SHKOLLA QË NA DUHET
Të drejtën e shkollimit në gjuhën e tyre amtare shqiptarët e fituan vonë, shumë vonë… Pushtuesit osmanë popullit shqiptar ia kishin mohuar çdo të drejtë kombëtare, edhe të drejtën e shkollave shqipe! Perandoria Otomane shqiptarët e konvertuar në fenë e tyre i quante “turq”, kurse shqiptarët me besim të krishterë i quante “kaurrë”! Ajo mohonte qenien shqiptare, në kohën që i njihte popujt tjerë dhe ua njihte të drejtat e tyre kombëtare…
Kjo vonesë shekullore popullit shqiptar i ka kushtuar shumë në humbjen e tokës (dy të tretat e tokës së Shqipërisë të zaptuara dhe të përvetësuara nga fqinjët shovinistë, kryesisht për fajin e osmanëve dhe të Fuqive të Mëdha), i ka kushtuar shumë në zhvillim ekonomik, në arsim, kulturë, shkencë, art, letërsi…
Prandaj, edhe shkalla e diturive te nxënësit tanë dhe rezultatet e shkollave tona janë “në fund të pusit”! Nuk them se mund të matemi me popuj që shkollimin fillor e kishin të detyrueshëm para më shumë se 200 vitesh, siç është populli japonez… Sepse, e tillë ishte historia tragjike e popullit shqiptar, që dikur ishte zot i Ilirisë (Ballkanit) e më gjerë…
Por, kjo e vërtetë e hidhur e të kaluarës së popullit tonë nuk mund të jetë argument që përdoret për t’i arsyetuar rezultatet e dobëta të shkollës sonë, kudo në trevat shqiptare! Populli ynë (shtetet tona!), shumë i vonuar, nuk duhet të pres 200 vjet për t’iu afruar popujve të përparuar, sepse po vendnumruam janë të gjitha gjasat që më parë të shuhemi se sa t’u afrohemi popujve tashmë të zhvilluar e të përparuar…
Që të mos tretemi e shuhemi, siç është shuar e tretur pjesa më e madhe e popullit tonë (në grekë, turq, serbë, malazezë, boshnjakë, “myslimanë”, kroatë…), na duhet ribashkimi i Shqipërisë dhe i kombit tonë në një shtet dhe me një flamur në hapësirën gjeografike shqiptare në Iliri… Na duhet edhe bashkimi shpirtëror rreth SHQIPTARISË, – vlerave dhe trashëgimisë së popullit tonë të lashtë sa vetë toka…
Për arritjen e këtij objektivi jetikë për kombin tonë dhe për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon e më gjerë faktor ndihmës dhe për shumëçka përcaktues është shkolla shqipe e përparuar dhe cilësore… Se shkolla, kultura, shkenca, arti, letërsia… mund të zhvillohen e të ngriten në shkallë evropiane edhe nga një popull i vogël ka dëshmuar shteti ynë AMË, Republika e Shqipërisë, gjatë viteve 1944 – 1990…
Në kohën tonë, në shekullin XXI, mundësitë dhe kushtet për një shkollë të përparuar, nga e cila do të varejë edhe shkalla e ngritjes dhe e përparimit të studimeve universitare – akademike, janë shumëfish më të mëdha dhe më të mira…
Shkolla jonë dhe rezultatet e saj maten me nxënësit që nxjerrë (“prodhon”). Nxënësi që mbaron 9 klasë shkollë, përveç aftësimit për shkrim – lexim, duhet të jetë edhe i edukuar, të paktën, për aq sa për të thënë: “mirëmëngjes”, “mirëdita”, “mirëmbrëma”, të lutem”, “urdhëro-ni”, “më fal”, etj.
Detyrë e rëndësishme (themelore) e shkollës do të duhejë të ishte edhe frymëzimi-ngjallja e dashurisë për gjuhën, atdheun, kulturën, diturin… dhe nxitja e vazhdueshme e nxënësit për t’u zhvilluar dhe për të përparuar në drejtimin e dëshiruar të shkollimit, profesionalizimit dhe përgatitjes për jetë, që të jetë i dobishëm për familjen, vendin dhe shoqërinë, e jo ta ketë mendjen për të ikur nga vatra e ngrohtë dhe Atdheu diku në dhera të huaja… Për të ikur në vende ku jetohet sa për të jetuar!! A e ka arritur shkolla jonë këtë “standard” minimal te shumica e nxënësve? JO!!
