Rrënjët e krenarisë së sotme janë atje, në të djeshmen. Shqipëria e Enver Hoxhës kishte dinjitet. Atij që na jepte dorën ne i jepnim zemrën, atij që na tregonte grushtin, i tregonim grushtin. (Sulo Gradeci)
Askush tjetër nuk ka qenë më pranë tij, me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë. Për 30 vite me radhë, ai ishte shefi i Sigurimit të diktatorit, prej vitit 1956 deri në vdekje.
Gradeci kujton se me Enver Hoxhën njihej qysh prej Luftës Nacionalçlirimtare, ose më saktë prej demonstratës së madhe të 28 nëntorit të vitit ‘41.
Ndërsa takimi i parë i tyre do të ndodhte, kur Gradeci ishte partizan në Çetën e Skraparit. Ishte marsi i vitin 1944.
Kjo intervistë është marrë në 101 vjetorin e lindjes së Enver Hoxhës. Gradeci ishte shumë i rezervuar pas 90-s dhe kjo është intervista e fundit e dhënë për mediat.
Ai është ndarë nga jeta në dhjetor 2015.
Më poshtë, intervista e botuar në gazetën DITA ku flitet edhe për rrëzimin e shtatores së Hoxhës në 20 shkurt.
“Monumenti ishte përgatitur që më parë për ta rrëzuar. Na u tha tekstualisht “mundësisht në mes të ditës, mundësisht në sy të kamerave, mundësisht në sy të botës” – rrëfehet ish-njeriu i afërt i Hoxhës.
Çfarë do të bëni në 16 tetor?
Më 16 tetor së bashku me shokët do të shkoj me një tufë karafilash te varri i Komandantit.
Komandantit?
Enver Hoxhës, komandant i kam folur gjithë jetën. Kështu i flas edhe tani, përgjithmonë. Pastaj do të shkoj te familje, tek bashkëshortja e tij, Nexhmije Hoxha.
E keni shoqëruar diktatorin për 30 vjet rresht. Kush është për ju Enver Hoxha?
Në Shqipëri vështirë se mund të flitet e të shkruhet saktë tshmë e vërteta për Enver Hoxhën dhe në përgjithësi për epokën socialiste. Madje, edhe përfaqësuesit e partive, në themel të të cilave është Ai (si Partia e Punës) nuk e zë dot shpesh në gojë.
Pse ndodh një gjë e tillë sipas jush?
Sepse vetvetiu do të shprehet dyshimi në ekzistencën e demokracisë, të sistemit të ri. Duke mos e zënë në gojë (natyrisht me përjashtim, kur i duhet politikës për të mbuluar diçka tjetër) krijohet përshtypja se ai i takon harrimit. Heshtja, gjithashtu, arsyetohet me kushtet e praktikave të reja shoqërore, kulturore të ashtuquajtura properëndimore.
Ju keni botuar një libër: “30 vjet me shokun Enver”. Më pas ke heshtur
Unë nuk hesht kurrë. Ndoshta e ka radhën libri i dytë: “25 vjet pa shokun Enver”. Për të qenë i saktë, kam shprehur mendimet në disa artikuj në raste përvjetoresh si rasti i sotëm.
Enver Hoxha ka qenë dhe mbetet një Shqiptar i Madh. Jeta ime ka qenë e lidhur ngushtë me mbrojtjen dhe përkujdesjen ndaj tij. Natyrisht, s’kam bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme, sepse që nga vitet e ilegalitetit e më pas, për vite me radhë atë e donte dhe e ruante shumica, populli. Për atë, populli, si i thonë fjalës, kishte vend edhe nën gjuhë.
Si ju duket kur ju quajnë enverist?
Nuk dëshiroj të flas për veten time. Por e kam për nder të më quajnë enverist, i barazvlefshëm me një shqiptar të ndershëm e të përkushtuar për vendin tim. Më burgosën si enverist. Burgosjen e kam përjetuar në qeli si shprehje e hakmarrjes politike.
– Ju ndoshta harroni se atë kohë ka pasur burgosje, ndëshkime të egra?
– Kishte burgje dhe të burgosur, kishte qeli dhe ndëshkime në bazë të ligjeve në fuqi. Nuk përjashtoj shkeljet e të drejtave të njeriut. Por edhe kastriotët, zotëri, kishin burgje. Edhe ata bënin vrasje, por ato u bënë kundër tradhtarëve, kundër Lekë Zaharisë që ia falte një pjesë Malit të Zi, kundër Hamzait, nipit të Skënderbeut që spiunonte. E të tjerë. A thua duhet ta lejonte Skënderbeu një gjë të tillë?
Edhe para 90-ës pati asish njerëzish që deshën ta shisnin Shqipërinë. A thua Enver Hoxha, partia, populli duhej të rrinin duarkryq ndaj këtyre ligësive kombëtare? Ndonjëri, apo disa prej këtyre të shiturve, njerëz që e kishin mësuar politikën ndërkombëtare dhe, madje, kishin marrë doktoraturën me të, e lanë mënjanë fatin e kombit të vet.
