Portreti/intervista

Ibish Neziri: In Memoriam për Atë Antonio Belushin, i cili u nda nga jeta më 20 qershor

In Memoriam për Atë Antonio Belushin, i cili u nda nga jeta më 20 qershor
SHEMBULLI MË I MIRË SE SI RUHET GJUHA, KULTURA TRADITA E KOMBIT DHE VETË KOMBI NGA HUMBJA E IDENTITETIT

Figurë ndër më madhoret mes arbëreshëve të Kalabrisë, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi
në fushën e shkencave shoqërore. Prift, etnolog e studiues dhe botues që emrin e tij e ngriti
përmes punës së palodhshme dhe përpjekjeve të tij të pandalura për studimin, ruajtjen e e
kultivimin e kulturës arbëreshe, jo vetëm të Italisë, por edhe të arbëreshëve (arvanitasëve) të
Greqisë, si pjesë e pandashme e kulturës shqiptare.
Kontaktin e parë të drejtëpërdejtë me një figurë të shquar arbëreshe, pas takimeve sa për një
përshëndetje a autogram me poetin e mirënjohur Vorea Ujko dhe me Kate Xukaron, në
Mitingun e përvjetshëm të Poezisë, e pata në verën e vitit 1979 në Frankfurt me arbëreshin e
Çiftit Prof. Dr. Vincenxo Golletti – Baffa, i cili atë verë m’i dhuroi katër numra të gazetës
“Katundi ynë” dhe libërthin “Alfabeti shqip i Programuar” e shumë vjet më më vonë edhe
disa dorëshkrime tjera, të cilat që të gjitha së bashku i ruaj me shumë kujdes.
Në marsin e vitit 1994 në një simpozium për Aleksandër Moisiun, në Lugano të Zvicrës e
takova arbëreshin tjetër të madh, Atë Antonio Belushin, i cili edhe më mori një prononcim të
shkurtër për gjendjen në Kosovë, pasi nuk kishte shumë kohë që isha arratisur nga Kosova në
Zvicër. Derisa bisedonim, me të më pat thënë: “Me juve gazetarët nga Kosova nuk po
pajtohem me një gjë”… -Po cila është ajo gjë, Atë Belushi, e pyeta. Pse shkruani apo thuani
“serbo-çetniko-fashisto-komunisto ortodoks, kur flisni për serbët”, derisa mjafton të thuhet
vetëm serb, ngase sot emri serb është bërë sinonim i të gjitha të këqiave edhe pa ato fjalët
tjera? Nuk më la hapësirë për përgjigje, prandaj edhe mbeta duke e shikuar. Mënyra se si m’i
tha ato fjalë, ishte mjaft mbresëlënëse. Nuk kisha si ta kundërshtoja, prandaj edhe heshta. Kur
thirrën për të vazhduar seancën tjetër të simpoziumit, nga një çantë bukur e madhe që e
mbante të varur në krah i nxori disa numra të gazetës “Lidhja” dhe m’i dhuroi. Një dhuratë aq
e mirë dhe e dashur sa edhe katër numrat e gazetës Katundi ynë”, që m’i pat dhuruar 15 vjet më
parë Vincenxo Golletti – Baffa.
Herën tjetër, Atë Belushin e takova në suaza të një simpoziumi tjetër në Zvicër, të cilin e kishte
organizuar Departamenti apo Ministria e Mërgatës, nuk më kujtohet mirë.
Më duket, një ditë pas simpoziumit, miku im Avni Dehari, më telefonoi dhe më pyeti nëse Atë
Belushi mund të qëndronte tek unë për disa ditë, dhe, natyrisht, se do ta prisnim me shumë
kënaqësi. Për neve ishte privilegj e nder ta prisnim Atë Belushin në shtëpi, por frikohesha se
nuk do të mund ta prisja si doja e si duhej.
Tani më nuk e di nëse e solli Avniu apo dikush tjetër tek unë në Buchs. Të gjithë e pritëm me
dashuri e me respekt. Edhe Shpendi e Iliri, të cilët nuk kishin më shumë se 8 e tjetri 10
vjet, dhe ishin të vegjël për ta kuptuar se kush ishte Xhaxhi Belushi, si i thonin.
Shumë shpejt u liruan me të dhe u miqësuan me njëri tjetrin.
Ai luante dhe këndonte me ta. Nganjë herë iu thonte:
“Ujë për krimba
Verë për gjak,
Raki për burrë”

