mbrojtjen e lumit. Qeveria e R. së Shqipërisë Vjosën e ka shpallur zonë të mbrojtur – Park Kombëtar. Kjo shpallje erdhi pas shumë viteve të një beteje të vazhdueshme, të zhvilluar nga qytetarët, specialistët dhe organizatat e ndryshme mjedisore vendore dhe ndërkombëtare kundër ndërtimit të digave dhe për mbrojtjen e Vjosës, duke përfshirë edhe thirrjen e aktorit të Holivudit, Leonardo De Kaprio. Vjosa quhet “lumë i egër”, pasi është lumi i vetëm në Evropë me rrjedhje krejtësisht të lirë e të papenguar nga digat, hidrocentralet, nxjerrja e zhavorrit etj. Kështu, Vjosa mbetet lumë i rëndësishëm për ruajtjen e sistemit mjedisor, për zhvillimin e sporteve ujore, për bujqësi, blegtori, peshkim etj. Në brigjet e saj ndodhen qindra vendbanime, ku jetojnë rreth 100 mijë banorë.
Vjosa, e njohur si lumi i fundit “i egër” në Evropë, ishte Park Natyror, ndërsa më 13 mars 2023 është përparuar në Park Kombëtar i kategorisë II sipas përkufizimit të Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN). Ky park lumor përfshinë një sipërfaqe prej rreth 13 mijë hektarësh. Parku i parë i një lumi “të egër” në Evropë shtrihet në sipërfaqen ujore e bregore të Vjosës dhe të tri degëve të saj, të Drinos, të Bënçës dhe të Lumit të Vlorës, duke u bërë parku i parë i një lumi të egër në Evropë. Me shpalljen e Parkut Kombëtar të Vjosës është hequr mundësia e ndërtimit të HEC-eve apo të ndonjë ndërhyrjeje tjetër që cenon lumin, kurse krijohen kushte për zhvillimin e turizmit mjedisor. Gjithashtu, ministritë shqiptare dhe greke të mjedisit janë pajtuar për ta krijuar parkun e parë ndërkufitar të lumit Vjosa. Nga viti 2015 gryka e Vjosës, në afërsi të Konicës, ndodhet në listën e gjeoparqeve të mbrojtura nga UNESCO. Edhe Qeveria Shqiptare synon dhe ka filluar punën për ta kthyer Vjosën në një rezervat biosfere, të mbrojtur nga UNESCO.
Delta e lumit Vjosa është një ndalesë e rëndësishme për zogjtë shtegtarë, duke përfshirë edhe flamingot e pelikanët. Ndërsa lugina e Vjosës është vend ideal për pushime, për sporte të aventurës, si ecje nëpër natyrën e egër, lundrim me gomone apo kajak etj. Sporti rafting zhvillohet në Vjosë dhe në kanionin e Langaricës. Aty gjendet banja në natyrë e Bënjës, afër Përmetit, kështjella e Ali Pashë Tepelenës e vitit 1819 në Tepelenë, urat e vjetra të kohës romake e osmane etj.
Lumi Vjosa, si lumi i fundit i egër në Evropë, përfshinë pasuri të mëdha natyrore, mjedisore dhe turistike. Rrjedha e Vjosës shoqërohet nga natyra e mrekullueshme, me vargmalet e bukura shqiptare, me fshatrat karakteristike, me monumentet e trashëgimisë natyrore e kulturore. Si e tillë, lugina e Vjosës është kthyer në një destinim të ri turistik e sportiv, e vizituar gjithnjë e më shumë nga turistë të ardhur nga tërë bota.
add a comment