Ekonomi

Dr. Izet Ibrahimi: TREPÇA QË NDANË E BASHKONË KOSOVËN

Në kohën kur Trepça është e sulmuar politikisht e etnikisht, ajo përmes menaxhmentit serb në Veri dhe atij shqiptar në Jug, jo vetëm që po vazhdon me degradimin e aktiviteteve minerare, të cilat kanë rënë në nivelin e një gërmimi të pistë të nxjerrjes së mineraleve të çmuara, por njëkohësisht operimet e ndara të saj po rrezikojnë edhe ndarjen e Republikës së Kosovës.

Historiani Dan Snou në një paraqitje  bërë për BBC, vite më parë, na rikujtonte se “Republika Demokratike e Kongos është ndoshta një nga vendet më të pasura në botë, por kolonializmi, skllavëria dhe korrupsioni e kanë bërë atë një nga vendet më të varfëra”. Ky është vendi që nën tokë ka burime të bollshme bakri, ari, diamantesh, kobalti, uraniumi, nafte, etj., të mjaftueshme për ta bërë këtë një nga vendet më të pasura të botës. Por në vend të saj, ky është vendi më i pashpresë i botës. Mënjëherë pas këtij vështrimi “The Economist”, duke u përpjekur të identifikojë shkaqet e këtij mjerimi, bëri një analizë lidhur me klimën e biznesit në Kongo, ku konstatonte se; “Klima e biznesit në Kongo “është neveritëse”. Nuk ka habi, pra është e qartë se kjo ka derivuar nga fakti se biznesi më i madh i këtij kombi afrikan, “është pikërisht gërmimi në pisllëk për të nxjerrë minerale të çmuara në mënyrë kaq të pistë”.

Dhe mund të shtrohet pyetja, e çfarë na duhet ky rikujtim, ose ku është ngjashmëria në mes Kongos dhe Kosovës?

Siç konstatonte historiani Dan Snou, “Kongo e bekuar me minerale, në momentin kur krijoi mardhënien e parë me europianët dhe i dha frymë pjesës tjetër të hsitorisë, zhvillimi qe ndaluar, qeveria qe dobësuar dhe sundimi i ligjit qe bërë inekzistent”. Edhe pse Kongoja është një tokë shumë larg nga Kosova, por në kontekstin e bekimit me minerale dhe historisë së krjimit të mardhënieve si shtet i pavarur me tregun global e veçanërisht me atë të BE-së janë me ngjashmëri të afërt. Repulika e Kosovës është e vetmja nga vendet e Evropës, që i është mohuar lëvizja e lirë e mallrave, ideve dhe njerzëve, por edhe është nga vendet e gadishullit ballkanik apo Ilrik, siç preferonte ta quante profesori im i historisë, ku edhe përkundër këtij bekimi mineralesh me këtë trend të rritjes ekonomike, do t’i duhen së paku edhe pesë dekada tjera për të arritur një mesatare rajonale të zhvillimit. Kosova vazhdon të ketë deficitin më të thellë tregtar në rajon, me shkallë të lartë varshmërie nga importet e mallrave serbe. Ajo edhe pse me përqindjen më të lartë të popullsisë në moshë pune, shquhet me numrin më të lartë të papunëve ose popullatës jo aktive në rajon e me gjerë, si dhe më shumë se gjysmën e qytetarëve të katandisur në varfëri dhe me rënie drastike të investimeve të huaja. Kjo nuk është si pasojë e ndonjë defekti të brendshëm të shqiptarëve, por kjo po ndodh për shkak se është në interesin e të fuqishmëve.

Në raste të tilla Qeveritë, bëhen indiferente, ndaj zhvillimit të një shteti të fortë, një ushtrie, drejtësie e sistemi arsimor të mirëfilltë, duke iu mundësuar kështu klaneve të veta fitim më të lehtë nga ajo që gjendet mbi dhe nën tokë. Ato, duke qenë në diktatin e të fuqishmëve, kur i bie në prehër pesha e pasurive magjike, siç është përvoja me Kongon dhe Kosovën, instalojnë klimë neveritëse të bizneseve, duke mbajtur në nivel fëmijëror zhvillimin e sektorit minerar. Por, megjithatë, ajo që dallon Republikën e Kosovës nga Republika Demokratike e Kongos është rasti Trepça. Pra, Trepça e tillë çfarë ishte, për Kosovën paraqiste më tepër se sistem ekonomik, ngase mund të ishte gjigand ekonomik i përmasave rajonale. Në vitin 1983, Trepça eksportoi mallra me vlerë prej 103 milion dollarë, duke u radhitur në vendin e 5 të eksportuesve në ish Jugosllavi. E tani në këtë fillim shekull, Trepça vazhdon të jetë e ndarë në dy pjesë, veri dhe jug, dhe duke qenë e sulmuar etnikisht e politikisht, ajo mezi po arrin të mbetet në këmbë.

