Shkruan: Mehmet Bislimi
Kronika historike- letrare, “Guri i Betimit”, vepër e autorit, Ahmet Qeriqi, është një tërësi organike e rrëfimeve historike, por edhe gojore, përcjellë ndër brezni nga rapsodët popullorë, për Luftën e Kosovës të vitit 1389 dhe zhvillimeve tjera të asaj kohe, që i paraprinë asaj lufte me pasoja të rënda për popujt e Ballkanit e më gjerë. Vepra në radhë të parë është një përpjekje për ta nxjerrë në dritë të vërtetën historike të asaj periudhe dhe prezencën e shqiptarëve në ato zhvillime historike, fakte që në vijimësi janë injoruar nga historiografia serbe, sllave dhe evropiane përgjithësisht.
E veçanta e krijimtarisë së Ahmet Qeriqit është metoda analitike e studimit të mirëfilltë, i cili mbi këtë parim krijues, për më së 30 vite, as tani, nuk ka pushuar së krijuari duke shtjelluar me saktësi metodat dialektike të zhvillimit të proceseve shoqërore, që burojnë nga një mendjemprehtësi e përkushtuar, e cila nuk le anash as dromcat më të vogla të problemeve shoqërore, të cilat i trajton me modesti, si në prozë, ashtu edhe në analizë politike e filozofike, në fushën e folklorit dhe problemeve të tjera sociale që ngërthejnë shoqërinë.
z. Qeriqi, si edhe në veprat tjera, zbaton me përpikëri metodën e tij të depërtimit të thellë në esencën dhe shpirtin e lëndës që merr përsipër ta shtroj e disiplinoj, në mënyrë që ajo të jetë e kapshme dhe e afërt me lexuesit e të gjitha shtresave të shoqërisë sonë.
Autori i librit, shkrimtari dhe studiuesi, Ahmet Qeriqi, në këtë vepër, ka sjellë fakte e dëshmi të shumta, të ricikluara dhe të përpunuara, të vjetra e të reja, argumente historike, që ndërlidhen me kujtesën popullore, me toponiminë e antroponiminë, me gjurmimin dhe hulumtimin e mbijetesës së kulturës fizike deri tek ditët tona. Të gjitha këto dalin të metamorfizuara në një kompozicion të ndërlidhur e të hartuar mirë në mënyrë letrare e artistike, duke sajuar një tërësi kompaktesh organike, që akordojnë me kohën dhe hapësirën e sinkronisë dhe diakronisë së zhvillimeve relevante historike të asaj kohe.
Vepra, në dukje ka një kompozicion të shkapërderdhur, në kohë e hapësirë. Zhvillimet dhe drama e veprës, shtrihet në vendet që i mbanin nën sundim dy perandoritë më të mëdha dhe armiqësore të kohës; ajo e Bizantit e cila po rrënohej nga brenda e nga jashtë dhe Perandoria Osmane e cila në atë kohë, ishte në kulmin e fuqisë. Në atë ndeshje të ashpër të dy botëve gjakoseshin popujt, sidomos popujt që ndodheshin në kuadratin territorial të luftimeve, sikur ishin shqiptarët, grekët, bullgarët e sllavët. Përderisa disa nga popujt e Ballkanit kishin krijuar mbretëritë dhe aleancat e tyre, shqiptarët në atë kohë kishin krijuar vetëm disa principata, të cilat bëheshin pre e pushtuesve të ndryshëm në këto treva.