Një raki rrushi për xhaxhin Belushi” dhe Shpendi vraponte te frigoriferi a te dollapët për të gjetur ndonjë shishe raki. Jo rrallë i ulte Shpendin dhe Ilirin në të djathtë dhe në të majtë dhe ua këndonte këngët
arbëreshe, duke i nxitur edhe ata që t’i ndihmonin, me qëllim që t’ua mësonte ato këngë.
Pas disa ditësh iku. Unë dhe, tani i ndjeri Agron Bejrami, e përcollëm deri në Zofingen nga ku
duhej të nisej me autobus për në në Frasnitë.
Kur u ktheva në shtëpi, Shpendin dhe Ilirin i gjeta të mërzitur, sigurisht nga ikja e Xhaxhi
Belushit.
-“A shkoi?” – më pyetën.
-Po, u thash, -shkoi.
-A vjen prap Xhaxhi Belushi te ne?, përsëri më pyetën dhe unë u thashë, gjithësesi se do të vijë,
U gëzuan dhe duke ikur në dhomën e tyre thanë: “Le të vij se ne e duam Xhaxhi Belushin”.
Atë Belushi me të arritur në Frasnitë më telefonoi të më njoftonte se rruga kishte shkuar shumë
mirë dhe për të më falenderuar për mikëpritjen.
Pas atij qëndrimi te ne, dëgjoheshim herë pas here përmes telefonit dhe asnjëherë nuk
harronte të më pyeste për fëmijët me emër se si janë dhe si shkojnë me mësime, por edhe
asnjëherë nuk harronte të më thonte t’i merrja fëmijët dhe të shkoja në Frasnitë.
Vitet iknin njëri pas tjetrit. Telefonatat vazhdonin, por jo shpesh si më parë. Atë Belushi erdhi
edhe dy apo tri herë në Zvicër për pak kohë dhe sa herë erdhi më thirri që të takohemi dhe ne
takoheshim, qoftë edhe për një kafe. Nuk u kthye herë tjetër tek ne, në shtëpi, ngase dukej
sikur ngutej që të kthehej sa më shpejtë në Frasnitë.
Takimin e fundit e patëm me të në restorantin “Möwenpick” në Würenlos të Zvicrës. Ishte në
të kthyer nga një veprimtari në Gjermani dhe nuk donte të kalonte nëpër Zvicër pa më takuar.
Kur u ndamë, më tha: “Ende nuk keni qenë te unë. Unë ju pres”!
Na prit, i thash dhe u ndamë me këto fjalë.
Kaluan vite tjera, deri sa vitin e kaluar Shpendi më njoftoi se ka rezervuar katër vende në
Vakaricën Arbëreshe, në shtëpinë e Familjes Skurra. Sa ma përmendi emrin Skurra,
menjëherë mendja më vajti te Dedë Skurra, ushtar besnik i Gjergj Kastriotit. Do të shkojmë te
Xhaxhi Belushi më tha, dhe pas pak ditësh shkuam.
Për të arritur në Vakaricë duhej të kalonim përmes Cosmo Albanezes apo Strigarit të poetit të
madh arbëresh Zef Serembe. Deri sa kalonim përmes qendrës, sikur vet i gjallë të ishte, në një
piedestal, i derdhur në broz na priti Zef Serembe. Ndjenja e takimit me Seremben as që mund
të përshkruhet.
Pas dy tri kthesash bukur të thekshme dhe pas pak minutash u ndalem para shtëpisë ku do të
rrinim.
Të nesërmën e mora në telefon Atë Bellushin. Nga përgjigja m’u duk paksa i lodhur, por, posa
thash emrin tim dhe i thash se gjendem në Klabri dhe dua ta vizitoj, sikur iu gjallërua
zëri. Më pyeti nëse kam shkuar vetëm apo me çunat. Me çunat, me çunat, – i thash. -“Eh,
çunat u bënë trima e unë u pjaka”; më tha dhe ma diktoi adresën.
Të nesërmën më 8 prill, rreth orës 14.00 i mëshuam zilës. Derën na e hapi motra Katerinë, dhe
na priu për në dhomën e pritjes. Që të dy, vëlla e motër na pritën me përzemërsi, ndërkaq për
të na gostitur me kafe nguli këmbë fort Atë Belushi, duke u arsyetuar se “nuk lejon kanuja për
të dalur pa kafe”. Biseda rridhte e qetë dhe e këndshme. Interesohej për çdo gjë që kishte të
bënte me neve, por edhe me Kosovën dhe mërgatën shqiptare në Zvicër, për të cilën shprehte
respekt. U interesua edhe për Shpendin dhe Ilirin dhe bisedonte herë me njërin e herë me
tjetrin. Iu rrëfente tregime arbëreshe dhe bashkë me motrën Katerinë edhe kënduan këngë
arbëreshe, sikur atëherë në vitin 1994 kur Shpendi përpiqej t’ia mbante “ison”. Përsëri, pas

