Komenti

Xh. Gjini: Edhe përkrahja për popullin palestinez do të duhejë bërë shqiptarisht

EDHE PËRKRAHJA DO TË DUHEJË TË BËRË SHQIPTARÇE
Përkrahja për një popull që kërkon liri, shtet e drejtësi është e drejtë… Në vendet normale përcaktimi dhe angazhimi për ta përkrahur një çështje politike, sociale, mjedisore, kulturore, etj . është e kuptuar dhe e garantuar – rregulluar me kushtetutë dhe me ligje të vendit…
Me sa po duket nga fotoja përkrahjes për Palestinë i është dhënë ngjyrë fetare-sektare. Shqiptarët nuk do të duhejë ta jepnin përkrahjen arabçe, sepse palestinezët e duan një përkrahje ndryshe nga përkrahja arabe, përkrahje nga popujt tjerë të botës.
Do të ishte po kaq gabim nëse një grupim tjetër shqiptarësh do t’i jepnin përkrahje izraelitēve duke u shtirë, në veshje, paraqitje e sjellje si izraelitë! Po kaq gabim do të ishte edhe për ata që bëhen (shtiren) e hiqen më amerikanë se amerikanët, gjëja në emër të përkrahjes, “miqēsisë së përjeteshme”, etj. Njësoj edhe për të tjerë shqiptarë që hiqen si “turq”, “grekë”, “myslimanë” dhe harrojnë gjuhë, kulturë, traditë, veshje, flamur, zot e Atdhe, duke përqafuar gjuhë, kulturë, traditë, veshje, flamur, zot e Atdhe të huaj!!
Në çdo marrëdhënie me popuj, – kombe, gjuhë, kulturë, fe e traditë të huaj duhet të hymë si popull – komb shqiptar, me gjuhën, flamurin dhe kulturën e traditën tonë shqiptare. Sepse, të qenit shqiptarë ishte dhe mbetet vullnet i Perëndisë. Vetëm si shqiptarë do të jemi të respektuar nga vendet dhe kombet tjera dhe nga vet Zoti. Sa herë që përpiqemi të bëhemi amerikanë, turq, arabë, grekë, malazezë, italianë, myslimanë, boshnjakë, etj. s’do tê fitojmë gjë tjetër pos injorimin dhe përbuzjen e atyre që i “përkrahim” duke u bërë si ata…
Nderim për shqiptarët kudo që janë në botë dhe për popujt liridashës e paqedashës!