Lëvizja\UÇK

Mustafë Xhemaili: Klithma e Kosovës shqiptare pushtoi mediet e botës

KLITHMA E KOSOVËS PUSHTOI MEDIET E BOTËS
Në përkujtim të dëshmorit, NASEMI ELSHANI (1962-1990), i vrarë nga policia serbe më 27 janar 1990, po e ripostoj poezinë “FOTOGRAFIA IME FLUTURON NËPËR BOTË”- (Monolog pas vrasjes). Poezinë e kam shkruar në vitin 1991, kur fotografi Georges Merillon e fitoi çmimin e parë në botë me titull “Kithma e Kosovës”, për fotografinë më të mirë të vitit, e cila pushtoi mediet e botës!
***
FOTOGRAFIA IME FLUTURON NËPËR BOTË
(Monolog pas vrasjes*)
Fotografia ime fluturoi nga Drini i Bardhë.
Në Amsterdam shkoi dhe u bë meridian i ri i globit.
Imazhi i përgjakur mori shpërblimin e parë.
Në emër të Zotit e në emër të drejtësisë së robit!
Fotografia ime fluturon nëpër botë dhe u bë bisnis rentabël,
Me dritëhijen tragjike të krijuar nga lotët e nënlokës.
Çuditi Botën fytyra ime e buzëqeshur nga dashuria për diellin,
Dashuria për Kosovën dhe oborrin e shtëpisë sime
Me barë të blertë e gardhin prej thuprrash,
Unë Nasemia, një pinjoll autentik i tokave ilirike
Pa nam e nishan s’mbetem, kam ritet e mia estetike.
Nënlokja ime me lahurinë e bardhë mbi kokë
Tradita ime e lashtë e tokës dhe klithma e saj,
Fokusi i aparatit ndriçoi si vetëtimë vere
Mbi brigjet e Drinit të Bardhë.
U bë fotografia më e bukur me përmbajtje tmerri,
Çuditi Botën fytyra ime e përgjakur e ngrirë prej mermeri.
Fotografia ime fluturoi nga Drini i Bardhë.
Në Amsterdam shkoi dhe u bë meridian i ri i globit.
Imazhi i përgjakur mori shpërblimin e parë.
Në emër të Zotit e në emër të Drejtësisë së Robit!
(Nga “FUSHA E PLAGOSUR”, poezi, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1993).
__________________________
*)Në konkursin për fotografinë më të mirë të vitit 1991 që u mbajt në Amsterdam, në mesin e 11.521 fotografive, fotografia e Georges Merillon, e bërë gjatë vajtimit mbi kufomën e dëshmorit Nasemi Elshanit, të vrarë në demonstratën e 27 janarit 1990, fitoi shpërblimin e parë në botë.
***