Shqipëria/Aktualitet

Gjykata vendos masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Sali Berishën

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

Sipas vendimit të GJKKO-së, Berisha duhet të mos largohet nga banesa dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të.

Gjithashtu, në vendimin e marrë sot me kërkesë të SPAK, gjykata ka vendosur që  Berisha të mbikëqyret nga policia.

“Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të. Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai. Mbikëqyrja e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si dhe urdhërimeve të përcaktuara në këtë vendim të kontrollohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, thuhet në vendimin e GJKKO.

Avokati Genc Gjokutaj e quajti të papranueshme mbikqyrjen policore si dhe ndalimin e tij për të komunikuar.

“Ajo që ishte shqetësuese është se ky vendim vjen me ndalim komunikimi për një deputet. Duhet të ishte marrë autorizim i veçantë nga kjo gjykatë. Pritej se kjo gjykatë ka bërë dhe shkelje më të mëdha. Vendimi ishte i thatë; ndalimi i komunikimit, dhe lejimi vetëm me familjarët që bashkëjeton”, tha ai.