Dhoma e Ulët e Parlamentit të Britanisë së Madhe ka miratuar sot një mocion për Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën të propozuar nga deputetja Alicia Kearns, me të cilën Britania mbështet integritetin territorial të Kosovës dhe dënon sulmin në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës. Ky mocion u propozua nga Kearns pas një debati që u zhvillua mbi sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
“Kërkoj që kjo Dhomë të lëvizë në njohjen e situatës akute të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, të mbështesë integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, të dënojë sulmin e militantëve nacionalistë serbë në Banjskë në Kosovë më 24 shtator 2023”, thuhet në mocionin e propozuar nga deputetja Kearns, i miratuar në Parlamentin britanik.
Në mocionin e miratuar kërkohet gjithashtu të mbështetet autoriteti i Gjykatës Kushtetuese në Bosnje dhe Hercegovinë dhe të dënohet ndërhyrja ruse në Ballkan.
Pas miratimit të mocionit, Kearns ka shkruan në “X”: “E kënaqur që Parlamenti sot njëzëri ra dakord me këtë mocion për Ballkanin Perëndimor”.
Deputetja Alicia Kearns në fjalimin e mbajtur gjatë debatit mbi sigurinë në Ballkanin Perëndimor në Parlamentin britanik, ka folur rreth sulmit në Banjskë, anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Asociacionin dhe kërcënimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
Kearns ka bërë të ditur se SHBA ka përfunduar një raport mbi përgjegjësit e sulmit në Banjskë, i cili ende nuk është publikuar. Ajo tha se ky raport duhet të publikohet për t’u ditur e vërteta rreth sulmit për të cilin përgjegjësinë e mori Milan Radojçiç, i kërkuar tashmë nga INTERPOL-i dhe i cili gjendet i lirë në Serbi.
Siç transmeton KP, deputetja britanike ka thënë se Kosova i ka përmbushur obligimet e saj demokratike dhe anëtarësimi i saj në Këshillin e Evropës do të shënonte një moment historik, teksa për formimin e Asociacionit të komunave serbe ka thënë se nuk mund të ketë një republikë tjetër serbe në Ballkan.
“Pavarësisht pengesave të vazhdueshme nga Rusia dhe Serbia, Kosova është në prag të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, me aplikimin e saj që këtë muaj kaloi në Komitetin e Ministrave për miratim. Anëtarësimi do të shënonte një moment historik jetik në përparimin e Kosovës në ditët e errëta të viteve 1990 dhe rrugëtimi i Kosovës është ai për të cilin ne kemi luajtur një rol të rëndësishëm dhe për të cilin të gjithë duhet të jemi krenarë. Megjithatë, ka nga ata ndërkombëtarë që kanë thënë se Kosova duhet të pranohet vetëm nëse krijon një asociacion të komunave serbe. Mbretëria e Bashkuar duhet ta refuzojë këtë me vendosmëri. Përderisa unë nuk dua një republikë tjetër të serbëve nga Ballkani Perëndimor, Asociacion i komunave me shumicë serbe do të krijohet si pjesë e dialogut Beograd-Prishtinë, por nuk mund të nxitohet dhe nuk mund të bëhet me presion të jashtëm”, ka thënë Kearns.
Ajo ka theksuar se Britania e Madhe duhet të merr një rol më aktiv në bisedimet e paqes dhe të angazhohet në pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin sovranitetin e Kosovës për të ndihmuar Kosovën drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.
j.l./ dita