Botë

Janusz Bugajski: Për luftën që po vjen! A e mposht dot NATO-ja Rusinë pa Amerikën?

Pavarësisht samiteve dhe deklaratave, Aleanca Euroatlantike (NATO) nuk është e përgatitur për luftën që po i afrohet Europës. Tre janë kërcënimet që i kanosen kontinentit europian: vetë-izolimi i Amerikës, dëshira për luftë e Rusisë dhe mungesa e përgatitjes së NATO-s.

Rezultati i paparashikueshëm i zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, që do mbahen në nëntor, ka shtuar frikën se Europës do i duhet të vetëmbrohet pa udhëheqjen e SHBA. Disa liderë europianë u lehtësuan disi kur Biden njoftoi se nuk do të garonte për një mandate të dytë, por vijojnë të druhen se nënpresidentja pro aleancës transatlantike, Kamala Harris, mund të mos jetë në gjendje të mposht shumë të paparashikueshmin Donald Trump.

Kritikat e Trump ndaj NATO-s, thirrjet e tij për tërheqjen e trupave amerikane nga Europa dhe instinktet e tij vetë-izoluese dhe me fokus në përfitim i kanë shqetësuar aleatët tradicionalë (të SHBA).

Ai mund ta dobësojë Aleancën Euroatlantike pa i dhënë zyrtarisht fund anëtarësimit në SHBA. Trump do të kërkojë që të gjitha vendet europiane të rrisin ndjeshëm shpenzimet e tyre për mbrojtjen, ndërkohë që vëmendjen do ta ketë mbi Lindjen e Largët, me shumë prej këshilltarëve të tij që e shohin Kinën si kërcënimin kryesor të Amerikës.

Megjithëse Trump do të mbante ombrellën bërthamore mbi Europë, së bashku me bazat ajrore dhe një flotë detare, forcat tokësore të mbetura ka të ngjarë të evakuohen, pasi Amerika nuk do të furnizojë më me pajisje të konsiderueshme luftarake. Trump, gjithashtu, do të ndalonte çdo zgjerim të mëtejshëm të NATO-s, qoftë në Ballkanin Perëndimor apo në lindje të Europës.

Vetë BE-ja do të kishte edhe më pak gjasa të pranonte anëtarësime të reja, nëse vendet janë pjesë në konflikte të brendshme dhe të jashtme, të cilan po shtohen për shkak të përfshirjes më të pakët të SHBA-së.

Ndërsa bota po bëhet më e rrezikshme dhe më e prirur ndaj konflikteve, politika e jashtme e Trump nuk përqendrohet në SHBA si lidere, por trumbeton një farë strategjie “Amerika e para” që të kujton izolacionistët para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Megjithëse Trump mburret se do të rivendosë paqen globale, në strategjinë e tij nuk kanë besim as ish-zyrtarët e tij të sigurisë kombëtare. Në thelb, Trump do të ndjekë çfarëdo politike nga e cila ai përfiton personalisht dhe të cilën mund t’ua “shesë” mbështetësve të tij si sukses, edhe nëse kjo nënkupton të marrë me të mirë diktatorë rusë, kinezë dhe serbë.

Rusia është një kërcënim në rritje për sigurinë europiane, veçanërisht nëse ajo këmbëngul në luftën e saj kundër Ukrainës dhe plotëson forcat e saj ushtarake. Disa qeveri të Europës Qendrore-Lindore kanë paralajmëruar se Rusia duhet të mposhtet tërësisht në Ukrainë, në mënyrë që të parandalohet një luftë më përfshirëse në dy – tre vitet e ardhshme. Rusia mund të ndërmarrë një sulm jo të gjerë në territorin e NATO-s, veçanërisht në një nga shtetet balltike, dhe nëse SHBA nuk kundërshton, Moska do të inkurajohej. Putini mund të përllogarisë se Trump nuk do të ndërhynte dhe nuk do të rrezikonte të fillonte një luftë të mirëfilltë me Rusinë.

Në mungesë të lidershipit të SHBA-së, NATO-ja europiane mund të jetë shumë e dobët dhe e thyeshme për t’iu përgjigjur një provokimi rus ose dhunës së ripërtërirë në Ballkan, të krijuar nga Beogradi ose Banja Luka.

NATO ka tre mangësi të mëdha, në pikëpamjen psikologjike, atë ushtarake dhe në njerëz. Psikologjikisht, populli nuk është i përgatitur për luftë dhe disa liderë të Europës Perëndimore po rropaten të forcojnë mbrojtjen e tyre mjerane. Vetëm vendet e krahut lindor të udhëhequr nga Polonia duket se po përgatiten gjerësisht për luftë me Rusinë.

Shpenzimet e mbrojtjes së Varshavës po rriten vazhdimisht dhe forcat e saj të armatosura po zgjerohen. Në përqindje të PBB, Polonia është tashmë shpenzuesi kryesor i NATO-s për mbrojtjen. Po ashtu, ajo po dyfishon numrin e forcave të saj të armatosura në 300,000 persona. Ajo zotëron ushtrinë e tretë më të madhe të NATO-s dhe më të madhen në Europë, pas SHBA-së dhe Turqisë dhe renditet shumë përpara Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe.

Megjithëse NATO e ka konstatuar se Rusia është një kërcënim ushtarak në rritje dhe ka shtuar rezervat e saj ushtarake gjatë dekadës së fundit, kaq mund të mos jetë e mjaftueshme pa udhëheqjen e SHBA. Që të jetë efektive, NATO-s europiane i duhet të përqendrohet në mobilizimin shoqëror, kapacitetin industrial dhe shpenzimet për mbrojtjes. Asaj i duhet të ndërtojë që nga themeli industrinë e saj të mbrojtjes dhe të zgjerojë forcat e saj të armatosura, si të rregulltat ashtu dhe rezervat.

Megjithëse disa qeveri kanë rifutur ose zgjeruar shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ato ende po shqyrtojnë se si do të mobilizojnë miliona ushtarë kur armiqësitë të ndizen.

NATO nuk është një organ i centralizuar apo qoftë edhe një konfederatë si BE-ja, dhe të gjitha shtetet janë të lira të ndjekin politikat e veta të sigurisë në vend që të bashkojnë burimet e prodhimit dhe ato ushtarak. Testi i madh do të vijë kur një anëtar i NATO-s të sulmohet nga Rusia, edhe nëse sulmi fillimisht është në shkallë të vogël. Konsensusi perëndimor mund të jetë i vështirë për t’u arritur, veçanërisht pa praninë e SHBA. Në vend të kësaj, ka të ngjarë të jemi dëshmitarë të shfaqjes së një mini “NATO me dëshirë”.

Në të do të përfshiheshin shtete të përkushtuara ndaj zgjerimit të aftësive të tyre ushtarake dhe të gatshme për të luftuar, sepse ata e shohin Rusinë si një kërcënim ekzistencial që duhet mposhtur pavarësisht politikave të SHBA-së.