Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCCIII) BYLISI – QYTETI ILIR I SHKATËRRUAR NGA DYNDJET BARBARE SLLAVE

Shtegtime nëpër Atdhe (CCCIII)
BYLISI – QYTETI ILIR I SHKATËRRUAR NGA DYNDJET BARBARE SLLAVE
Në anën e majtë të rrugës Levan – Tepelenë dhe në anën e djathtë të rrugës Ballsh – Tepelenë, 35 km nga Fieri, 8 km nga Ballshi dhe 1.5 km nga fshati Hekal ndodhet qyteti antik i Bylisit. Është ky një qytet në rrënoja, i vendosur në pllajën e kodrës së Hekalit në Mallakastër, pranë fshatrave Hekal e Klos. Qyteti shtrihej në 30 hektarë, në lartësinë mbidetare 547 metra. Bylisi rrethohej me mur 2200 metra të gjatë, 3.5 metra të gjerë dhe 8 – 9 metra të lartë. Ishte mungesa e rrugës, deri para pak viteve dhe pakujdesia institucionale, që Bylisi të mos ishte i njohur sa duhet nga vizitorët. Tashmë Bylisi sikur po rizbulohet, duke u vizituar nga turistë të shumtë të vendit dhe të huaj.
Bylisi ka qenë njëri ndër qytetet më të mëdha ilire, ndërsa sot është njëra ndër qendrat më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë, që ka statusin e Parkut Kombëtar Arkeologjik. Nga numri i monumenteve të zbuluara dhe nga ruajtja e tyre, Bylisi zë vendin e parë në vend, madje mbahet si qyteti rrënojë më i ruajtur në Mesdhe.
Si qyteti më i madh i Ilirisë jugore, kryeqendër e fisit ilir të Bylinëve, i themeluar në gjysmën e parë të shek. IV p.e.r., Bylisi mbanë pozitë gjeografike zotëruese dhe panoramike, i vendosur në kodrat e Mallakastrës dhe mbi luginën e Vjosës, ku mund të shihet mali i Tomorit, deti Adriatik dhe fusha e Myzeqesë. gjendet në dokumentet historike me emrat Bulis, Boulinoi, Boulimeis, Ballini, Bylliones, Bulini.
Bylisi ishte qytet epik dhe qytet i lirë i Ilirisë, qendër politike, ekonomike e kulturore e bashkësisë së Bylinëve, që dallonte dukshëm nga qytetet helenike. Jetëgjatësia e tij vlerësohet të ishte mbi 1000 vjet, që nga shek. IV p.e.r. deri në shek. VI e.r. Themeluesi i Bylisit thuhet se është Neoptolemi, i biri i Akilit dhe është ndërtuar mbi planin arkitektonik të Hipodamnit. Në vitin 385 p.e.r. bylinët ishin nën sundimin e mbretit Bardhyl, ndërsa në vitin 314 p.e.r. kanë rënë nën sundimin e mbretit maqedonas, Kasandrit e më pas nën mbretërit ilirë, Glaukia dhe Monuni. Një kohë të shkurtër ka qenë edhe nën sundimin e mbretit Pirro.
Në kohën e pushtimit romak, si pjesë e provincës maqedone, e ruajti autonominë deri në shek. I e.r., kur u kthye në koloni romake. Në shek. IV e.r. Bylisi përsëri është fortifikuar, ndërsa pas rrënimit të Apolonisë, në shek. V – VI, është bërë qendër kryesore në territorin midis lumenjve Shkumbin e Vjosë. Ishte edhe qendër peshkopate, por pas rrënimit të qytetit nga dyndjet barbare sllave të shek. VI, nuk u rimëkëmb më, e peshkopata u shpërngul në Ballsh.
Parku Arkeologjik i Bylisit paraqet njërin ndër qytetet antike me dendësinë më të madhe të monumenteve me mozaik. Mozaiku në Bylis është zbuluar në sipërfaqe mjaft e madhe. Monumenti më i rëndësishëm i qytetit ishte teatri, që kishte 40 shkallare dhe kapacitet për 7500 shikues. Ishte mjaft i ngjashëm me teatrin e Dodonës. Qyteti kishte pesë bazilika paleokristiane të antikitetit të vonë, të shek. IV – VI e.r. Pusi i ujit është i veçantë, pasi ishte ndërtuar brenda shkëmbit, me thellësi 4 metra dhe gjerësi 3 metra. Bylisi kishte edhe stadium me 19 shkallë, pastaj gjimnaz, depozitë të ujit, banesa, punishte të ndryshme, duke përfshirë edhe punishten për prerjen e monedhave. Bylisi, në vitet 230 – 146 p.e.r., ka prerë monedhën e vet prej bronzi.
Në vitet 49 – 48 p.e.r. qyteti i ishte dorëzuar Cezarit, duke shërbyer si bazë për furnizimin e ushtrisë romake. Plini, në gjysmën e parë të shek. I, Bylisin e quante një koloni romake.
Gjeografi grek, Pseudo-Skylaksi, në vitin 380 p.e.r., shkruante: “Orikët banojnë në krahinën e Amantisë, amantët që shtrihen deri këtu janë ilirë nga bylinët”. Bashkësia e bylinëve ishte pjesë e krahinës ilire të Atintanisë, që përfshinte luginën e poshtme dhe të mesme të lumit të Vlorës.
Gjatë dyndjeve barbare sllave, në vitin 586, qyteti i Bylisit është shkatërruar dhe braktisur përfundimisht.
Sot Bylisi paraqet një pasuri shumë të rëndësishme arkeologjike dhe turistike të Shqipërisë. Sigurisht se nevojiten investime të mëtejshme që ky park arkeologjik të hulumtohet, të rregullohet dhe të vizitohet edhe më shumë.