Trepça po vazhdon të jetë e ndarë që nga koha kur rreth dy dekada më parë u riaktualizua tema e “pasurive magjike” të Kosovës, ku sipas të dhënave të instutucioneve kërkimore, Kosova ka një sasi të madhe të kromit, nikelit, zinkut, magnezit, bakrit, zhivës, argjendit, arit, bismuthit, metaleve tjera të rralla dhe rezerva të mëdha të linjitit (mbi 12 milard ton, vendi i tretë në Europë me rezervat më të mëdha pas Gjermanisë dhe Polonisë). Rezultatet kërkimore të ekspeditës së përbërë nga ekspertë finlandezë dhe britanikë, të shoqëruar edhe nga një avion me fluturim të ulët i projektuar posaçërisht, për të mbledhur të dhëna gjeofizike në të gjithë Kosovën, e cila kishte filluar në shtatorin e vitit 2006, me raportin e saj vlerësonte se rezervat e Kosovës për thëngjillin, gazin natyror dhe metalet janë me vlerë pesëqind miliardë dollarë. Këtë vlerësim më vonë e konfirmoi edhe CIA në një nga raportet e saj, e cila deklaroi se, “sipas standardeve ndërkombëtare, Kosova është me vlerë dy herë më të madhe se Serbia, dhe se kjo krahinë është me vlerë pesëqind miliardë dollarë, ndërsa Serbia me Vojvodinën pa Kosovën e ka vlerën rreth dyqind miliardë dollarë. Derisa në Serbi ka rezerva të qymyrit vetëm për 35 vitet e ardhshme, Kosova me pasuritë e saj ka për të kaluar 16 shekuj më shumë”. Po ashtu të njëjtën e konfirmonin edhe vlerësimet nga UNMIK-u, duke vlerësuar se minierat e Kosovës do të jenë shumë atraktive për shumë kompani minerare në botë. Përveç rëndësisë për Kosovën dhe ekonominë e saj, Trepça po mbetet çështje me ndjeshmëri të lartë politike dhe kombëtare për shqiptarët. Ajo është një detyrim i madh i yni, që thërret për bashkim dhe mobilizim. Ajo është AMANETI i brezave që fle dhe zgjohet me Kosovën!

Edhe pse sot i gjithë aktiviteti minerar në Trepçë është i bazuar në prodhimin e koncentrateve, sipas modeleve eksploatuese edhe më të degraduara se ato të kohës së pushtimit nazist, aktivitetet minerare dhe metalurgjike në Kosovës paraqisnin veprimtari të rëndësishme ekonomike, që nga parahistoria. Lidhur më këto aktivitete, që në Dardani, Plini në   veprën   e   tij: “Naturalis   Historiae”,   ndër   të   tjera   shkruan:   “…edhe   burrat mbajnë në llërën e sipërme të dorës rrathë ari, që vinin nga Dardania, dhe prandaj quheshin dardanë”. Ndërsa Straboni shkruante: “… se në afërsi të Damastionit (në Dardani) gjenden minierat e argjendit.” Këtu janë farkuar edhe monedha prej argjendi (prej vitit 395-320 para Krishtit) me mbishkrimin ∆ΑΜΑΣΤΙΟΝ. Pra, pavarësisht sundimeve romake, bizantine, osamane, serbe, nazifashiste, dhe jugosllave, që nga koha e artë e dardanëve e deri në vitin 2000, aktivitetet minerare dhe metalurgjike në lokalitetet : Soçanicë, Trepçë, Kopaonik, Rogoznë, Janjevë, Ajvali dhe Artanë, nuk kanë pushuar. Bile në vitin 1935, kur aktivitetet minerare dhe metalurgjike kishin kaluar në një nivel më të lartë të përpunimit dhe pasurimit, raportoheshin 200.000 dollarë profit.

