Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCXCVI) PEQINI – QYTETI I HISTORISË, I VARFËRISË DHE I GJELIT TË DETIT

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXCVI)
PEQINI – QYTETI I HISTORISË, I VARFËRISË DHE I GJELIT TË DETIT
Qyteti i Peqinit ndodhet në pjesën qendrore të Shqipërisë, në bregun e djathtë të lumit Shkumbin, midis qyteteve Elbasan (34 km) dhe Durrës (46 km). Derisa nën pushtimin osman ishte qendër e kazasë dhe e kadillëkut (gjyqësisë) sot është qendër e bashkisë dhe e rrethit, në përbërje të Qarkut të Elbasanit. Bashkia e Peqinit, një zonë fushore dhe kodrinore me gjashtë njësi administrative dhe 50 fshatra, shtrihet përgjatë rrugës antike “Egnatia” dhe rrugës së sotme nacionale Durrës – Elbasan.
Klodiana, Biklineti, Peklini ose Peqini është vendbanim i lashtë ilir, i cili dallohet për vlerat e tij historike. Në Shqipëri është ndër qytetet më të vjetra, i njohur në antikitet me emrin Klodiana (Claudiana). Komandanti romak, Ap Klaudi, në vitin 150 p.e.r. vendosi garnizonin e tij në Peqinin e sotëm ndaj, për nder të tij, vendi mori emrin Klodiana. Në vitin 1431 emri i qytetit njihet si Biklinet ose Beklejem, më vonë e ka marrë formën Peklin e nga viti 1600 e këtej e mbanë emrin e tashëm, Peqin.
Për qytetin e Peqinit kanë shkruar Straboni e Polibi, njihet edhe përshkrimi i qytetit nga një murg francez, i cili në rrugë për Jerusalem, në vitin 333, ka bujtur në Klodianë. Sami Frashëri shkruan se Peqini është një qytet i vogël, qendër e kazasë në Sanxhakun e Elbasanit dhe në Vilajetin e Manastirit. Në vitin 1431, sipas regjistrimit osman, Beklejemi (Peqini) kishte 2600 banorë, ndërsa në vitin 1650, sipas Çelebiut, kishte 4000 banorë e në vitet 80-ta të shek. XIX ishte qytet i vogël (kasaba) me 1800 banorë, kur kishte edhe çarshi të vogël, dy xhami, një medrese, një teqe dhe kullën e sahatit. Peqini përmendet në vitin 1569/1570 si “qytet i hapur” apo “varosh” i kështjellës së Peklinit, kur kishte 155 familje.
Themelimi i qytetit, si një qendër e vogël administrative dhe ushtarake, është bërë në kohën e sundimit osman në shek. XVI. E kaluara mesjetare e qytetit nuk mund të pasqyrohet pa monumentet historike e kulturore, siç janë kështjella, xhamia dhe kulla e sahatit. Në vitin 1450 mbi themelet e kështjellës antike nga koha romake është rindërtuar kështjella e Peqinit. Në këtë kështjellë ndodhej xhamia më e vjetër në Shqipëri ku, siç thuhet, është ruajtur kutia me fijen e flokut të profetit Muhamet. Për shkak të kësaj kutie, deri në vitin 1967, kur kutia ka humbur, xhamia e Peqinit ishte vizituar nga shumë besimtarë të krahinave të ndryshme shqiptare.
Gjatë mesjetës, pos një qendre të rëndësishme tregtare e zejtare, ishte edhe qendër e Abdurrahman Pashë Peqinit, i cili në këtë qytet ka ndërtuar një xhami dhe sarajet e veta. Ky pasha shqiptar, në shërbim të sulltanëve osmanë, ishte pushtues i Kandias, pastaj guvernator i Egjiptit, i Bagdadit, i Bosnjës, i Halepit, prijës i jeniçerëve gjatë sundimit të Sulltan Mehmetit IV, dy herë guvernator i Budës në Hungari, ku edhe është vrarë në vitin 1686.
Në gjysmën e dytë të shek. XVIII Peqini ishte bërë shkaktar dhe arenë e grindjeve e mosmarrëveshjeve mes Ali Pashë Tepelenës, Bushatlinjve të Shkodrës dhe Kurt Ahmet Pashës së Beratit, pasi qyteti ndodhej në vendin ku takoheshin ndikimet dhe interesat e pashallarëve.