shumë vjetësh Shpendi, Iliri, unë dhe ime shoqe i dëgjuam këngët arbëreshe: “Moj e bukura
More” dhe këngën për “Konstantinin e Jurentinen. Edhe një herë i dëgjuam këto këngë, por
këtë herë jo vetëm nga At Bellushi. Ai shoqërohej edhe nga e motra, por edhe nga Shpendi, i
cili Xhaxhi Bellushit i tregoi se pasi është rritur, i ka dëgjuar në youtube dhe i ka mësuar ato
këngë. Koha ecte shpejt dhe ne duhej të iknim, por, ikja as nuk ishte e thjeshtë e as nuk ishte e
lehtë, ngase biseda zgjatej e zgjatej, përmes sjelljes së kujtimeve nga udhëtimet e shumta që i
kishte bërë gjatë jetës së tij edhe në Shqipëri, Kosovë, në More dhe në Greqi ku kishte bërë
studime të rëndësishme për arvanitasit bashkë me arvanitasin e madh Aristidh Kolja, pastaj në
SHBA, në Zvicër e gjetiu ku kishte marrë pjesë në veprimtari të ndryshme kombëtare.
Tregonte kujtimet e tij për vizitat e para në Kosovë dhe pjesëmarrjen në Seminarin për gjuhën,
letërsinë e kulturën shqiptare në Prishtinë. Fliste me shumë admirim edhe për Ushtrinë
Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmin e Adem Jasharit.
Pastaj na priu për në dhomën e punës, një dhomë përplot libra, gazeta e kaseta dhe disa
fotografi e ëmblema të ndryshme te karakterit kombëtar, të varura në mur, të cilave nuk
munda t’ua kushtoja vëmendjen e duhur ngase doja ta dëgjoja çdo fjalë të Atë Belushit. Dhe, në
fund biblioteka, një bibliotekë e jashtëzakonshme. Edhe pse pak a shumë dukej i lodhur, Atë
Belushi nuk rreshte së shpjeguari. E merrte një libër në dorë dhe fliste për të, pa përtuar fare.
Bibliotekë që impononte respekt bashkë me themeluesin.
Kur kërkuam leje për të ikur, përsëri na tha, pritni, pritni! dhe na ktheu në dhomën e punës.
Këto, më tha, janë për juve, dhe ato ishin: koleksioni i gazetës “Lidhja” nga numri 1, i botuar
në vitin 1980 deri te numri i fundit, 60, i botuar në vitin 2015, i lidhur në 4 vëllime si dhe
librat e shkruara nga ai, “RICERCHE E STUDI TRA GLI ARBERORI DELL ELADA”, “LA
BIBLIOTEKA ARBËRESHE BIZANTINA”, A. BELLUSCI GLI ARBERORI-
ARVANITI UN POPOLO INVISIBILE”, “ANTOLOGJI ARBËRESHE”, “ANTOLOGIA
ARBËRESHE”, “ETNOLOGIA E ANTROPOLOGIA A FRASCINETO NEL”,
“RRUGËTIMI I NJË ARBËRESHI”, “ETNIA RITO-LINGUA SOVRANITA SPIRITUALE
DELL ARBERIA BIZANTINA”, të vëllait Tomaso Belushi, që bëjnë gjithsejt 11 tituj.
U përshëndetem dhe në të ndarë e falenderuam njëri – tjetrin, ne, për pritjen e dhuratat, kurse Atë
Belushi për vizitën.
Kur ia dhash dorën e ndjeva se ky ishte takimi ynë i fundit. Ai edhe pak kohë do t’i bënte 90
vjet, kurse për mua Kalabria ishte mjaft larg.
Në këtë vizitë mora dhuratat më të mira që mund t’i merr një njeri, kujtimin nga një pritje
shumë e përzemërt e Atë Belushit dhe e motrës Katerinë dhe katër vëllimet e gazetës “Lidhja”
dhe 10 titujt e librave të Atë Belushit e një të vëllait të tij Tomasos, që sot e zbukurojnë
bibliotekën time modeste.
Ndjenja ime doli. Pa kaluar një vit e gjysmë nga takimi ynë i fundit, lajmi se Atë Belushi u nda
nga jeta, jehoi pikëllueshëm, jo se nuk pritej, por për arsyen se ai e la një zbrazëtirë të madhe
që është vështirë të mbushet jo vetëm tek arbëreshët në Itali, por edhe tek arvanitasit në Greqi
dhe te shqiptarët në përgjithësi. Ai qe dhe mbeti shembull se si duhet atdheu dhe si ruhet
kombi, se si mbrohet përmes penës e drejta për jetë e liri. Ai u bë simbol i studjuesit e
atdhetarit të paepur, krahas arbëreshëve si Jeronim de Derada, Nikollë Keta e Zef Skiroi,
Dhimitër Kamarda, Gavrill Dara i Ri e Zef Serembe, si Samiu e Naimi dhe si Fan Noli e
shumë emra tjerë të nderuar nga historia, kutura e tradita shqiptare e arbëreshe.
Atë Belushi iku në amshim duke na lënë shembullin më të mirë se si i shërbehet kombit e
atdheut, kurse neve na mbetet ta ruajmë kujtimin për të!
I përjetshëm qoftë Kujtimi për Atë Antonio Belushin dhe veprën e tij!