Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXXV)
GRYKA E KAÇANIKUT – SIMBOL I HISTORISË SHQIPTARE
Gryka e Kaçanikut, e gjatë rreth 12 km në drejtimin veri – jug dhe e gjerë rreth 300 metra, ndodhet në jugun e Kosovës, mes qyteteve Kaçanik dhe Hani i Elezit. Kjo grykë mes maleve të larta e me bukuri të rralla natyrore, nëpër të cilën përshkon lumi i rrëmbyeshëm i Lepencit, ndanë vargmalet e Sharrit me vargmalet e Karadakut. Afërsia me Grykën historike të Kaçanikut ka qenë e banuar që nga koha romake e deri sot me popullsi ilire – shqiptare.
Gryka e Kaçanikut njihet si një arterie shumë e rëndësishme komunikacioni, si porta kryesore e Kosovës që nga kohët e hershme, përmes të cilës lidhej Fusha e Kosovës me Fushën e Shkupit e më gjerë. Edhe sot nëpër shpatet e luginat e malit të Karadakut, paralelisht me Grykën, gjenden gjurmët e rrugës romake, që lidhte Fushën e Kosovës me Fushën e Shkupit. Nëpër Grykë ka përshkuar rruga e vjetër Prishtinë – Shkup dhe “Magjistralja e Adriatikut”, e ndërtuar në vitet 60-ta të shek. të kaluar. Në vitin 2019 është lëshuar në qarkullim edhe arteria e tretë automobilistike, autoudha Trudë – Hani i Elezit. Pjesë e kësaj autostrade është edhe ura e gjatë 5.7 km dhe e lartë deri 83 metra nëpër Grykën e Kaçanikut, që paraqet urën më të gjatë në rajon. Po ashtu, nëpër këtë Grykë përshkon hekurudha Shkup – Mitrovicë, e ndërtuar në vitin 1873 nga Perandoria Osmane.
Kalimi nëpër Grykën e Kaçanikut paraqiste rrezik të përhershëm për ushtritë pushtuese. Udhëpërshkruesi frëng, Filip De Frense Kanave, në vitin 1573, shkruan: “… Çaushi ynë na tha se duhet ecur me kujdes dhe me armë në dorë, sepse kalimi është shumë i rrezikshëm prej cubave, të cilët para pak ditësh kanë vrarë pesë kadi me tërë suitën e tyre”. Edhe gazetari anglez, Brailsfoldar, në vitin 1903, ka shkruar: “Një hekurudhë strategjike, e cila, si duket, bart vetëm topa dhe ushtarë ose robër të luftës, përshkon një grykë të ngushtë prej Shkupit deri në stacionin e fshatit të vogël të Ferizajt, një vend që u bë i njohur para disa viteve për kryengritjen e tij kundër nënprefektit osman, i cili u dëbua me vesh të prerë. Në Ferizaj fillon Shqipëria”. Edhe transportimi i mallrave me karvanë me qerre kuajsh ishte i rrezikshëm nëpër Grykë. Veçanërisht ka qenë i vështirë dhe i pasigurt kalimi nëpër Grykë gatë natës. Prandaj, karvanët dhe udhëtarët detyroheshin ta kalonin natën nëpër hane para se të hynin në Grykë, qoftë në Kaçanik apo në Han të Elezit. Për këtë qëllim në këto vende ishin hapur hanet, që u shërbenin kalimtarëve për ta kaluar natën.
Nga fundi i shek. XVI Sulltan Murati III kishte urdhëruar pastrimin e Sanxhakut të Shkupit dhe të Grykës së Kaçanikut nga kryengritësit. Për ta siguruar kalimin dhe për ta mbrojtur Grykën, në qytetin e Kaçanikut, para se të hyhet në Grykë, në vitin 1590 është ndërtuar kështjella ushtarake osmane.
Pos si një vend gjeografik, Gryka e Kaçanikut është edhe një vend strategjik dhe historik, ku janë zhvilluar beteja të rëndësishme. Më 1 janar 1690 në Grykën e Kaçanikut është zhvilluar beteja midis ushtrisë austriake të gjeneralit Pikolomini dhe ushtrisë osmane. Forcat osmane e kanë fituar betejën, ndërsa ushtria austriake është detyrua të kthehet prapa, drejt veriut. Bashkë me ushtrinë austriake është shpërngulur edhe një pjesë e popullsisë vendore, e cila e kishte ndihmuar ushtrinë austriake. Këtë shpërngulje serbët e quajtën “shpërngulja e madhe serbe” (velika seoba srba), duke pretenduar se popullsia e atëhershme e Kosovës ishte e etnisë serbe.
