Shtegtime nëpër Atdhe (CCXCVII)
ELBASANI – QYTETI “KËRTHIZË” E SHQIPËRISË QË NUK U BË KRYEQYTET
Elbasani është qendër e bashkisë, e rrethit, e qarkut dhe e prefekturës. Shtrihet në lartësi mbidetare 125 m. në “kërthizë” apo në mesin e Shqipërisë. Kufizohet me lumin Shkumbin, me përroin e Zaranikës, me fshatin Krastë dhe me kodrat me ullishta. Është dëshmuar që në mesin e shek. XVII Elbasani kishte rreth 2000 shtëpi dhe 900 dyqane, ndërsa sot ka rreth 130 mijë banorë, duke qenë njëri ndër katër qytetet më të mëdha të Shqipërisë.
Edhe në trevën e Elbasanit, që nga shek. II p.e.r., janë shtrirë vendbanimet e hershme ilire. Në këtë kohë Perandoria Romake ka ndërtuar rrugën e lashtë strategjike ushtarake “Egnatia”. Pas ndërtimit të rrugës është ndërtuar edhe një stacion kalimi, i quajtur Skampis (Castrum Scampinus), që shërbente për ta siguruar kalimin e rrugës. Pos stacion, Skampis shpejt ishte bërë edhe qendër urbane, ushtarake e peshkopale. Ndarja e Perandorisë Romake në dy pjesë ka ndikuar në rënien e ndjeshme të Skampisit si qendër tregtare, pasi edhe rruga “Egnatia” kishte humbur rëndësinë që kishte. Vetëm në shek. VI qyteti e ka marrë veten dhe është zhvilluar edhe jashtë mureve të kështjellës.
Nën sundimin osman Elbasani ka rënë në vitin 1466, duke u bërë edhe qendër e sanxhakut. Kur ushtria osmane ka pësuar disfatë të plotë në rrethimin e dytë të Krujës, Sulltan Mehmeti II dhe Ballaban Pasha, që ishin në krye të ushtrisë, në kthim e sipër e kanë pushtuar Elbasanin dhe për 25 ditë, me 150 mijë ushtarë e kanë rindërtuar kështjellën e vjetër ilire të tipit fushor, me qëllim të strehimit të një legjioni dhe për ta siguruar kalimin e sigurt në rrugën “Egnatia”. Në hyrje të kështjellës, mbi një pllakë guri, Sulltani ka lënë të shkruar këtë fjali në gjuhën osmane: “Ijl-Bassan es Sulltan, Ibni Sulltan Fahti Sulltan, Mehmet Han-i Han” (Vura dorë, unë sulltan bir sulltanësh, sulltan triumfues, Mehmeti mbret i madh). Nga fjala e parë e kësaj fjalie e mori emrin qyteti i Elbasanit. Duke mos u pajtuar fillimisht me këtë emër, për një kohë populli e quajti Elbasanin Qyteti i Ri. Në tekstet kishtare qyteti është hasur edhe me emrin Neokastron, ndërsa në dokumente italiane, me emrin Terranova dhe Çitanuova. Është interesant se vendi është pagëzuar nga tre perandorë; nga Diokleciani, perandor romak me prejardhje ilire, nga Justiniani I i Bizantit, me prejardhje ilire nga Bederiana e Llapit dhe nga Mehmet Fatihu, sulltan i Perandorisë Osmane.
Nga kështjella e vjetër 2000-vjeçare, që gjendet në qendër të qytetit, sot ka mbetur një pjesë e murit, porta jugore dhe tetë kullat e saj. Kështjella, bashkë me monumentet kulturore e historike që gjenden brenda saj, paraqet pikën më të rëndësishme turistike të Elbasanit. Nga monumentet kulturore, historike e turistike të Elbasanit dallojmë Kullën e Sahatit, e lartë 30 metra, që është ndërtuar në vitin 1899 pranë mureve të kështjellës.
Qyteti i Elbasanit ka qenë një vatër e rëndësishme e luftës për liri. Ishte qyteti i parë në Shqipëri që e ka ngritur flamurin kombëtar, më 25 nëntor 1912, ndërsa nga pushtuesit nazistë është çliruar më 11 nëntor 1944.
