PRIJËSI I KARVANIT
Tregim nga Muharrem BLAKAJ
Kushtuar prijësit legjendar të kombit, dëshmorit, Jusuf Gërvalla
Prisja karvanin te Kroi i Zanave. Kisha kohë që kisha zënë vend në atë lëndinë të bukur. Herë pas here freskohesha me ujin e ftohtë akull të kroit, që ishte në anën perëndimore të lëndinës. Pastaj largohesha buzë greminës, duke kundruar rrugën gjarpërore. Asgjë nuk dalloja. I merakosur, kthehesha prapë të kroi.
Kisha dëgjuar nga pleqtë se për t’iu bashkangjitur karvanit, nuk ishte punë e lehtë. Duhet të ishe i kalitur. Rrugën e karvanit nuk e dikton moti. Nuk e ndalon as dimri e acari, as vapa e thatësira, as shiu e furtuna. Nuk e ndalojnë dot as hajdutët e cubat. Karvani ecën. Vazhdon!
Dita ishte thyer. Rrezet e diellit, pjerrtas binin mbi lëndinë. Kroin e kishte marrë hija. Kurse unë, kisha një brengë në shpirt… Dyshim e frikë nga hienat, që silleshin rrotull karvanit.
Pasi u ngrys, m’u kujtua se gjatë gjithë ditës nuk kisha ngrënë. Mora strajcën e ushqimeve që ma kishte përgatitur nëna para se të nisesha. Ajo, nuk kishte fjetur gjithë natën. Me bëhet sikur po e shoh duke i thyer gishtat, derisa sillet rreth magjes bosh dhe duke thënë me gjysmë zëri: „S’ka mbet një fije miell, o bir. Më vjen turp! Si do t’i bashkohesh karvanit e të mos kesh një drekë ta hash bashkë me shokët… Ah, e mjera unë, e mjera!
I shtrirë mbi kurriz vështroja qiellin. Yjet, si një prushanë e madhe, xixëllonin të heshtur në kupë të qiellit. Tutje, mbi buzët e maleve të thata, kishte nxjerrë faqen e artë hëna lozonjare. Rrezet e saj të zbehta, si flokë ari, derdheshin mbi lëndinë. Diku thellë, i strukur në zgavrën e tij, dëgjohej hukama e hutinit. Nga kodrinat përreth, dëgjoheshin të lehura qensh. Kurse lart, nga gryka e Lugut të Madh, vinte ulërima e ujqërve. Ulërimë ujqish në verë?! Ishte e mundur apo më bëjnë veshët? Ulërima përsëritej por dukej se ishte e shurdhët, e largët, e humbur, disi e pafrikshme. Pa mbaruar jehona, dëgjova një zë si Bajlozi, që vinte i dallgëzuar, valë – valë, duke mbushur me hare lëndinën e artë nën rrezet e hënës. Pastaj, sikur njehsohej me gurgullimën e kroit, derisa tretej tatëpjetë lëndinës së Shtojzovalleve.
– Është karvani… – thashë i gëzuar dhe u ngrita në këmbë.
Kur mugëtira e mëngjesit u teh dhe yjet regëtonin në të gdhirë, në kupën e qiellit shndriste paq ylli i karvanit. Kënga u përsërit, por tani shumë afër:
Sa fort me mundon vetmia, o nënë,
e vatrën braktisa një ditë,
në vendlindje e di është vjeshtë, tani e vonë,
të presin të korrat e brengat…
Ishte hera e parë që ndeshesha me një karvan të madh, të organizuar dhe të pasur. E pashë prijësin nga afër. Ishte i ri. Shtat’hedhur. Syshqiponjë. Ngriti dorën lart. Karvani ndaloi. Buzagaz më tha:
– E dija që më prisje… Sigurisht ke pritur gjatë.
– Po, im zot… një shekull – u përgjigja qetë.
– E di. Janë karvanë shekujsh… Nisemi! Me betimin mbi flamur e me besa – besë. Na pret kohë e turbullt…
– Si urdhëro, im Zot! Me besa – besë, betohem mbi flamur!