Historia e qytetit të lashtë të Peqinit fillon me ndërtimin e kështjellës në shek. XV bri Shkumbinit. Kështjella mesjetare e Peqinit është e ndërtuar mbi themelet e një kështjelle të kohës romake, atëherë kur është ndërtuar edhe rruga “Egnatia”. Sipas Çelebiut gjatë udhëtimit të tij të vitit 1670, kështjella ishte ndërtuar për ta siguruar rrugën, që rrezikohej nga kryengritësit shqiptarë. Sipas tij, kështjella ka mure 12 metra të larta, e brenda saj qëndron dizdari me 70 ushtarë, ku gjenden pesë topa dhe ka 30 shtëpi të vogla, një xhami pa minare etj. Rreth e rrotull kështjellës ishte qyteti i hapur (varoshi), që kishte 400 shtëpi me katër xhami, shtatë mesxhide, tri medrese, dy teqe dhe pesë mejtepe.
Pas shpalljes së pavarësisë, shtetet fqinje i kishin shpallë luftë popullit shqiptar për t’ia grabitur tokat ne tij. Në Peqin zhvillohet një rezistencë e fuqishme ndaj ushtrisë serbe, e cila po kryente masakra në bodrumet e kështjellës së qytetit. Sidomos njihet akti heroik i gruas nga zona e Peqinit, Xheme Gramshi, e cila e vetme kishte vrarë tre ushtarë serbë. Mbi 300 vullnetarë nga Peqini (taborri i Peqinit) e mbrojtën Shkodrën nga ushtria e Malit të Zi në vitin 1913. Vullnetarët peqinas dolën hapur dhe u ndeshën edhe me Esat Pashën, i cili po ua dorëzonte Shkodrën malazezëve.
Derisa në antikë kështjella Klodiana ishte ndalesa e parë e rrugës “Egnatia” dhe një pikë pushimi apo transiti, që shërbente për ta mbrojtur rrugën, pas pushtimit osman, 1000 vjet më vonë, kështjella është rindërtuar me të njëjtin qëllim strategjik, sigurimin e rrugës që lidhte perëndimin e lindjen. Edhe sot nëpër Peqin përshkon rruga nacionale dhe Korridori 8, që fillon në Durrës drejt Elbasanit, Qafë-Thanës, Korçës e tutje.
Peqini shtrihet në një zonë tipike bujqësore e blegtorale. Zona e Peqinit është e njohur për vreshtari, për kultivimin e ullirit, të perimeve në sera dhe veçanërisht për rritjen e gjelit të detit. Ulliri i Peqinit, që ka origjinën nga lashtësia, pasi për vlerat ushqyese zë vendin e parë në Shqipëri e Mesdhe.
Në Peqin organizohet panairi unik i gjelit të detit. Në këtë qytet dhe në tërë Shqipërinë kremtja e Vitit të Ri nuk festohet pa gjelin e detit në tavolinë, ndërsa çdo fundvit Peqini e furnizon tërë vendin me gjeldeti. Figura e këtij shpendi shtëpiak tashmë është bërë simbol i qytetit, madje duke e vendosur figurën e tij në qendër të qytetit, pranë kullës së sahatit. Thuhet se figura e gjeldetit në kështjellë e ka rritur numrin e turistëve në qytet.
Gjatë 10 viteve të fundit Peqini ka pësuar një braktisje të madhe, pasi qytetin e ka braktisur një pjesë e madhe e popullsisë, veçanërisht e rinisë. Derisa para disa viteve qyteti kishte rreth 13 mijë banorë, sot ky numër është përgjysmuar. Pas vitit 1990 është shkatërruar ekonomia, është shtuar papunësia, kanë munguar investimet… Kështu, qyteti ka mbetur pa gjallëri dhe ka mbetur në varfëri.
Qyteti i Peqinit po vizitohet gjithnjë e më shumë nga turistë të huaj për ta shijuar natyrën e bukur dhe trashëgiminë e pasur kulturore e historike. Sepse, është qytet i vjetër, i vogël e simpatik, që ka njerëz bujarë, të urtë e punëtorë.