TIRANË, 21 mars/ATSH/ Poeti dhe autori i teksteve të shumë këngëve të dashura për publikun, Jorgo Papingji ndërroi jetë sot në në moshën 82-vjeçare.
Papingji u lind në Vlorë më 10 qershor të vitit 1942. Ai ka shkruar tekste këngësh që në moshë të re duke bashkëpunuar me kompozitorë të njohur dhe duke lënë shenjë në shoqërinë shqiptare. Papingji është një nga emrat më përfaqësues të muzikës shqiptare, qoftë popullore, të përpunuar apo asaj të lehtë.
Papingji ka shkruar 5 këngë fituese në “Festivalin e Këngës”, njëri prej të cilave ka marrë pjesë edhe në Festivalin Evropian të Këngës në vitin 2014.
Ai është vlerësuar me titullin “Mjeshtri i Madh”. Jorgo Papingji ka shkruar mbi 4000 këngë.
Ndër këngët e shkruara nga Papingji veçohen “Kur jemi bashkë të dy”e vitit 1980 kënduar nga Luan Zhegu, “Askush s’do ta besojë” dhe “Fat dhe jetë” kënduar nga Anita Bitri, “Kur e humba një dashuri” këngë fituese e kënduar nga Manjola Nallbani, “Rri me mua” kënduar nga Mira Konçi, “I thuaj jo” kënduar nga Ardit Gjebrea), “E doni dashurinë” kënduar nga Luan Zhegu dhe Ledina Çelo), “S’jam tribu” këngë fituese kënduar Aurela Gaçe dhe shumë këngë të tjera.
Kënga “Vetëm një fjalë” e vitit 1999 kënduar nga Elsa Lila mori pjesë në Festivalin Evropian të Këngës.
Gonxhja: Kontributi i jashtëzakonshëm në vargje, përjetë pjesë e artit shqiptar
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja reagoi në rrjetet sociale për lajmin e ndarjes nga jeta të poetit, Jorgo Papingji.
“Lamtumirë mjeshtër Jorgo Papingji! Ndarja jote nga kjo jetë erdhi në Ditën Ndërkombëtare të Poezisë! Kontributi yt i jashtëzakonshëm në vargje, i përkthyer mjeshtërisht në këngë, është një trashëgimi e vyer që do të mbetet përjetë pjesë e artit shqiptar. Kujtimi yt do të jetë gjithmonë burim frymëzimi për të gjithë brezat në vazhdim!”, shkroi Gonxhja.