Shtegtime nëpër Atdhe (LXXXIX)
Shkruan: Berat Luzha
Milotin e njohim nga vajtje – ardhjet tona në Republikën e Shqipërisë, sepse kalojmë pranë tij dhe, dashur e padashur, të shfaqet para syve nga larg imazhi i tij. Nga larg nuk jep përshtypje të një qyteti të mirë, por, po të hyhet brenda tij, të befason me rregullin, veçanërisht me njerëzit e dashur, bujar e mikpritës. Emrin Milot, si emër bukurtingëllues, e bartin mijëra shqiptarë të viseve shqiptare dikur nën ish-Jugosllavi, emër i vënë nga prindërit fëmijëve të tyre të posalindur, të udhëhequr nga ndjenja e atdhedashurisë, që e kemi prore. Qyteti i vogël, Miloti, me rreth 4000 banorë, është qendër e njësisë administrative të 12 fshatrave, që bën pjesë në bashkinë e në rrethin e Kurbinit dhe në Qarkun e Lezhës, shumë pranë superstradës “Rruga e Kombit” dhe në bregun e majtë të lumit Mat. Nëpër Milot dikur kalonte rruga e vjetër dhe hekurudha veri – jug, Tiranë – Shkodër. Në këtë qytet mbarojnë malet e larta dhe fillojnë fushat e gjera. Ka largësi 6 km nga Laçi, 16 km nga Lezha dhe rreth 50 km nga Tirana. Si vendbanim ndahet në tri pjesë përbërëse; Milot-Qendrën, Milot–Malin dhe Milot–Fushën. Ka pozitë strategjike mes malit e fushës, mes veriut e jugut, mes Tiranës e Prishtinës… Si i tillë, është një nyje lidhëse, një kryqëzim i rrugëve kombëtare, një lidhje e krahinave shqiptare. Legjenda thotë se në kohë të lashta deti shtrihej deri në Milot, ku ankoroheshin anijet. Deri vonë fusha, poshtë Milotit, ku u ndërtua Fushë-Miloti, ishte moçalishte dhe, si e tillë, ishte zonë malarike. Krahina e Kurbinit, ku shtrihet Miloti, bën pjesë në Qarkun e Lezhës, si zonë gjeografike mes lumit Mat, në veri, lumit Drojë, në jug, detit Adriatik, në perëndim dhe Malit të Skënderbeut, në lindje. Kjo krahinë ka tri qytete (Laçin, Milotin dhe Mamurasin) dhe administrohet nga Bashkia e Kurbinit dhe Rrethi i Kurbinit. Para Luftës së Dytë Botërore qendër e Kurbinit ishte Miloti, kurse tash qendër dhe seli e bashkisë dhe e rrethit është qyteti i Laçit. Në hershmëri zona e Milotit dhe e tërë krahinës së Kurbinit banohej nga fisi ilir i Taulantëve. Në mesjetë, në shek. XII – XIII, Miloti ishte pjesë e Principatës së Arbnit të princit Progon dhe të bijëve të tij, kurse në fund të shek. XIV u përfshi në Principatën e Topiajve e më vonë në Principatën e Kastriotëve. Princi i fundit nga rrethina e Milotit ishte Ndue Skuraj, i cili u largua në Itali pas vdekjes së Skënderbeut, ngase Kurbini ishte mbështetëse e fortë e luftërave nën udhëheqjen e Skënderbeut. Miloti përmendet si fshat në vitin 1467, por si qendër e krahinës u formësua nga viti 1920. Pas luftërave të gjata të kurbinasve kundër ushtrive turke në vitet 1908 – 1912, me porosi të Imzot Nikollë Kaçorit e në prani të At Shtjefën Gjeçovi, famullitar i Laçit, para një mase të madhe të popullit, në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë kur u ngrit flamuri në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, Gjin Pjetër Pervizi e ngriti flamurin edhe në Milot. Shoqëria “Bashkimi”, e formuar në vitin 1899 në Shkodër, një vit më vonë, në vitin 1900, pranë qelës famullitare të Milotit e hapi shkollën e parë shqipe. Si mësues në shkollën e Milotit një kohë ka punuar edhe Heroi i Popullit nga Prizereni, Xhevdet Doda. Shkolla (9-vjeçare) e Milotit sot mbanë emrin e njërit nga 5 Heronjtë e Vigut, që ishte nga ky fshat, Ndoc Dedës. Dikur Miloti kishte shkollë të mesme bujqësore, sot ka shkollë të mesme të përgjithshme – gjimnaz. Miloti ka shtëpi të kulturës, muze dhe pothuaj të gjitha institucionet e nevojshme që i duhen një qyteti. Nga ana ekonomike Miloti dhe zona e tij është zonë bujqësore, me pozitë të përshtatshme gjeografike, me tokë pjellore e klimë mesdhetare. Zona ka rreth 2000 hektarë tokë që ishte nën ujë, por që sot rrjeti i ujitjes është shumë i dëmtuar dhe në pjesën më të madhe jofunksional. Rreth gjysma e kësaj sipërfaqeje dikur ka qenë e mbjellur me kulturën e orizit. Njësia e Milotit ka mbi 10 mijë hektarë pyje, duke përfshirë edhe pyjet me gështenja (75 h.). Pas çlirimit Miloti u bë një zonë bujqësore – industriale, me fabrikë të pijeve alkoolike, me tri fabrika të vogla të parafabrikateve, me bazën e asfalt – betonit etj. Të theksojmë se në vitet 1916 – 1917 në Milot ishte krijuar një treg rajonal për shitblerjen e prodhimeve bujqësore e blegtorale, që ishte bërë i njohur në tërë Shqipërinë. Njëra nga objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në zonën e Milotit, që është edhe atraksion turistik, është ura mbi lumin Mat, e quajtur si Ura e Zogut. Kjo urë, e projektuar diku në Evropë, u financua nga qeveria e kohës në vitin 1934 dhe u ndërtua nën mbikëqyrjen e arkitektit shkodran, Gjovalin Gjadri. Një vepër tjetër e madhe arkitekturore mbi lumin Mat, që shkon paralelisht si urë automobilistike dhe urë hekurudhore, 800 metra e gjatë, është përuruar në vitin 1981. Si njësi administrative, territori i Milotit në pjesën perëndimore është fushë e gjerë shumë e begatë, e ngritur ndonjë metër mbi nivelin e detit, që zgjatet rreth 10 km deri në detin Adriatik, aty te grykëderdhja e lumit Mat. Pjesa lindore e territorit është terren kodrinor – malor me nivel mbidetar deri deri 700 m. Prandaj, Miloti ka bregdet, ka fusha të gjera pjellore, ka kodrina të ulëta dhe vargmale me pyje të dendura, që mundësojnë, pos zhvillimit të bujqësisë e blegtorisë, edhe peshkimin, gjuetinë, pylltarinë, turizmin e degët tjera ekonomike. Milotin nuk duhet parë vetëm nga jashtë e nga larg, përskundrejtë! Miloti duhet vizituar brenda tij, për ta parë nga afër e për ta njohur më mirë! Pa hyrë brenda tij nuk mund të vlerësohet bukuria e madhështia e tij, sepse vlerësimi nuk do të ishte i drejtë. Aq më tepër, ia vlenë për t’i vizituar milotasit, këta njerëz të mirë, të cilët çdo ditë e më tepër po i mund varfëria. Milotët e Kosovës dhe viseve duhet të krenohen për emrin e tyre të bukur, por edhe për emnakun e tyre me histori të madhe, qytetin MILOT.