Në vitin 1844 në këtë Grykë janë zhvilluar luftime midis kryengritësve shqiptarë, të prirë nga Dervish Cara dhe ushtrisë osmane. Ndërsa në vitin 1881, gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, është penguar transportimi me tren i armëve dhe i ushtrisë osmane në Kosovë.
Beteja më e lavdishme në Grykën e Kaçanikut është zhvilluar më 30 prill 1910 mes kryengritësve shqiptarë, të komanduar nga Idriz Seferi dhe ushtrisë osmane, të komanduar nga Shefqet Turgut Pasha. Rreth 3000 kryengritës, të prirë nga Idriz Seferi, që ishin të strehuar në pyllin mes Begracës e Sodovinës, më 23 prill marshuan drejt Kaçanikut, e morën “Shkallën” dhe e zunë Grykën e Kaçanikut, afër Gurit të Shpuem. Në mëngjesin e nesërm, më 24 prill, kryengritësit e kanë ndalë trenin me ushtarë osmanë, që qarkullonte nga Shkupi në drejtim të Fushës së Kosovës, me ç’rast i kishin çarmatosur 40 ushtarë e oficerë. Pas ardhjes së ushtrisë osmane nga Shkupi e Ferizaj për ta shuar kryengritjen, rreth 4000 kryengritës, që kishin zënë pritë në të dy anët e Grykës, kishin filluar luftën kundër 17 mijë ushtarëve osmanë. Forcat osmane kishin krijuar një rrethim të hekurt, duke djegur e shkatërruar të gjitha fshatrat që ishin vënë nën rrethim apo fshatrat nga kalonte ushtria osmane. Luftimet më të rrepta janë zhvilluar më 30 prill, kur në vendin “Shkalla” është luftuar edhe fyt për fyti. Prandaj, kjo Grykë shpesh krahasohet me Grykën e Termopileve të Greqisë së vjetër. Në këtë betejë ushtria osmane ka humbur rreth 2000 ushtarë, ndërsa kryengritësit, falë pozitës strategjike dhe pritës së zënë, kishin shumë pak humbje.
Njëra ndër këngët popullore e përjetëson më së miri këtë betejë të përgjakshme mes kryengritësve shqiptarë dhe ushtrisë osmane:
Kaçanikut i raft pika
Nuk e din se çka asht frika,
Therë me thika nan sahat
Tej ra kali not në gjak.
Në vitin 1913 Idriz Seferi edhe njëherë u prinë kryengritësve shqiptarë në Grykë të Kaçanikut kundër pushtuesit serb. Edhe në vitin 1999 në këtë Grykë është zhvilluar beteja mes UÇK-së dhe forcave pushtuese serbe, kur është vrarë një komandant i milicisë serbe në Kaçanik.
Në rrugën e vjetër në hyrje të Grykës së Kaçanikut ndodhet një shkëmb gjigant, që në popull njihet si Guri i Shpuem. Këtë shkëmb serbët e kanë quajtur “Guri i Markut”, sipas Mark Kraleviqit, princit serb nga Prilepi, i cili bëri dyluftim me Musa Kesexhinë apo Musa Arbanasin në kështjellën mbi Gurin e Shpuem. Në bregun e majtë të lumit Lepenc, në hyrje të Grykës së Kaçanikut, Musa Kesexhisë i ishte ngritur tyrbja apo teqeja, që ishte monument i mbrojtur deri pas luftës çlirimtare, por që tash, për fat të keq, i mungon Kaçanikut. Në këtë rrugë dhe nën këtë shkëmb dikur ishte një tunel 15 metra i gjatë, 3 metra i gjerë dhe 2.5 metra i lartë. Në hyrje të tunelit kishte një pllakë, në të cilën shënohej viti i ndërtimit – 1794 dhe emri i pashës që e ka hapë tunelin. Tuneli është hequr pas pushtimit serb të Kosovës.
Gryka e Kaçanikut është një pasuri e rrallë kombëtare, si në pikëpamje gjeografike, ashtu edhe historike, komunikative etj. Është grykë e thellë dhe e bukur, e krijuar nga lumi Lepenc mes dy vargmaleve tona, Sharrit dhe Karadakut.
add a comment