TIRANË, 29 mars/ATSH/ Këshilli Bashkiak i Himarës zgjodhi sot Blerina Balën kryetare në detyrë të bashkisë së Himarës, në një mbledhje të dytë pas tensioneve që nuk mundësuan zhvillimin normal të mbledhjes paraditen e sotme.
Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Himarës, Blerina Bala u zgjodh me 15 vota pro dhe vetëm 4 kundër. Ky rezultat domethënës tregoi qartë shumicën legjitime të Këshillit Bashkiak.
Pas tërheqjes nga gara të Pervin Gjikuria, Këshilli vendosi që bashkia Himarë të drejtohet nga Blerina Bala.
Mbledhja nuk arriti të zhvillohej pasi banorë që mbështesin Fredi Belerin kundërshtuan prezencën e prefektit të Vlorës Vangjel Tavos.
Policia ndërhyri për të parandaluar përplasjen deri dhe fizike nga mbështetësit e Belerit. Tavo u largua nga mjediset e bashkisë së bashku me drejtuesin politik të PS-së në qarkun Vlorë, Blendi Klosi dhe kryetarin e qarkut Ervis Moçka.
Këshilli i Bashkisë së Himarës përbëhet nga 21 anëtarë, 9 nga PS, 7 PD ndërsa 5 anëtarë të tjerë nga parti të vogla. Sipas ligjit, me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen zv. kryetari i bashkisë. Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.
Ndërkaq, për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme në Himarë pritet vendimi përfundimtar i Apelit të Posaçëm për kryebashkiakun e zgjedhur Fredi Beleri.