Në romanin e tij më të ri: “Guri i betimit”, autori ka shtjelluar ngjarjet e shekullit XIII dhe XIV e më herët. Ai është ndër të paktët krijues shqiptarë (për të mos thënë i vetmi), nga të dyja anët e kufirit, që lexuesit i ofron romanin në të cilin tema boshte ka për bazë zhvillimin e ngjarjeve dhe luftën e viti 1389 në Kosovë. Ngjarje kjo e shtrirë në një hapësirë kohore më shumë se 600 vjeçare, ku personazhi i shumë lakuar në historinë tonë, Milush Kopiliqi (fatkeqësisht), pak i studiuar dhe jetësuar në letrat shqipe, qoftë të historiografisë, prozës, poezisë, romanit, folklorit apo filozofisë sonë… sikur është lënë anash, supozojmë së elitës sonë krijuese në nivel kombëtarë, mund edhe t’i ketë munguar guximi për një qasjeje shtjellimi të mirëfilltë të kësaj figure markante shqiptare, siç është Milush Kopiliqi. Këtë shtjellim të kësaj periudhe epokale për shqiptarët, e ka bërë me guxim, me fakte e dëshmi
të pakontestueshme, duke nxjerrë në sipërfaqe tërësinë e këtij rrafshi mbi gjashtë shekullor, që edhe sot lundron mes mitit dhe realitetit!
Figura e tij dhe trajta e shtruar nga historianët dhe krijuesit tanë,deri me sot nuk ka kaluar më shumë së mënyrën e ripërsëritur dritë-zbehtë se: Milush Kopiliqi, ka qenë shqiptar nga Kopiliqi i Drenicës, dhe kaq. Pra një ripërtëritje e vakët e kësaj trajte pa formë deri me këtë rast, kur tanimë kemi në dorë një roman (që unë do ta quaja pasuri kombëtare!), për këtë figurë dhe për shtjellimin e thuktë të zhvillimeve shoqërore të asaj kohe, së cilës krijuesi Qeriqi i ka dhënë rrugë dhe jetë.
Vepra në tërësi është një epope heroike-epike, një vepër e llojit të vet, që ka për bazë kronikën dhe kronologjinë e ngjarjeve, të cilat janë ndërlidhur me kujdes përmes një imagjinate produktive dhe aktive në përshkrimin e rrethanave ekzistuese, historike të kohës, duke inkorporuar shumë nga elementet realistë të jetës së personazheve në përshkrim të karaktereve, temperamenteve, mirësive, por edhe ligësive të tyre, aspiratave, vuajtjeve, ndeshjeve të egra e me pasoja dhe tërë një botë që lëviz brenda, jo vetëm në Korpilian dhe në Drenicë, por edhe në principatat shqiptare, në Pallatin e Dushanit, në Prizren, në Pallatin e Sulltanit në Adrianopojë, në Manastir, në hanet e Adrianopojës, në burgje dhe sheshe qytetesh, në fshatra, në kisha e manastire, në fushëbeteja e në jetën e përditshme.
Përmbledhësisht, në vepër është pasqyruar një lëvizje e tërë një bote, e cila rrjedhë si kurorëzim i hulumtimeve disavjeçare të autorit, mbështetur në qindra burime historike. Vetë autori ka deklaruar se ka lexuar dhjetëra mijëra faqe nga historia e asaj periudhe në gjuhë të ndryshme si: në gjuhën shqipe, serbe, greke, italiane, turke dhe ka hulumtuar e gjurmuar relikte e fakte fizike sidomos në fshatrat e Drenicës qendrore, Kopiliq, Marinë, Prekaz, Rezallë, Likoc, Tushillë, Ticë, Llaushë, Kllodernicë, Vajanik, Terstenik, Abri e shumë fshatra të tjera.
Në këtë vepër janë skalitur shumë personazhe e ndër ta krye personazhi, Milush Kopliqi dhe Sulltan Muradi i Parë, dy protagonistët kryesorë të kohës, përfaqësues të dy botëve të ndryshme. Personazhet tjerë, gjuha e përdorur, kostumografia, lokacionet e Dernicës, arkitektura e asaj kohe të ndërtimit të kishave tona, traditën, besimin e fesë, ritet tjera, zakonet e fejesave, martesave, mjetet e rezistencës dhe mbrojtjes, gjuha dhe komunikimi, besa e lidhur me betimin mbi guri, që është thirrur: “Guri i betimit!”, si vendi i shenjtë ku është lidhur besa e burrave etj.
