Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXXIX)
SHIJAKU – QYTETI I PARË I RINDËRTUAR PAS TËRMETIT
E keni dëgjuar këngën dikur shumë të popullarizuar “Te Ura e Shijakut mblodha ca bajama…”? Sepse, nëpër Shijak përshkon lumi Erzen, dy brigjet e të cilit i bashkon ura e vjetër dhe e njohur e Shijakut. Lumi Erzen (Argentarum) është lumi që e ndanë Shijakun në dy pjesë.
Dhe, Shijaku është një qytet i vogël në qarkun e Durrësit, Shqipëria e mesme, qytet mes Durrësit e Tiranës, qendër e bashkisë, e ndodhur mbi një kodrinë, 30 metra të lartë, të një zone fushore përgjatë lumit Erzen. Gjendet vetëm 10 km nga qyteti i Durrësit dhe 30 km larg Tiranës.
Shijaku është një vendbanim i hershëm i fisit të taulantëve, është njëri ndër vendbanimet më të afërme të Durrësit pas themelimit të tij në vitin 627 p.e.r. Në afërsi të fshatit Sallmone, në bregun e lumit Erzen dhe përgjatë rrugës Dyrrachium – Lissus, është gjetur “guri unik militar”, që i përket epokës së paleolitit. Emri i qytetit rrjedhë nga emri i kishës mesjetare të Shën Jakut nga shek. XV (Shën Jak, Shenjak, Shejak, Shinjak, Shijak). Përmendet në regjistrin kadastral osman të vitit 1431 – 1432. Në shek. XV Shijaku ishte i regjistruar si pjesë e timarit të Skurrjes të sanxhakut të Shqipërisë. Në kohën më të re, në vitin 1880, ky qytet rithemelohet, fillimisht si fshat me tri lagje, ku ishin hapur edhe lokale publike, si hani, furra e bukës, kafeneja, xhamia etj. Dhe, këtë vit qyteti kishte marrë statusin e kazasë (nënprefekturës) që përfshinte 64 fshatra.
Më shumë se një qyteti, Shijaku i përngjante një fshati të madh. Pas vitit 1880 në afërsi të Shijakut, në fshatrat Koxhas dhe Borake, është vendosur një popullsi boshnjake, ndërsa më vonë, si një qendër e rëndësishme, ka tërhequr popullsi edhe nga Tirana, Kruja e Shëngjergji. Pamjen e një qyteti e ka marrë rreth viteve 30-ta të shek. të kaluar, ndërsa në vitet 40-ta kishte 216 shtëpi me 1352 banorë. Pas çlirimit numri i popullsisë ishte dhjetëfishuar. Sot Shijaku ka rreth 13 deri 15 mijë banorë. Shumë familje nga veriu i vendit janë vendosur në Shijak dhe rrethinë.
Shijaku ka klimë mesdhetare, me dimër të ftohtë e të lagësht e me verë të nxehtë e të thatë. Popullsia e rrethinës është marrë kryesisht me bujqësi e blegtori, e orientuar kryesisht në prodhimin e drithërave të bukës, të perimeve, të pemëtarisë, të bimëve industriale dhe në rritjen e bagëtive. Dikur kishte disa ndërmarrje e reparte industriale, të cilat më nuk ekzistojnë, ndërsa sot ka lulëzuar ekonomia e vogël (biznesi) private.
Një karakteristikë e Shijakut është përdorimi i drogës më shumë se në qytetet tjera. Madje, këtu viteve të kaluara ka ekzistuar një qendër për shërimin e personave të droguar.
Qyteti i Shijakut është ndër tri vendbanimet që kanë pësuar më së shumti nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019. Për shkak të dëmtimit nga tërmeti janë prishur 30 pallate të banimit, katër objekte të shkollave, pallati i kulturës, xhamia e qytetit etj. Qyteti i Shijakut pas tërmetit kishte marrë një pamje të trishtueshme. Mirëpo, mund të thuhet se Shijaku shumë shpejt e ka marrë veten, duke u rindërtuar i tëri dhe duke e marrë një pamje të re. Pas tërmetit Shijaku ishte kthyer në një kantier ndërtimi. Janë ndërtuar 802 shtëpi private, katër kopshte, dy shkolla, 31 pallate të reja banimi dhe janë rikonstruktuar 27 pallate tjera. Rreth 90 për qind të pallateve janë ndërtuar nga e para.
Shijaku i ka dhënë shumë arsimit dhe kulturës shqiptare, duke nxjerrë shumë personalitete të kulturës dhe historisë. Sot arsimi i Shijakut përbëhet nga një çerdhe e dy kopshte për fëmijë, nga tri shkolla 9-vjeçare dhe një shkollë e mesme e përgjithshme – gjimnaz. Qyteti ka Qendër të Kulturës, e vendosur në Pallatin e Kulturës, ku ndodhen edhe biblioteka, muzeu historik dhe salla e madhe me 570 vende. Nga shëndetësia funksionon një spital dhe një poliklinikë. Gjithashtu, Shijaku ka edhe traditë të zhvilluar sportive, me stadiumin e futbollit, klubin e sporteve “Erzeni”, që ka në përbërje ekipet e futbollit e të volejbollit.
Banorët e Shijakut janë njerëz bujarë e punëtorë, trima e besnikë, atdhetarë të devotshëm. Gjatë një vizite të Nolit të madh në Shijak, ai ka thënë: ”Ju e dini se unë kam shumë simpati për shijakasit dhe ju jap fjalën që do të vij në Shijak së bashku me Bajram Begun”. Kurse tribuni popullor, Bajram Curri, për Shijakun, ka deklaruar: “Shijaku, me të drejtë, mund të quhet Malësia e Madhe e Shqypnisë së Mesme”.
Sot Shijaku paraqitet si një qytet i ri bashkëkohor dhe si një vend interesant turistik. Shijaku është një qytet simpatik, që ia vlen të vizitohet, jo vetëm njëherë.
add a comment