Elbasani njihet edhe si qendër e rëndësishme e arsimit e kulturës. Bugomili (Anonimi i Elbasanit) e Dhaskal Todri kanë punuar për përhapjen e gjuhës e të shkrimit shqip, ndërsa rilindësi Konstandin Kristoforidhi, baba i gjuhës shqipe, ka hartuar abetaren shqipe, Dhjatën e Re në dy dialektet tona, fjalorin e gjuhës shqipe dhe gramatikën e gjuhës shqipe. Kongresi i Elbasanit i vitit 1909 vendosi hapjen e shkollës së parë të mesme, Shkollën Normale të Elbasanit (1 dhjetor 1909). Fillimisht kjo shkollë kishte 111 nxënës, ndërsa pas dy muaj janë bërë 140 nxënës, 70 prej të cilëve i kishte dërguar nga Kosova atdhetari i madh, Hasan Prishtina. Mirëpo, pas përfundimit të vitit të parë, Shkolla Normale është mbyllur nga pushtuesit osmanë dhe është rihapur më 22 nëntor 1918 nga austriakët. Sot në Elbasan funksionojnë një varg institucionesh të arsimit të të gjitha niveleve, duke përfshirë edhe universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Qyteti i Elbasanit ka teatrin më të vjetër në Shqipëri, teatrin “Skampa”, i hapur në vitin 1938. Biblioteka e Qytetit ka mbi 200 mijë libra, me kontribut edhe të familjes Baholli. Pos Muzeut Etnografik dhe muzeut të Shkollës Normale, në Elbasan ndodhen edhe shtëpitë – muze të Konstandin Kristoforidhit dhe të Aleksandër Xhuvanit. Stadiumi i futbollit i Elbasanit është rindërtuar në vitin 2014 sipas standardeve evropiane e botërore të UEFA-s dhe FIFA-s.
Elbasani ishte një qytet industrial, ku është ndërtuar Kombinati Metalurgjik, ndër kombinatet më të mëdha metalurgjike në Evropë, ku prodhohej hekuri e ferro-kromi. Mirëpo, edhe ky kombinati gjigant nuk funksionon si tërësi, një pjesë të tij është privatizuar nga një kompani turke.
“Dita e Verës”, festë pagane që kremtohet më 14 mars, kryeqendër e ka qytetin e Elbasanit. Kremtimi i “Ditës së Verës” e ka zanafillën nga faltorja “Zana e Çermenikës”, perëndeshë e gjuetisë, pyjeve dhe natyrës. Sipas gojëdhënës kjo zanë dilte nga faltorja e vet për çdo 14 mars dhe lajmëronte ardhjen e verës. Kjo festë e lashtë, e trashëguar brez pas brezi, sot kremtohet si festë kombëtare në R. e Shqipërisë me gara sportive, panaire, koncerte, ekspozita, parada… Simbol i kësaj feste është një ëmbëlsirë që gatuhet vetëm në Elbasan, e quajtur Ballokume.
Qyteti i Elbasanit është quajtur “Qyteti i Luleve”, “Qyteti i Poezisë”, “Qyteti i Metalurgjisë” etj. Sami Frashëri e ka quajtur “Kërthizë e Shqipërisë”, ndërsa Evlia Çelebia e ka quajtur “Nusja e Shqipërisë”. “Nuse të Shqipërisë” Elbasanin e bëjnë shumë manifestime kulturore, sportive, siç janë: “Maratona Rinore”, “Maratona Kombëtare e Këngës Popullore Qytetare”, “Akademia e Yjeve”, Festivali i filmit për fëmijë, Festivali ndërkombëtar i teatrit “Skampa”, Festivali ndërkombëtar poetik “Trëndafilat e Elbasanit”, Dita e Bio-Turizmit, disa panaire etj. Bartës të këtyre veprimtarive janë banda frymore “Afërdita” (e themeluar në vitin 1917), ansambli artistik “Elbafolk”, Klubi i Shkrimtarëve “Konstandin Kristoforidhi” e shumë shoqëri tjera. Qysh në mesjetë Elbasani njihej për artin postbizantin, i përfaqësuar nga piktorët e njohur, Onufri i Neokastrës (Elbasanit), Konstandin Shpataraku etj.
Shumë lehtë Elbasani mund të bëhej kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1920. Këtë mundësi e ka përmendur edhe Edit Durhami në vitin 1910, kur ka thënë: “Pozita e tij, në qendër të vendit, do të ishte ideale për kryeqytet”. Këtë mendim e ka shfaqur edhe gjuhëtari Gustav Veigand në vitin 1913. Ismail Qemali, më 8 nëntor 1912, në intervistën për një gazetë vjeneze, ka thënë: “Kryeqytet i Shqipërisë mund të ishte Elbasani për shkak të pozitës së tij qendrore…” Ndërsa Aqif Pashë Elbasani kishte kërkuar nga Ismail Qemali që Elbasani të bëhej kryeqytet i Shqipërisë. Që nga shpallja e pavarësisë, në vitin 1912 e deri në Kongresin e Lushnjës, në vitin 1920, Elbasani është përmendur për t’u bërë kryeqytet i Shqipërisë.
Qyteti i Elbasanit, me rrethinën e tij, ka pasuri të shumta natyrore, historike e turistike, duke filluar nga kështjella, që është më e madhja e tillë në Shqipëri. Brenda kështjellës ndodhen monumente kulturore, duke përfshirë edhe objektet e vjetra të tri kulteve; xhamia, kisha ortodokse dhe kisha katolike. Rrapi i Bezistanit është monument natyre, ku ndodhen rrënojat e një bazilike paleokristiane e shek. V-VI.
Sa herë e kujtojmë Elbasanin na kujtohen këngët e bukura elbasanase, siç është kënga e popullarizuar “Elbasan i bukur, Elbasan”, “Vajta n’Elbasan” etj. Sepse Elbasani është çerdhe e këngës së bukur shqipe, por edhe qendër e kulturës, arsimit, ekonomisë.
add a comment