Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXIII) KEPI I RODONIT – MREKULLIA NATYRORE E SKËNDERBEUT ENDE E PASHFRYTËZUAR

Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXIII)
KEPI I RODONIT – MREKULLIA NATYRORE E SKËNDERBEUT ENDE E PASHFRYTËZUAR
Njëra ndër zonat më të bukura e më interesante të Shqipërisë, edhe pse pasive dhe pak e vizituar, është Kepi i Rodonit ose Bishti i Muzhlit. Kepi i Rodonit është një rrip i veçuar toke i futur në det apo një gadishull i vogël në formën e trekëndëshit, që shtrihet mes Gjirit të Rodonit dhe Gjirit të Lalëzit në Detin Adriatik. Deri te Kepi i Rodonit mund të shkohet nga dy drejtime, nga autostrada Tiranë – Durrës dhe nga rruga Fushë-Krujë – Vorë. Ndodhet rreth 24 km nga autostrada Tiranë – Durrës, 50 km nga Durrësi, 50 km nga Tirana, 13 km nga Gjiri i Lalëzit, 37 km nga Fushë-Kruja. Rruga nëpër gadishull bëhet gjithnjë e më shumë interesante dhe duket sikur është e pambarim.
Në hershmëri Kepi i Rodonit ishte vendbanim ilir, me gjurmë të banimit nga shek. V p.e.r. Sipas legjendës Kepi atëherë ishte një zonë e shenjtë që i dedikohej Perëndisë Redon. Redoni, sipas mitologjisë, ishte perëndia ilire e ujërave, detit dhe tërmeteve, perëndi kryesore e ilirëve, siç ishte Poseidoni, te grekët dhe Neptuni, te romakët. Kërkimet nënujore kanë zbuluar këtu relikte anijesh antike të shek. III – IV p.e.r. Në mesjetë Kepi… ishte pjesë e Principatës së Topiajve, e përmendur në dokumente historike si qendër e piratëve. Në vitin 1324 vendi përmendet me emrin Redonum dhe Rhedones. Mendohet se gjatë shekujve emri Redon është shndërruar në Rodon.
Pas rrethimit të parë të Krujës, për të krijuar një sistem më të mirë mbrojtës, Skënderbeu nisi fortifikimet, d.m.th. riparimin e kështjellave ekzistuese dhe ndërtimin e kështjellave të reja. Fortesa e Rodonit ose Fortesa e Skënderbeut, me gjatësi të mureve rreth 400 metra, është ndërtuar, me urdhër të Skënderbeut në vitet 1451 – 1452. Qëllimi i ndërtimit ishte sigurimi i daljes së ushtrisë së tij në det dhe që do të shërbente si port për të tregtuar me vendet tjera. Fortesa e Skënderbeut është ndërtuar në themelet e një kështjelle ilire nga shek. IV p.e.r. Pas vdekjes së Skënderbeut fortesa ra në duart e venedikasve, të cilët e rindërtuan rreth vitit 1500 por, me pushtimin osman, kështjella u braktis, u shkatërrua dhe u kthye në rrënojë.
Kepi i Rodonit mbetet ndër bukuritë e rralla natyrore me vlera të mëdha turistike, historike e kulturore. Në sistemin monist ishte zonë ushtarake, ndërsa sot është monument natyre. Zona e Kepit mbetet një perlë e rrallë, por ende pak i shfrytëzuar, madje e rrezikuar nga erozioni dhe mbetjet urbane. Ujërat e detit e kanë gërryer edhe një pjesë të fortesës, duke i zhytur në det një pjesë të mureve të saj. Për të shkuar deri te fortesa duhet ecur këmbë nëpër një shteg të mundimshëm këmbësorësh. Çka është edhe më keq, zonën e mbrojtur, duke përfshirë edhe fortesën dhe kishën e Skënderbeut, e administron Kisha Françeskane, e cila ka vendos aty një tra hyrës (të paligjshëm) për pagesë.
Në Kepin e Rodonit ndodheshin katër manastire të vjetra katolike. Mendohet se kishte edhe një far ndriçues për anije, për të cilin nuk ka dokumente faktuese. Kisha e Shën Ndout ose kisha e Skënderbeut është një monument tjetër i trashëgimisë kulturore, i ndërtuar në stilin romano – gotik në shek. XIII. Në hyrje të saj duket një shqiponjë me dy krerë, simbol i Kastriotëve, ndërsa në brendësi ndodhet një luftëtare, e hipur në kalë, që paraqet Mamicën, motrën e Skënderbeut. Kisha është edhe objekt pelegrinazhi, pasi më 14 qershor ajo gdhihet me shumë vizitorë, të cilët aty ndezin qirinj, duke kërkuar një fat më të mirë të tyre.
Kepi i Rodonit sot është ndër destinimet më të njohura turistike në R. e Shqipërisë, edhe pse ende e pa hulumtuar sa duhet. Ai paraqet pamje tërheqëse fantastike dhe monumente të rëndësishme kulturore e historike. Megjithatë, këtu jeta është mjaft pasive dhe duket sikur ka ngecur në kohë, ndoshta për shkak se është mjaft i larguar apo mjaft i shkëputur nga zonat tjera të vendit.
Kepi i Rodonit paraqitet si një perlë e natyrës, një parajsë turistike, ku ndërthuren historia e lavdishme, natyra e paprekur dhe deti i kaltër dhe i pastër. Historia vjen nga hershmëria përmes monumenteve të trashëgimisë në tokë dhe në ujë, por edhe përmes gojëdhënave dhe kujtesës kolektive. Në Kep gjejmë portin antik, fortesën dhe manastiret mesjetare, bunkerët, kazermat dhe tunelet nëntokësore ushtarake. Shkurt, gjejmë natyrën, historinë dhe turizmin. Në fakt, Kepi i Rodonit është një park natyror, mjedisor, kulturor e arkeologjik, që mund të vizitohet në çdo kohë.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu, sipas M. Barletit, pushonte në Kepin e Rodonit pas betejave me hordhitë osmane. Ndërsa motra e tij, Mamica, e martuar me Muzak Topinë, i ka kaluar vitet e fundit të jetës në manastirin e Shën Klarës, që ndodhej afër kishës së Shën Ndoit.
Kepi shkëmbor i Rodonit, i futur thellë në det, është i rrethuar me bimësi të shumtë mesdhetare. Duke udhëtuar drejt këtij Kepi na shfaqen lëndina, lugina e kodrina të buta shumëngjyrëshe e të pambarim.
Kepi dhe Plazhi i Rodonit është një vend i mrekullive natyrore, një parajsë në tokë, që pret dorën e njeriut. Tashmë pjesë e guidave turistike të Shqipërisë, ky vend ofron natyrë të bukur, plazhe të qeta, kulturë të vjetër dhe histori të pasur. Kepi është oazë e qetësisë dhe e bukurisë natyrore, që nuk përshkruhet.
+6
Toutes les réactions :

Miran Kelmendi, Arban Bislimi et 100 autres personnes

5
4
J’aime

 

Commenter
Partager