Nga shkolla jonë nuk bënë të kërkojmë dhe as të presim që t’i aftësojë shumicën e nxënësve për studime universitare e pasuniversitare… Shkolla jonë do të duhejë të ishte e zonja (e aftë) që ta “lexojë” dhe kuptojë prirjen dhe zotësinë e nxënësit në mënyrë që t’i jap drejtimin e duhur në shkollimin dhe formimin e mëtejmë, që do të përputhejë me prirjen, zotësinë, ambicien… e tij.
Në shkollën tonë nuk duhet të ketë nxënës që nuk i ka fituar, përveç shkrim – leximit dhe mirësjelljes, edhe njohuritë themelore nga matematika, fizika dhe shkencat tjera ekzakte, nga historia, nga gjeografia dhe shkencat tjera shoqërore. Kuptohet një pjesë e zgjedhur, sipas prirjeve dhe zotësive do të përgatiten për studime universitare…
Nxënësit tanë do të duhejë t’i kishin edhe njohuritë themelore për popujt dhe qytetërimet tjera në botë, për mjedisin dhe sistemin ekologjik, për “rendin botëror”, funksionimin e shteteve në marrëdhënie midis tyre (marrëdhëniet ndërkombëtare), etj.
E një rëndësie të veçantë (në rrethanat e një bote të mbarsur me rreziqe, konflike e luftëra…) është që shkolla jonë ta përgatitë dhe aftëson nxënësin me njohuritë dhe shkathtësitë themelore të mbrojtjes së vendit, të dhënies së ndihmës mjekësore në raste dhe rrethana të ndryshme (fatkeqësie, lufte…). A i jepen këto mësime (njohuri) dhe shkathtësi themelore nxēnësit nga shkolla jonë (kryesisht në shkollat e mesme)? JO!!
Hiç më e vogël për nga rëndësia nuk është edhe çështja e religjionit (e fesë) në kohën tonë dhe tendenca e tij për t’u bërë “partner” në shkollë, në politikë, në institute, në universitete dhe në gjithë sistemin!!…
Shkolla jonë do të duhejë t’ia shpjegonte nxënësit se religjionet (fetë, besimet) janë krijuar në periudha të ndryshme historike nga njeriu, siç u krijuan partitë politike në një stad të caktuar të zhvillimit të shoqërisë njerëzore dhe që në rrethana dhe kushte tjera një ditë do të shuhen…
Nxënësi duhet ta mësojë dhe kuptojë që religjionet nuk janë hyjnore, por sajesa të njeriut… T’u shpjegohet historia e religjioneve – e qytetërimeve të lashta, por edhe e religjioneve dhe qytetërimeve të vona dhe të ditëve tona… T’u thuhet dhe shpjegohet se në shoqëritë dhe vendet e civilizuara – moderne religjioni është i ndarë nga shteti, nga shkolla, etj. dhe se religjioni predikohet vetëm në kisha, xhamia, sinagoga e faltore tjera…
Mirëpo, që ta kemi një shkollē kaq të përparuar, që do të mund të ishte në vendin e 30, e jo në vendin e 77 (në fund të listës!!), do të duhejë një reformë rrënjësore e sistemit arsimor, e shkollës… Do të duhejë të kishim mësues dhe arsimtarë shumëherë më të ngritur e të përparuar, sidomos të përkushtuar (e kam fjalën për shumicën!)… Do të duhejë që shoqëria- shteti të siguronte pagën qê përmbush nevojat e arsimtarit dhe të familjes së tij (që arsimtari të mos angazhohet në punë tjera për ta mbajtur familjen)… Do të duhejë që qeveritë tona (Tirana, Shkupi, Prishtina…) të ndërtonin një program unik dhe tekste unike për shkollën shqipe këtu dhe jashtë Atdheut… Tirana dhe Prishtina qysh sot do të kishin mundur ta kishin një Ministri të vetme arsimi, siç do të duhejë të kishin një Ministri të vetme për Mërgatën dhe Diasporën Shqiptare… Deri atëherë nuk do ta ketë të lehtë shkolla shqipe, siç nuk do ta kenë të lehtë nxënësit tanë me këtë nivel të shkollës sonë!…
add a comment