Shqipëria/Aktualitet

Bislim Elshani: Alma, Sindromi i Medeas dhe gjarpërinjtë (Lament për një tragjedi familjare)

Alma, Sindromi i Medeas dhe gjarpërinjtë
(Lament për një tragjedi familjare)
Është e papërfytyrueshme se si janë ndjerë dhe si kanë reaguar të tre fëmijët, dy motrat më të mëdha (8/9 vjeçe) dhe vëllai i tyre i vogël (3-vjeç), secili veç e veç, nga më i vogli dhe deri te më e madhja, përpara se t’i hidhte ose t’i tërhiqte pas vetes, njërën pas tjetrës ose të tri përnjëherësh, nga ura e Bunës drejt valëve të turbullta të këtij lumi pas shirave të vazhdueshme të disa ditëve më parë. Modeli i parë i krahasimit që më erdhi ndërmend ishte grupi i shquar skulptural i Laokoontit nga Muzeu i Vatikanit që para disa vitesh më pati detyruar të qëndroja i ngrirë për shumë minuta duke e soditur dhimbjen e trefishtë.
Sa herë që ndodh një vrasje fëmijësh nga e ëma, personazhi klasik që i vjen në mendje secilit vrojtues të kualifikuar, dhe sidomos psikologëve, është Medea e Euripidit, që vrau dy të bijtë si hakmarrje ndaj të shoqit, Jasonit, që e tradhtoi me një femër tjetër. Si pasojë, vrasjet e tilla edhe sot cilësohen si “Sindromi i Medeas”. Vrasja e dy fëmijëve të vegjël, që disa piktorë i paraqesin si foshnja, e disa të tjerë si djem disavjeçarë, ndërsa të ëmën në formën standarde të gruas së hakërruar nga ndjenja e hakmarrjes me thikën në dorë, ka shërbyer për interpretime të ndryshme që nga vetë Euripidi, i cili duke dashur t’i shmangej të vërtetës lakuriqe të hakmarrjes si një motiv të mjaftueshëm, ka futur në mes edhe një arsye të pabesueshme logjike, sikur ajo e bëri aktin sepse e dinte që gjithsesi fëmijët e saj do të vdisnin nga (fare)fisi i gruas së re të Jasonit për hakmarrje ndaj Medeas që e helmoi atë vetë me të jatin. Për më tepër, Euripidi futi atëbotë edhe një argument tjetër interpretues që ka të bëjë me dallimet kulturore, aq të përhapur sot në mentalitetet nacionaliste ballkanike, se vetëm një grua “barbare” e jogreke si Medea mund të realizonte një vepër të tillë makabre si vrasja e fëmijëve të vet. Në traditën shqiptare është e njohur ndërkaq edhe drama e Hajries nga Kolë Jakova, ku e ëma vret fëmijën në djep për hakmarrje ndaj të shoqit që ia tradhtoi vëllezërit duke shkaktuar vdekjen e tyre. Mirëpo vrasja e fëmijëve për hakmarrje ndaj partnerit, si nga femrat, ashtu dhe nga meshkujt, është një fenomen i përhapur në gjithë botën, pavarësisht nga dallimet raciale, etnike e kulturore.
Ndoshta pamja e dhimbshme dhe mizore e tragjedisë mbi lumin Buna vërtetë do të shtyjë ndonjë artist shqiptar ta gdhendë përjetësisht në gur këtë ngjarje tragjike, që t’i përkujtojë të gjithë shqiptarët, madje të gjithë botën, mbi qorrsokakun në të cilin mund të hidhet individi i sotëm, pa shtegdalje, as për veten, dhe as për fëmijët. Gjarpërinjtë e sotëm të nënës me tre fëmijë që më erdhën në mendje si motiv i përshtatshëm që do të përshkruante errësirën mendore të gruas, s’mund të jenë veçse alegorikë. Po a nuk janë të tillë edhe ata të Laokoontit dhe të shumë pikturave të Medeas? A janë vallë po ata gjarpërinj të mjerimit të kënduar dikur mjeshtërisht nga Migjeni? A janë gjarpërinj të shpërfilljes së sotme sociale të institucioneve të shtetit, që akoma edhe pas tre dekadash demokracie nuk janë kujtuar të ngrenë një strehë të fshehtë kolektive për femrat e rrezikuara? Apo janë gjarpërinj të neglizhencës së institicioneve përkatëse që nuk janë kujdesur me kohë, në rast se konstatohet se ajo grua ka pasur çrregullime serioze psikike deri në shkallë papërgjegjshmërie, për trajtimin e saj përkatës mjekësor psikoterapeutik? Përgjigja e saktë mbase nuk do të gjendet kurrë, por metafora e gjarpërinjve mund të mbetet i vetmi shpjegim i mundshëm. Dhe të gjitha fytyrat e këtij grupi tragjik s’mund të përfytyrohen dot, as artistikisht dhe as psikologjikisht ndryshe përveçse si viktima të gjarpërinjve të sotëm të shoqërive postmoderne me plagët e njëllojta si personazhet e tragjedive antike greke të Eskilit, Sofokliut dhe Euripidit!