Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXXIV) MUSHTISHTI – FSHATI I “AFËRDITËS” DHE I KËNGËTAREVE TË NJOHURA

Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXXIV)
MUSHTISHTI – FSHATI I “AFËRDITËS” DHE I KËNGËTAREVE TË NJOHURA
Rrëzë malit të Sharrit, rreth 10 km nga qyteti i Therandës, ndodhet njëri ndër fshatrat më të mëdhenj të Kosovës, Mushtishti. Pos me qendrën e komunës, Suharekën, Mushtishti lidhet me rrugë të mira edhe më Shterpcën, nëpër Verbeshticë dhe me Ferizajn, nëpër Jezerc. Të dyja këto rrugë janë malore, panoramike, turistike dhe strategjike.
Mushtishti është vendbanim i lashtë, ku është gjetur material arkeologjik dhe janë zbuluar gërmadha të një vendbanimi antik. Në vendet Gradishtë dhe Gradac ndodhen gërmadha antike, ndërsa në jug të fshatit, te vendi i quajtur “Fajkoj” ndodhet një muri i lashtë. Rrëzë malit, mbi fshat, ndodhen dy shpella antike ilire. Gjithashtu, mbi fshat ndodhet parku turistik Gradaci, ku gjenden gjurmë të një vendbanimi ilir – dardan. Aty gjenden edhe pendat ilire dhe rrëzë malit janë dy shpella antike ilire.
Për herë të parë me emrin Mushtisht fshati është i regjistruar në një hartë austriake të vitit 1689. Është regjistruar edhe në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të viteve 1893, 1896 dhe 1900.
Deri në vitin 1999 në Mushtisht ka jetuar edhe popullsia serbe. Thuhet se kjo popullsi është me prejardhje shqiptare nga familjet Bytyçi, Kabashi, Gashi e Budakovës etj., e asimiluar shekuj më parë. Edhe 10 kishat në fshat ishin shqiptare, por sot janë të përvetësuara nga serbët. Në këtë fshat jetojnë edhe familjet muhagjere të Berjanëve, të ardhura nga Toplica në vitin 1878. Ndërsa, 10 familje shqiptare nga ky fshat janë shpërngulur gjatë shekullit të kaluar në Turqi.
Statistikat e fshatit flasin se në vitin 1879 Mushtishti kishte 104 shtëpi, në vitin 1905 – 160 shtëpi, në vitin 1913 – 1711 banorë, në vitin 1919 – 192 shtëpi me 1444 banorë, në vitin 1928 – 190 shtëpi me 1561 banorë, në vitin 1948 – 276 shtëpi me 2346 banorë, në vitin 1961 – 368 shtëpi me 2816 banorë, në vitin 1971 – 422 shtëpi me 3307 banorë, në vitin 1981 – 502 shtëpi me 4155 banorë. Gjatë luftës çlirimtare në vitet 1998 – 1999 është vlerësuar se fshati kishte 510 shtëpi me 5500 banorë shqiptarë, duke përfshirë edhe 185 shtëpi serbe me 1200 banorë. Pas luftës çlirimtare tërë popullsia serbe e Mushtishtit është shpërngulur në Serbi.
Fshati Mushtisht deri në vitin 1999 ishte një fshat dyetnik, ku kanë jetuar shqiptarët dhe serbët. Gjatë ofensivës së forcave serbe më 3 prill 1999, ku merrnin pjesë shumë serbë të armatosur të fshatit, janë djegur 1050 shtëpi dhe objekte tjera ndihmëse. Atë ditë është rrënuar xhamia 300-vjeçare, Kulla e Pashës e vitit 1780, janë shkatërruar e djegur biblioteka e fshatit etj. Po atë ditë, pos djegieve e shkatërrimeve, forcat serbe, bashkë me disa serbë të fshatit, kanë dëbuar me dhunë popullsinë shqiptare, duke e nxjerrë nga shtëpitë e për t’i deportuar në shtetin shqiptar. Pas luftës, në shenjë hakmarrjeje për krimet e forcave serbe, janë djegur edhe shtëpitë e banorëve serbë, tashmë të larguar nga fshati dhe janë rrënuar dy kisha. Nga Mushtishti në luftë kanë rënë tre dëshmorë, janë vrarë 12 persona civilë dhe janë zhdukur gjashtë të tjerë.
