31 janar 1944 – 80 vjetori i rënies – 31 janar 2024
Daja im, Anastas Odhise Kuri
Nga Flora Agolli
Ku do ta gjej forcën të shkruaj për këtë krijesë të përsosur që lindi bir i vetëm mes katër motrave? Pse po shkruaj sot? Daja im lindi në Janar 1932 dhe e vranë gjermanët po në janar 1944, duke kryer detyrën e ngarkuar në zonën e ndaluar në Molin e Skelës Vlorë. Mamaja ime shkrojti për vëllanë kështu: Dëshmori Anastas Odhise Kuri (1932 – 1944) Traditë do të thotë se ajo që ka vdekur rron. Të vetmit njerëz, vërtet të vdekur, janë ata që janë harruar nga të tjerët. Anastas Odhise Kuri nuk harrohet. Lindi në janar 1932 në lagjen Skele të Vlorës, kur unë isha 6-vjeç dhe erdhi i mbarë mbas tri vajzave. Më vonë kur Caci (kështu e thërrisnim me përkëdheli) ishte i vogël familja jonë u shtua edhe me një motër tjetër, Leonorën, por Ai do të mbetej me kimet se ishte djalë i vetëm. Pasi mbaroi shkollën fillore e po përgatitej për të hyrë në 7-vjeçare njohu shtypjen e shfrytëzimin e egër të pushtimit fashist. Vazhdoi shkollën 7-vjeçare të Skelës ku u dallua për zgjuarsi, zhdërvjelltësi, edukatë qytetare e frymë të lartë miqësore. Në familje ishte shumë i respektueshëm dhe pa pretendime. Pushtimin fashist, si gjithë populli e rinia, e priti me urrejtje. Në vitin 1942 në Shkollën Tregtare Vlorë vepronte bërthama e rinisë komuniste. Skela ishte qëndra e punës antifashiste me rininë e Vlorës. Anastasi ishte shumë aktiv në grupin e Skelës për grumbullimin e të rinjve të shkollës dhe pionierëve me të cilët zhvilloheshin aktivitete pro LANÇ. Mustafa Lloi, një shok i tij, tregon se Caci e kishte afruar dhe bërë për vehte me natyrën e tij të dashur dhe e kishte futur në të gjitha aktivitetet. “Caci jo vetëm na mblidhte e na lexonte me zë komunikata, trakte, gazetën “Zëri i Popullit”, “Kushtrimi i Lirisë” na udhëzonte për shpërndarjen, por shpesh na ngarkonte me detyra që i kishin dhënë shokët.” Qëllimi i organizatës së rinisë ishte që të mobilizoheshin sa më shumë të rinj e të reja për shtimin e radhëve të çetave partizane e të përfshiheshin në aksione të DEBATIKUT e njësiteve guerilje, djem e vajza të zotë. Nga Lagjja Skelë dolën shumë aktiviste të zjarrtë si Kristo Papajani, Gogo Mati, Irakli Koleka, Thoma Liço, VIlasi Arapi, Astrit Kokoshi, Hektor Shyti (dëshmor), të cilët bënin marreveshje dhe strehonin partizanët te shtëpia e Xhelo Murrës. Këta ishin shokët nga të cilët frymëzohej dhe bashkëpunonte Anastasi ynë trim e kurajoz. Në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare mori pjesë dhe familja jonë, banues në një shtëpi private në Skelë të Vlorës, por më i hedhur ishte Anastasi. Kujtoj se kur u çarmatos ushtria e Italisë fashiste, të gjithë pjesëtarë të familjes sonë, në atë katrahurë u vërsulëm në depot e armëve të italianëve, morëm shumë municione, i vendosëm në fund të baçes sonë, u lajmëruan partizanët të cilët vinin që nga lagjia “Centrale” me mushka e ngarkonin municionet. Në këto lëvizje Anastasi ishte i palodhuri.. Ishte ende i vogël në moshë, prandaj nuk e pranonin partizan në male, por ai kërkonte që të ishte sa më i dobishëm në celulën e rinisë në lagje. Në një nga kujtesat e tij, Kristo Papajani thotë: “Puna qẽ zhvillonim në atë kohë, megjithëse e fshehtë dhe plot rreziqe, ishte e gjerë dhe e dendur. Një punë të mirë na e kryente Caci i vogël. Në vitin 1942 u njohëm me një marshall italian (shqiptar kalabrez), e quanin Kosta. Ai ishte përgjegjës i një magazine të madhe të veshmbathjes në Skelë. Marshalli Kosta u afrua vete tek ne dhe shfaqi gatishmërinë për të ndihmuar LANÇ. Ndërlidhës me marshallin Kosta kishim Cacin e vogël e të rritur para kohe. Në darkë vonë i merrin thasët dhe i çonin afër Centrales, sot lagjia “10 Korriku”, tek bishti i kalldremit, ku i prisnin shokët partizanë. Si këto punë e të tjera i bënte çdo ditë Caci. Një ditë Besniku (pseudonimi i Hysni Kapos) kërkoi prej nesh që marshallin Kosta ta takonte edhe vetë dhe të bisedonte me të për disa probleme edhe të ndihmës dhe në sektorin e shëndetësisë. Caci mori takimin me marshallin dhe e solli në shtëpinë tonë, ku bëhej organizimi. Pionier Caci ishte guximtar, i shkathët, besnik, sypatrembur e konspirativ i madh. Babai i tij, Odiseja, ishte njeri i ndershëm. Ai e shihte të birin që lidhej me ne dhe një ditë më thotë : ” O Kristo, amanet çunin …se e kam kërthi e të vetëm në katër vajza…” Kristo Papajani i mbyll kujtimet e tij me shprehjen: “… i kujtoj me respekt e nderim shokët tanë të punës ilegale të asaj kohe heroike; të asaj kohe dhe pune që ishte me plot rreziqe çdo orë e ditë, por që Partia Komuniste na mësonte e na frymëzonte të përbuznim çdo rrezik. Një nga këta trima ishte edhe pionieri 12-vjeçar Anastas Odhise Kuri.”
Edhe sot që kanë kaluar 80-vjet nga dita që sytë tonë nuk e panë Anastasin të rritet e burrërohet, mbushemi me lot e mallëngjim për thesarin tonë të tretur dhe na vijnë në mend fjalët: Liria është gjithnjë një punë që nuk mbaron. (Gazeta “Kushtrim Brezash”)
add a comment