Prijësin e karvanit e kisha menduar ndryshe, disi të madh, kryelartë, me shikimin e humbur tutje në horizont, me zë të trashë dhe fjalë të shkurtra urdhëruese, të veshur bukur, dhe kaluar! Kisha menduar se kur do t’i shfaqesha përpara, ai nuk do të fliste fare me mua. Do t’i urdhëronte vartësit. Ata do të flisnin me mua. Çudi! Ai ishte i dashur, i qetë… Kreshnik.
U nisëm. Rruga ishte leqe – leqe. Kalonte buzë shkrepave të thepisur e të mprehtë si dhëmbë kuçedre. Gjarpëronte mes malesh të dendur, ku as rrezet e diellit me vite, dekada e shekuj, nuk kishin depërtuar. Kaptonte gryka malesh, buzë lumenjve të turbullt e të shurdhët, buzë shpellave të mëdha e të frikshme, që ashtu, me gryka të hapura, dukeshin si gojë përbindëshi. Nga thellësia e tyre e errët si nata, dukej se ishin përgatitur me kohë grackat, kurthet, tradhtitë, pabesitë dhe shëmtitë më të mëdha kundër karvanit tonë.
Prijësi nuk dukej më. Ishte larguar aq shumë sa vetëm zërin ia dëgjoja kur fliste, kur jepte ndonjë urdhër apo kur ia merrte këngës në duet me të vëllain.
– Shshshsh! Po këndon prijësi! – tha një burrë i çalë që po kalonte pranë meje.
– Hidhi hapat qetë e mos bëjë zhurmë! – më tha pastaj. Dua t’ia dëgjoj fjalët se ç’thotë. Kënga e tij është profetike. Kushtrim. Me kupton? Kushtrim.
– Cilat janë profecitë e këngës së tij? – pyeta kureshtar.
– Na pret kohë e keqe… Do ketë vrasje, tradhti, pabesi…
– Si? Kush do vritet? Kush do të tradhtojë? Ne? Ne jemi patriotë!
– Armiku do të na vrasë kurse patriotët e farkuar do të na tradhtojnë.
– Ku ka patriot të farkuar? – e pyeta i hutuar.
– Në mesin tonë… Janë të njësuar. Vështirë të dallohen.
U drodha i tëri nga fjalët e të çalit. Ai fliste nga përvoja e gjatë e të qenurit pjesëtar i karvanit.
Kur isha fëmijë, kisha dëgjuar për sulme kundër karvanit. Ishte tradhtuar nga hafijet dhe sulmuar nga cubat, thoshin. Gjatë përleshjeve, karvani ishte shkapërderdhur. Kishte pasur të vrarë, të zënë rob, të dhunuar, të zhdukur, të tretur, të pagjetur…
Re të zeza vinin nga veriu. Diku, të fshehur prapa shkrepave, dëgjohej e venitur uturima e ujqërve. Grykët e shpellave dukeshin të errëta. Uji i përrenjve i turbullt.
– Do të kthjellohet porsa të fillojë shtrëngata – tha befas i çali.
Sa e çuditshme. Unë e dija se shtrëngata e turbullon ujin, kurse ky thotë se e kthjellon…
Kurse, duhia po afrohej me erë të lehtë.
– Këso lloj erërash fryjnë vetëm para breshërit – tha i çali. Do të kemi furtunë dhe breshër… Shshsh!… Prapë këndon prijësi. Është këngë kushtrimi…
– Kuuuushtriiiim! – thirri dikush nga mesi i karvanit. Jehona e zërit u përplas faqeve të malit duke u shpërndarë si revansh në të tatëpjetën e grykave, pllajave, lëndinave, krojeve e shpellave. Dukej sikur i kishte shqetësuar zanat e malit, diku thellë në Lugjet e Verdha.
Dhe kënga e prijësit vazhdoi me bekimin e nënës dhe porositë e babait.
Kthehu shpejt m’ke pas thënë
se brengat m’kanë molisur,
të presin shokët dhe një varr nën bli
porositë e babait tënd.
Janar, 2001
add a comment