Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCCI) ROSHNIKU – FSHATI I VEZIRËVE, I FIKUT DHE I ULLIRIT

Shtegtime nëpër Atdhe (CCCI)
ROSHNIKU – FSHATI I VEZIRËVE, I FIKUT DHE I ULLIRIT
Rreth 12 km nga qyteti i Beratit, në një faqe mali, shtrihet fshati Roshnik. Si njësi administrative e Bashkisë së Beratit, Roshniku është qendër e 12 fshatrave të rrëzës së Tomorit me rreth 6000 banorë e si fshat ka rreth 120 familje me 500 banorë. Fshatrat e Roshnikut janë piktoreske, të rrethuara me vreshta, ullishta e pemishte, me natyrë të begatë, me histori të pasur e kulturë të trashëguar nga kohët e lashta. Ato hijeshohen dhe bekohen nga mali i shenjtë, nga Baba Tomori.
Zona e Roshnikut është shumë e lashtë. Ajo ka bartur brez pas brezi traditat më të mira të punës e të mikpritjes. Lashtësinë e zonës e shpjegojnë edhe varrezat e zbuluara ilire të shek. II p.e.r.
Roshniku është fshat bujqësor, blegtoral e turistik. Natyra e shëndoshë, toka pjellore dhe klima e përshtatshme kanë krijuar kushte shumë të mira për kultivimin e shumë kulturave bujqësore. Fshati ka traditë të gjatë për prodhimin e fikut, ullirit, rrushit, rakisë dhe verës, por edhe të arrës, bajameve, kumbullave, mollëve. Roshniku është prodhues i verës “Pulës” nga rrushi i vendit “Pulësa”, që kultivohet vetëm në Roshnik. Dhe, Roshniku është prodhuesi më i madh i fikut në vend. Fiku i përmendur i Roshnikut ka fituar “patentën” si prodhimi më cilësor në tërë vendin. Në Shqipëri kërkohet prore fiku me etiketën “Fik Roshniku”. Ky fik dikur eksportohej me shumicë në Evropë, ndërsa në kohë lufte është përdorur edhe në vend të bukës.
Viteve të fundit Roshniku është i njohur për turizëm natyror, fshatar, kulturor e të aventurës. Si një fshat turistik, është pjesë e programit kombëtar “100 fshatrat e Shqipërisë” që, përmes investimeve, ka për qëllim zhvillimin e bujqësisë, turizmit, agrobiznesit, infrastrukturës etj.
Në dorëshkrimet osmane del se nga Shqipëria kanë dalë shumë vezirë (kryeministra) që e kanë drejtuar Perandorinë Osmane. Disa djem, që janë marrë me forcë dhe pastaj i kanë shërbyer Perandorisë, si jeniçerë, i janë ngjitur kupolës së Perandorisë deri në krye. Nga 35 vezirët shqiptarë të Perandorisë, pesë prej tyre ishin nga Roshniku, katër prej tyre të familjes Qyprilli. Qyprillinjtë e Roshnikut e kanë drejtuar Perandorinë Osmane, si kryeministra, më shumë se 50 vjet. Më i njohuri ndër ta ishte Mehmet Pasha – Qyprilliu (1578 – 1661), i cili ishte kryeministër i Perandorisë mbi 5 vjet. Djali i madh i tij, Fazëll Ahmet Pasha (1635 – 1676), i graduar marshall, ka shërbyer kryeministër 15 vjet. Kara Mustafë Pashë Qyprilliu, i vrarë në luftë, ka shërbyer kryeministër dy vjet e tre muaj. Ky vezir e kishte udhëhequr ushtrinë për rrethimin e Vjenës në vitin 1683 dhe, pasi kishte dështuar, i ishte prerë koka. Amxhsade Huesin Pasha, pas rreth 5 vjet kryeministër, kishte dhënë dorëheqje. Numan Pasha shërbeu si kryeministër vetëm dy muaj. Dhe, i fundit, por ende i pakurorëzuar në fron, ishte Ahmet Kaja. Për ta nderuar dinastinë më të madhe të vezirëve shqiptarë të Perandorisë Osmane shkolla e fshatit Roshnik e mbanë emrin “Mehmet Pashë Qyprilliu – Roshniku”, kurse në Berat vepron me sukses shoqata “Mehmet Qyprilli Roshniku”.
Roshniku ka trashëgimi të pasur kulturore e historike, si objekte kulti, kështjella historike në rrënoja, ullinj shekullorë. Aty ndodhet një shtëpi e madhe karakteristike e shek. XVIII, e shpallur monument kulture. Monument kulture është edhe xhamia e fshatit e shek. XVI, e ndërtuar me porosi të vezirit Mehmet Qyprilliu (Roshniku). Në fshat ndodhet “Çezma e Tarikos”, një pikë e vjetër orientimi e çlodhjeje, në pllakën përkujtimore të së cilës shkruan: “Ju udhëtarë që kaloni, pini ujë e uroni, Tarikon ta kujtoni”. Tariko ishte një nënë e shkretë, të cilës i ishte vrarë djali nga armiku dhe kishte mbetur e vetme. Gjithashtu, në fshat është edhe “Hani i Perisnakës”, një pikë tjetër takimi e çlodhjeje e karvanëve. Fshati e ka muzeun, nga më të vjetrit në vend ku, pos tjerash, ruhen edhe dorëshkrimet në osmanisht të viteve 1578 e 1661.
Në Roshnik për çdo vit në muajin shtator organizohet Festa e Roshnikut. Kjo festë e përvitshme, e organizuar në muajin shtator, pos me këngë e valle popullore, me gëzim e hare, shoqërohet edhe me panairin e prodhimeve vendore. Është kjo një ngjarje e rëndësishme kulturore, ekonomike dhe turistike, që ka për qëllim nxitjen e zhvillimit ekonomik përmes prodhimeve të zonës dhe përmes turizmit.
Roshniku është një fshat i qetë dhe i pastër, që qëndron nën hijen e malit të Tomorit apo te këmbët e Tomorit. Ajri i pastër, ushqimi i mirë, vera cilësore e njerëzit punëtorë e të dashur e bëjnë Roshnikun një fshat shumë të vizituar në të gjitha stinët e vitit, veçanërisht nga turistët e huaj. I rrethuar me kodra të gjelbëruara, me pyje e shkëmbinj, lumenj, liqen e kanion, Roshniku paraqitet me pamje madhështore natyrore. Vizitorët përshkojnë fshatin, rrethinën dhe malin e Tomorit këmbë apo me mushka për të shijuar bukuritë magjepse të kësaj zone. Turistët, të cilët po shtohen nga viti në vit, në çdo kohë i presin restorantet, bujtinat dhe kantinat me ushqime tradicionale e me frute të zonës.
Këtu gjithçka është e veçantë, origjinale, e paprekur nga dora e zezë e njeriut. Nëse e ke vizituar Roshnikun njëherë, mezi pret të kthehesh te ai përsëri. Nëse nuk e ke vizituar, vrapo ta vizitosh!