Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXI)
VAJKALI – FSHATI I BETEJAVE SHEKULLORE, SOT I LËNË PASDORE
Fshati Vajkal ndodhet vetëm 5 km nga qyteti i Bulqizës. Është fshat i ri, i banuar në shekujt XVI – XVII, që ndodhet në luginën e lumit Zalli i Bulqizës, në portën e krahinës së Dibrës deri te Qafa e Buallit,. Në të kaluarën nëpër Vajkal ka përshkuar Rruga e Arbrit, nga lëviznin njerëzit dhe mallrat me karvanë të gjata. Sot Vajkali është një pikë strategjike luftarake dhe rrugore, që lidhë Klosin e Burrelin, Tiranën, Maqellarën, Peshkopinë e Dibrën e Madhe. Faktikisht, Vajkali sot është i ndarë në dy fshatra; në Vajkal 1 dhe Vajkal 2. Sipas gojëdhënave, emri i fshatit ka mbetur nga koha e Skënderbeut. Një gojëdhënë thotë: – Kali i Skënderbeut ishte rrëzuar dhe ishte larë në gjak. Skënderbeu, i përlotur, kishte thënë “vaj medet, kali”.
Vajkali, sipas Barletit, është vendi ku janë zhvilluar betejat e njohura të vitit 1465. Sulltan Mehmeti II dërgoi dy ushtri të mëdha nga anë të kundërta për ta vënë mes dy zjarreve Skënderbeun. Ushtria më e madhe komandohej nga Ballaban Badera, sanxhakbe i Ohrit me origjinë shqiptare nga Martaneshi, që ishte vënë në shërbim të armikut. Skënderbeu u përballoi dy ushtrive në të njëjtën kohë e në të njëjtin vend, me beteja të fituara, por me humbje shumë të mëdha. Ballabani mundi të shpëtonte vetëm me shumë pak ushtarë, kurse Skënderbeut në pritë iu zunë rob tetë komandantë të shquar, përfshirë edhe Moisi Golemin. Të zënët rob u dërguan në Stamboll dhe, pasi nuk pranuan ofiqet e premtuara për të kaluar në anën e armikut, u torturuan 15 ditë me radhë, u rrjepën të gjallë dhe trupat e tyre ua hodhën qenve.
Në Fushën e Vajkalit, ku është zhvilluar lufta, sot qëndrojnë disa shkëmbinj, të quajtur “Gurët e Skënderbeut”. Pranë këtyre shkëmbinjve e në anë të Rrugës së Arbrit, në vitin 2017 është vendosur monumenti kushtuar heroit tonë kombëtar. Betejës së Vajkalit i kushtohet vepra “Kënga e Sprasme e Balës” e rilindësit arbëresh, Gavrill Dara – i Riu.
Para disa viteve Vajkalin e ka vizituar një grup i arbëreshëve nga Italia në kuadër të 557-vjetorit të betejës së parë të Vajkalit. Ata u pritën sipas traditës me “Bukë e kripë e zemër të madhe” nga banorët e Vajkalit e të rrethinës.
Edhe në shekujt e mëvonshëm Vajkali paraqiste një qendër të rezistencës dhe të kryengritjeve të njëpasnjëshme, deri me shpalljen e pavarësisë. Rezistencë u bëri pushtuesve serbë në vitet 1913 – 1921, të cilët donin ta vendosnin kufirin në Qafën e Buallit. Edhe në Luftën Nacional – Çlirimtare Vajkali ka dhënë kontribut të çmuar. Në pranverë të vitit 1942 në këtë fshat janë zhvilluar dy beteja kundër pushtuesve italianë.
Fusha e Vajkalit dikur ka qenë një kënetë e rrethuar me pyje të dendura, e cila është tharë në vitin 1967 dhe është kthyer në tokë bujqësore, ku kultivohen gruri e misri, pemët e perimet. Viteve të fundit është rehabilituar kanali ujitës, i ndërtuar në vitet 50-ta, që do të ujis 200 hektarë tokë të fshatit. Sot Vajkali, edhe pse ka histori të pasur shekullore, është i lënë pas dore, ku kanë munguar investimet e duhura. Deri në vitin 1990 shumë valkaljotë kanë punuar në minierat e kromit në Bulqizë, kurse sot shumë të rinj të fshatit ia kanë mësyrë kurbetit.
Sikurse Bulqiza, Valikardha e Zerçani, edhe fshati Vajkal ka mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit kulturor, malor e fshatar. Një atraksion i veçantë është “Shkëmbi i Kullës së Skënderbeut”, një fortifikim në një kodër në afërsi të fshatit, ku gjenden rrënojat e një kështjelle të vogël, që i ka shërbyer Skënderbeut për kontrollimin e hyrjes në fushën e Vajkalit. Vet fshati ka një pozitë strategjike dhe pamje piktoreske, i cili meriton dhe duhet të vizitohet.
add a comment