TIRANË, 16 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp me Olaf Scholz, kancelar i Republikës Federale të Gjermanisë dhe Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, foli mbi rëndësinë e këtij samiti për Shqipërinë, rajonin dhe vetë Bashkimin Europian.
“Kjo është një ditë e paharruar e cila po përmbyllet përkundër të gjitha parashikimeve të aplikacionit të motit ‘Apple’. Dëshira për të mbajtur sa më mirë miqtë tanë ka qenë më e fortë sesa çdo parashikim meteorologjik që gjatë gjithë javës na thoshte se do të ishte ditë me shi. Dhe nuk ishte kështu. I jam mirënjohës Zotit dhe BE-së që më siguruan se kjo ditë të niste me një diell të mrekullueshëm dhe të mbyllej me një fllad të këndshëm”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se samiti u mbyll me diskutime mjaft të frytshme, me shkëmbime vërtet të hapura dhe me një ndjenjë të vërtetë miqësie.
“Nuk do të gjeja dot kurrë fjalët e duhura për të falënderuar Kancelarin Scholz, që në një mënyrë kaq të hirshme ishte i hapur për idenë për ta sjellë Procesin e Berlinit jashtë BE-së, në Tiranë. Dhe nuk do të gjeja dot kurrë fjalët e nevojshme për të falënderuar Presidenten e Komisionit që i dha këtij samiti diçka vërtetë thelbësore përmes planit të ri të rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se ky është moment i vështirë në kohë për çdokënd dhe sfidat me të cilat ne të gjithë përballemi janë të jashtëzakonshme për shkak të krizave të njëpasnjëshme që kanë goditur të gjithë ne, qofshim Europë me B apo Europë pa B-në bashkëlidhur.
“Nuk duket se gjërat bëhen më mirë përpara sesa të përkeqësohen në shumë fronte, përfshi frontin e ri të tmerrshëm në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit. Këto kohë kanë farkëtuar miqësinë, bashkëpunimin tonë, ndenjën e përbashkësisë dhe falë udhëheqjes së BE-së, ajo çfarë ka ndodhur është shfrytëzuar për të parë përpara me një besim më të fortë kundrejt Ballkanit Perëndimor”, shtoi Rama.
Kryeministri e falënderoi Kancelarin Scholz për gjithçka po bën për ne. “Faleminderit që jeni një fuqi e qetë dhe mbresëlënëse që këmbëngulni për t’i shtyrë BE-në dhe Ballkanin Perëndimor për të ardhur më afër me njëri-tjetrin!” – tha ai.
/r.e/