Segmenti tjetër; barbaria sllavo-ortodokse, që nuk ka ndryshuar që nga zanafilla e saj as këtu e shtatë shekuj më pas, që na u ripërsërit edhe pas gjithë këtyre shekujsh! Më së e saktë, për gjashtë shekuj, ka ndryshuar edhe reliefi tokësor, por barbaritë serbo-sllave-ortodokse, kundër popujve tjerë, nuk ndryshuan, as sot, që nga kohë e shkizmave që kalon një milenium!…
Është për admirim qasja e z. Qeriqi, i cili në asnjë rrethanë, nuk ka keqpërdorur mprehtësinë dhe fuqinë e tij krijues shumëdimensionale, për të shtrembëruar të vërtetën historike. Duke qenë besnik i së vërtetës, z. Qeriqi, më se një herë, ka paguar me lëkurën e tij, tagrin e saj, por kurrë nuk është zmbrapsur, gjithnjë duke qenë vrojtues i thellë i fenomeneve shoqërore, ai fuqishëm u përpoq ta bëj ndarjen mes mitizimit dhe realitetit, si dhe në veprat tjera, ai asnjëherë nuk ka rënë pre e ndërrimit të bindjeve me qëllim përfitimi personal.
Duke ecur nëpër kohë. z. Qeriqi, gjithmonë, ka vepruar me ndërgjegjeshmëri, dhe duke qenë para së gjithash vet i përgjegjshëm, z. Qeriqi, ka të drejtë morale, që edhe nga të tjerët të kërkoj përgjegjësi për fjalën e thënë dhe të shkruar në letrat tona!
z. Qeriqi, në romanin e tij më të ri: ”Guri i betimit”, personazheve të asaj kohe, ju ka dhënë frymë, ngjyrë, jetë, i ka bërë të prekshëm pas 6 shekujve!, duke i përjetësuar ata përgjithmonë si: Murgu Damjanus, Nikollë e Janina Danai (prindërit e Miroshi dhe Fitoshi), Kolë Nikoni, Gjergj Alpushi, Prenk Nikollë Mati, Bdek Zografi, Gjel Gjetani, Nikë Kurulli, Mhill Shaljani, Tomë Bahori, Nak Gashani, gurgdhendësit e njohur Dardan: Flori dhe Lauri nga Ulpiana etj.
Nuk kam shpjegim tjetër, veç asaj që kanë konstatuar edhe historian tjerë: përçapja ime në këtë shkrim, është që lexuesve t’ua preferoj për lexim një vepër të re, që letërsisë shqiptare i ka munguar deri me sot, ku figurat qendrore e Betejës së Kosovës të vitit 1389, ka qenë dhe mbetet, Milush (Nikollë) Kopiliqi me bashkëluftëtarët e vet nga një anë, si ruajtës dhe mbrojtës i gjuhë, fesë, zakoneve dhe tokave të Arbrit, dhe Sulltan Muradi i Parë si pushtues nga ana tjetër. Këto dy figura, njëherë janë edhe përfaqësues të dy botëve: të botës islame, e
cila po zgjerohej me Perandorinë Osmane, dhe botës së Krishterë e cila ishte vënë në mbrojtje të Evropës nga dominimi i furishëm Osman.
Pushtimi turk në këto troje dhe në Evropë, shikuar realisht, ishte hakmarrja e botës Islame për kryqëzatat që ndërmori Evropa, kundër myslimanëve dhe hebrenjve në shekujt XI e XII. Tanimë, romani: “Guri i betimit”, është në dorën e lexuesit i cili më së mirë do ta thotë fjalën dhe mendimin e vet. Ndërkaq, Ahmet Qeriqit, i urojmë shëndet dhe sukses të reja në letrat shqipe dhe në përditshmëri.