Në të kaluarën jo të largët Mushtishti ishte qendër më e madhe se Suhareka. Para dhe gjatë LDB ishte qendër e komunës, ku zhvillohej zejtaria e tregtia. Qysh në vitin 1956 Mushtishti kishte ndërtuar hidroelektranën e parë, që funksiononte me ujë. Duhet thënë se Mushtishti, për nga arsimimi dhe zhvillimi i përgjithshëm, ishte një hap më përpara nga fshatrat tjera. Këtë zhvillim ia ka mundësuar natyra e pasur dhe pozita e përshtatshme gjeografike. Mushtishti nuk është një fshat i thjeshtë. Më drejt mund ta quajmë një qytezë, ku ndodhen institucionet publike: shtëpia e kulturës, ofiqaria, zyra postare, stacioni i policisë, qendra shëndetësore, shkolla fillore. Pastaj, Mushtishti kishte fabrikë tekstili, kooperativë bujqësore, 16 mullinj me ujë (vetëm një ende punon) etj. Fshati ka tokë të mjaftueshme pjellore, me mundësi të ujitjes, ka lokale hoteliere e tregtare, pishinë, punëtori metalike dhe punëtori të betonitferma bagëtish etj. Në qendër të fshatit është krijuar një hapësirë e ndriçuar për pushim, ku janë rregulluar këndi i lojërave për fëmijë, shëtitorja dhe parkingu për automjete.
Në vitin 2012, në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë në Vlorë, në qendër të Mushtishtit janë zbuluar dy shtatoret e heronjve tanë; e Hasan Prishtinës dhe e Adem Jasharit. Fshatin e hijeshon edhe lapidari i dëshmorëve të kombit të fshatit Mushtisht.
Fshati Mushtisht ka edhe një vlerë të veçantë; shoqërinë kulturore – artistike “Afërdita”. Shoqëria “Afërdita”, e krijuar në vitin 1975, shpejt ishte bërë e njohur në të gjitha trojet shqiptare për kultivimin e melosit tonë popullor. Kjo shoqëri ka nxjerrë këngëtare me famë kombëtare, si Shkurte Fejzën, Shyhrete Behlulin, Remzije Osmanin, motrat Mustafa etj.
Një e veçantë tjetër e Mushtishtit se është fshati i parë në Kosovë që ka blerë automjet për fikjen e zjarrit dhe ka formuar njësinë vullnetare të zjarrfikësve.
Mirëpo, banorët e Mushtishtit janë të brengosur jashtëzakonisht shumë nga zbrazja e fshatit. Shtëpitë e reja dhe të bukura kanë mbetur të mbyllura, rrugët kanë mbetur të shkreta e të rinjtë kanë marrë botën në sy. Deri para lufte, edhe pse në kushte e rrethana tepër të vështira, fshati ka vluar nga njerëzit, sidomos nga fëmijët. Sot rrugët e tij janë të qeta e duken si të shkreta.
Territori i fshatit përbëhet nga vendbanimi, nga bjeshka mbi fshat dhe nga fusha nën fshat. Fshati është i pasur me tokë bujqësore, me pyje e kullota, me ujë të pijes dhe me rrjedha ujore.
Mushtishti, me natyrën fantastike, krijon kushte shumë të mira për zhvillimin e turizmit. Mbi fshat ndodhet parku turistik i Gradacit dhe ndodhen katër gryka malesh, nga të cilat zbresin dy lumenj të vegjël; Lumi i Bardhë dhe Lumi i Zi. Mbi fshat ndodhet edhe Rezervati i Mbrojtur Natyror i Rusenicës prej 300 hektarësh, që njihet si vendbanim i rrëqebullit ballkanik, një lloj i rrallë dhe i rrezikuar. E, në lartësinë mbidetare 1711 m., ndodhet Guri i madh i Dollocit, prej nga mund të vrojtohet gati tërë Rrafshi i Dukagjinit.