Kulturë\Letërsi

Tallavaja e një akademiku

Shkruan: Bislim Elshani

Nga fundi i viteve 90 një numër të rinjsh kosovarë që pretendonin të quheshin poetë, e shihnin me interes që përçapjet e tyre të para t’i botonin në Tiranë, duke gjetur edhe ndonjë kritik apo poet të njohur që ua lëvdonte veprën me një ndonjë tekst të shkurtër hyrës prej gjysmë faqeje. Kur një miku im kritik nga Tirana ma lëvdoi një autor amator nga Prishtina, i thashë se me mua nuk i shkonin këto, dhe se vepra për të cilën po më fliste s’vlente asnjë dysh. Pas këtyre fjalëve e pranoi edhe vetë këtë fakt, po u arsyetua se nuk duhet t’i shkurajonim poetët e rinj. Kushdo që më fliste me këtë gjuhë, ia citoja gjeniun Gëte, i cili në kohën e tij pati shkruar: “Letërsia gjermane do të përfitonte shumë sikur 90% e poetëve të rinj vë vend se me botime të merreshin me lexime”. Kjo krehje bishti e artistëve kosovarë më kujtonte një pohim të kreut të Lidhjes së shkrimtarëve serbë në Beograd në vitet 80 kur pati folur për kolegët e tij shkrimtarë serbë në Prishtinë: “Të gjithë ata janë ca gomerë mediokër, por ne duhet t’i paraqesim para botës sikur të ishin gjeni”. Tirana, si një metropol i padyshimtë kulturor i shqiptarëve, u desh të durojë për një kohë të gjatë tallavanë muzikore kosovare që pati pushtuar stacionet radiotelevizive shqiptare kudo në botë. Vitet e fundit gjërat u qartësuan paksa, tallavaja mbeti tallava, dmth. si një ushqim për shtresat e pakultivuara, ndërsa vlerat e vërteta muzikore zunë vendin që e meritonin. Pas 28 Nëntorit të këtij viti mbaroi edhe heshtja e Tiranës lidhur me pseudovlerat e një arti pamor që ka shëmtuar qytetet kosovare që prej 20 vitesh: skulpturat pa shije të dëshmorëve e heronjve të kombit. Është pritur që moti reagimi i artistëve dhe skulptorëve të mëdhenj shqiptarë nga Tirana që ndjekin mësimet dhe traditën e artistëve të mëdhenj si Odise Paskali, Janaç Paço, Kristaq Rama etj, kundër këtyre prseudovlerave që na turpërojnë edhe si komb përpara botës. Reagimi i tyre këtë radhë, nga shumë stacione televizive shqiptare, ndonëse i vonuar, ishte sa i rreptë dhe plot zemëratë, aq edhe i arsyeshëm dhe i nevojshëm. Pseudoartistët kosovarë këtë radhë kishin tejkaluar çdo cak, ata ishin tallur me heronjtë emblematikë shqiptarë, me Skënderbeun e me Adem Jasharin. Dhe kjo tallje, për fat të keq, ishte vulosur në Prizren, në qytetin që presupozohet të jetë më kombëtarist nga gjithë qytetet tjera shqiptare, nga një drejtues politik i një subjekti prej të cilit pritej më së paku kjo gjë: nga VV-ja, kreu i së cilës këtë radhë s’u ndje i gjallë. Poeti dhe intelektuali i njohur shkodran, Agim Doçi, qe zemëruar aq shumë sa kërkoi që autori i Skënderbeut të Prizrenit të rrasej në burg për fyerje të vlerave kombëtare. Sapo lexova në uebfaqen e gazetës “Tema” një shkrim të akademikut Mehmet Kraja, i cili vrasjen fatkeqe të një të riu në Tiranë prej një polici të papërgjegjshëm, e quan një simptomë të padyshimtë të diktaturës. Ta quash një rast të veçuar vrasjeje, çfarë ndodhin kudo, edhe në të gjitha vendet e botës demokratike, si shenjë diktature, është njësoj si të thuash që një tështimë është simptomë e padyshimtë e leuçemisë. Vrasja e një të riu të pafajshëm natyrisht që është e dhimbshme dhe meriton t’i bëhen të gjitha nderet e mundshme, por me një heshtje mortore dhe jo me një tërbim politik. Natyrisht që si kosovar u ndjeva i turpëruar kur pash se si njëri ndër akademikët tanë të shquar nga Prishtina po grinte të trasha duke i hedhur benxinë zjarrit e duke përkrahur hordhitë vandale që duan të sjellin në pushtet një klan banditësh e vrasësish, që ndryshe nga këta të sotmit, që dorëhiqen ose të vizitojnë në shtëpi për ngushëllime, këta të kërcënohen duke të thënë se pak të kanë bërë duke t’i vrarë 4 të pafajshëm, duhej të të kishim vrarë edhe ty! Fatbardhësisht shqiptarët tani nuk janë budallenj, ka kaluar koha kur tallavaja kosovare shitej për vlerë në pazaret e Tiranës.