 Zyrtarisht, aktivitetet minerare në Trepçë ende funksionojnë, por askush nuk e di saktësisht se si dhe sa. Pas luftës së UÇK-së, qeveritë e njëpasnjëshme kanë vazhduar të ofrojnë subvencione për Trepçën nën arsyetimin e ristrukturimit dhe rritjen e nivelit të operimeve dhe punësimit (Qeveria e Rupublikës së Kosovës tani është një nga kreditorët kryesorë të NSH Trepça me një kërkesë prej rreth 150 mil. €). Në fakt, disa nga minierat në Kosovën Qendrore dhe Jugore (e që paraqesin 50% nga bilanci i rezervave) nuk janë riaktvizuar që nga lufta dhe mbeten të përmbytura, por pavarsisht subvencioneve nga Qeveria dhe qindra mijëra tonëve të koncentrateve të shtitura, Trepça po vazhdon të përjetojë mjerimin dhe e gjithë kjo nuk po mjafon as për rrogat e puntorëve. Sipas deklarimeve të zyrtarëve të saj në Jugun e administruar nga menaxhmenti shqiptar, brenda muajit në minierën e Stantërgut nxirren diku rreth 10 mijë ton xehe, në Artanë rreth 3500 tonë, që janë xehe plumb – zinku, ndërsa në pjesën e veriut që menaxhohet nga serbet, të dhënat e shfrytëzimit janë larg asaj që deklarohet. Vetëm kur mediat raportuan se në Vushtërri “aksidentalisht” janë kapur kamionët e kompanisë “Euro-Group” nga Rashka, të cilët transportonin koncentratin e plumb-zinkut për në Zvicër, u vërtetua, se jo vëtëm pjesa e Trepçës që kontrollohet nga Serbia, por edhe ajo që kontrollohet nga Republika e Kosovës, po u përpunoka pjesërisht një grimë e këtyre mineraleve për eksport. Sipas informatave jozyrtare këto koncentrate, që përmbajnë 70 – 75%  plumb, dhe  45 – 50%  zink, u eksportuan në Bullgari dhe Mal të Zi (Porti Tivar), dhe prej aty në disa vende të tjera. Kjo, nuk do të kishte asgjë të keqe, sikur këto aktivitete të mos përcilleshin me një shkallë të lartë të korrupsionit, si dhe të një mungese të gatishmërisë dhe të fuqisë së institucioneve për integrimin e Trepçës në një të vetme.  

Fillet e shembjes së këtij kompleksi gjigand dhe shanseve zhvillimore të Republikës së Kosovës datojnë që nga vitet e 90-ta, atëherë kur krimineli Milloseviç kishte filluar fushatën e egër të rrënimit dhe grabitjes së pasurive tokësore e nëntokësore të Kosovës. Ndërsa dinamizimin e kësaj shembjeje e “përuroi” administratori civil, Bernard Kouchner, i cili, aty nga mesi i vitit 2000, dha urdhër për ndalimin e operimeve në Trepçë, të cilat kishin rifilluar në qershor të vitit 1999, ku xehtarët dhe metalurgët e Trepçës, të ndihmuar edhe nga KFOR-i, përmbysën tendencat pushtuese të Veriut dhe iu rikthyen gjigandit të tyre, i cili përtej një copë buke për ta dhe ne, shprehte integritetin territorial dhe unitaritetin e Republikës së Kosvës. Pra, këtu e dy dekada më parë, administrata e z. Kouchner e asistuar nga një nomenklaturë hibride shqiptaro-serbe, në bashkëpunim edhe me KFOR-in francez, fillimisht kishte gjetur si justifikim përmbylljen e metalurgjisë së zinkut dhe industrisë kimike, me rrezikun nga përmbytja e hapsirave të tyre nga rrjedhja e sasive të acideve nga rezervuarët. Në fakt, ky rrezik ishte eliminuar me sukses, që me 12 nëtor 1999 nga puntorët shqiptarë. Por, pavarësisht kësaj, gjenerali Henri Ponselli, me 15 nëntor 1999 ua ndaloi hyrjen punëtorëve në metalurgjinë e zinkut, dhe industrisë kimike. Ndërsa më 26 maj 2000, në “hallën e qeliave” të metalurgjisë së zinkut, e cila ishte nën kontrollin e KFOR-it, e ku edhe pse nuk kishte asgjë që digjej, shpërtheu një zjarr i fuqishëm, i cili kishte shkaktuar dëme të mëdha. Këto dëme përfaqsuesi i menaxhmetit serb i vlersonte mbi 1 miliard dollarë.