Nuk ma merr mendja të gaboj, kur them se kjo po rindodh sot me disa të mësuar e të shkolluar për së prapthi. Dëgjo televizionin, lexo gazetat. Secili është i lirë të shkruajë, por jo të shpifë, jo të deformojë, jo të çshqiptarizojë, jo të vrasë ndjenjat kombëtare me mashtrime të qëllimshme.
Burgosje dhe ndëshkime ka kudo në botë, edhe në vendet më të përparuara e më demokratike. Sot nuk është makabre, e papranueshme për ne, marrja e jetës në karrigen elektrike, siç ndodh në Amerikë. Koha socialiste kishte ndëshkime të rrepta, por edhe koha e sotme ka, siç janë ato që përmenda. Çdo sistem ka ligjet e veta. Kohët që vijnë bëjnë ndryshime.
Ata që kanë vuajtur nën diktaturë, nuk do ta miratonin…
Shiko, unë skuqem, kur shoh të paraqiten si heronj e si viktima, ata që bashkëpunuan me fashizmin, ata që përgatitën kurorën për Viktor Emanuelin, ata që vranë heronjtë e Shkodrës, heroinat e Mirditës. Skuqem nga turpi kur shikoj të shkulen e përdhosen monumentet, bustet e heronjve të ngritur në pidestale. Kanë filluar të tregohen patriotë të mëdhenj ata që i kanë bërë gjëmën këtij vendi. Kur dikush tjetër ka kurajë e fytyrë të mbrojë Gjon Marka Gjonin, Hamit Matjanin, Isa Toskën, dhjetëra bashibozukë e derdimenë të zinj në shpirt e në të bëma, unë duhet të trembem e të mos flas për Enver Hoxhën?
Do të flas dhe do të shkruaj sa të kem frymë. Enver Hoxha është Enver Hoxha. S’bën më nëna tjetër, jo. Po të ishin rrethana të tjera, ai do t’i bënte edhe këto proceset demokratike ndryshe, më mirë, pa i dërguar shqiptarët në fund të detit. Nuk do të rrinte se s’ka ndenjur në një vend ai kur e thërriste zëri i popullit për ndryshim, për zhvillim. Këtë e dëshmoi me profeci, me diplomaci, me shqiptarizëm. Është tjetër puna që nuk e dëgjuan, që nuk e besuan.
E keni fjalën për zërat se ka patur përpjekje për lidhje me Perëndimin që ranë në vesh të shurdhët?
Nuk mund ta di saktësisht, kur dhe deri ku arriti ndërhyrja e Enver Hoxhës për dialog. Vetëm duke e lexuar të vërtetën që thonë amerikanët dhe anglezët, pak e nga pak, do të mirëkuptohet dhe do të vlerësohet kontributi i jashtëzakonshëm i Enver Hoxhës. Çdo gjë e mirë e tij do të dalë në dritë.
– Kini diçka që ju ngacmon kur vjen fjala te Enver Hoxha pas vdekjes së tij?
– Natyrisht. Doja të shkoja edhe njëherë për vizitë në Skrapar me Enver Hoxhën. Ma kishte thënë disa herë dhe unë jetoja dhe gjenerohesha me këtë dëshirë të zjarrtë të tijën dhe timen. Por sëmundja e rëndë e diabetit nuk e la. Më ka mbetur peng. Ai e donte Çorovodën se e ndryshoi nga themelet, e bëri pjesë të bukurisë shqiptare. E lidhi me rrugë automobilistike (Berat – Çorovodë – Përmet – Kolonjë). I dha dritë, i dha shkolla, i dha një autoritet. Ai dyqani i vetëm i Pasho Hysit, që ishte dikur, ka mbetur si relike e bisedave të hershme.
Asgjë tjetër peng?
– Rrezimi i monumentit të Enver Hoxhës…
– E rrëzoi populli…
– Nuk jini i saktë. Sa spekulime janë bërë dhe po bëhen në emër të popullit! Monumenti ishte përgatitur që më parë për ta rrëzuar. Na thanë “mundësisht në mes të ditës, mundësisht në sy të kamerave, mundësisht në sy të botës”.
Por ju e shihni. Që nga ajo ditë, monumenti i Enver Hoxhës po ringrihet urtësisht, paqësisht.
Meraku im tjetër ka të bëjë me zhvarrimin. Natën si hajdutë varresh. Ata që e zhvarrosën nuk mund të ishin njerëz që i faleshin Shqipërisë, por Djallit.
Diçka që duhet mbajtur shënim sipas jush?
Rrënjët e krenarisë së sotme janë atje, në të djeshmen. Shqipëria e Enver Hoxhës kishte dinjitet. Atij që na jepte dorën ne i jepnim zemrën, atij që na tregonte grushtin, i tregonim grushtin.