Ndërsa metalurgjia e plumbit në Veri, e cila menaxhohej nga Novak Bjelic, të cilit Sllobodan Millosheviq i kishte besuar operacionet e plaçkitjes dhe shkatërrimit të resurseve jo vetëm në Trepçë, por në gjithë trevat shqiptare, ku regjimi i tij kishte shtrirë pushtimin. Metalurgjia e plumbit nën udhëheqjen e Bjeliqit, dhe kontrollin e plotë të Serbisë, që nga gushti i vitit 1999, e deri në gushtin e vitit 2000, kishte punuar pa asnjë pengesë. Pas reagimeve të ashpra të puntorëve shqiptarë, fillimisht mbi urën e lumit Ibër do të vendosej postblloku i KFOR-it, të cilën krimineli Bjelic e quante vijë e demarkimit në mes Jugosllavisë dhe teritorit të banuar me shumicë shqiptare. Në fakt ky postbllok, përveç që kishte penguar punëtorët shqiptar të metalurgjisë së plumbit, ai po shërbente edhe si kufi i ndarjes së Kosovës dhe Trepçës në pjesën shqiptare dhe serbe. Pas kësaj ndarje, Kushneri, përzgjodhi një kompani franko-daneze, që “zbuloi” materie ndotëse në afërsi të uzinave të kombinatit, të cilat do t’i merrte si “shkas” dhe me euforin fluturuese, siç shquhej ai, vendosi ta shpallte Trepçën “dinosaur të së kalurës”. Kështu që, edhe pse sistemi i pastrimit të gazrave ishte i një moshe dhe teknologjie relativisht të re, nën arsyetimin e ndotjes mjedisore, në gusht të vitit 2000, u mbyll edhe metalurgjia e plumbit, e cila edhe shënon fillet e rrënimit të bazës prodhuese dhe e gjithë industria metal-përpunuese në Kosovë.

Shuarja e aktivitetve metalurgjike, si në Zveqan ashtu edhe në Mitrovicë, vështruar sipas justifikimeve që dhanë zyrtarët e lartë të UNIMIK-ut dhe menaxhmenti shqiptar e serb, si dhe koha kur ato u mbyllën është njëra nga raset më delikate dhe që kërkon studim në thellë. Pra vetëm një studim kompetent do t’i jepte përgjigjie pyetjes: Nëse është ndarë Kosova për shkak të Trepçës apo është ndarë Trepça, për ta vënë para aktit të kryer ndarjen e Kosovës? 

Të jemi të sigurtë se riaktivizimi dhe rivitalizimi i Trepçës nuk po pengohet për shkak të “ndotjes mjedisore”, të “gjendjes teknike-teknologjike”, të “mungesës së traditës dhe përvojës në përpunimin e metaleve me ngjyra”, për “mungesë të studimit të fizibilitetit, biznes planeve dhe programit zhvillimor”  ose “për mungesë të kuadrit ligjor e rregullator “, e të një mijë e një sajesave të shpikura, por se problemi rrënjët i ka tek pretendimet serbe ndaj Trepçës, Liqenit të Ujmanit, hidrocentralit të Ujmanit, nënstacionit Vallaq dhe gjithë rripit minerar që shtrihet në veri të Kosovës. Pra në kohën kur Trepça është e sulmuar politikisht, e etnikisht, ajo përmes menaxhmentit serb në Veri dhe atij shqiptar në Jug nën komoditetin e ligjit të ri dhe “në pritje të miliardave për investime”, jo vetëm që po vazhdon me degradimin e aktivitetit minerar, të cilat kanë rënë në nivelin e një gërmim të pistë të nxjerrjes së mineraleve të çmuara, por njëkohësisht operimet ndara të saj po rrezikojnë edhe ndarjen e Republikës së Kosovës.

Dhe si për çudi, te gjithë kanë rënë në heshtje, edhe pse e kaluara e afërt na mëson se sa herë është aktualizuar çështja “Trepça” pasojat në rrafshin politik kanë qenë me efekte të mëdha shkatërruese dhe, si gjithmonë, duke krijuar pasoja për rajonin e Ballkanit e më gjerë.