Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtimet nëpër Atdhe (CCLX) – BOGA – FSHATI TURISTIK ME PROBLEME TË MBIJETESËS

Shtegtimet nëpër Atdhe (CCLX)
BOGA – FSHATI TURISTIK ME PROBLEME TË MBIJETESËS
Fshati Bogë i Njësisë Administrative të Shkrelit, i përket Bashkisë dhe Rrethit Malësia e Madhe, Qarkut të Shkodrës dhe është pjesë e krahinës së Kelmendit. Për të shkuar në Bogë duhet ndjekur rrugën nacionale Shkodër – Hani i Hotit dhe në udhëkryqin në afërsi të Koplikut merret rruga për në Theth. Boga, në lartësi mbidetare 900 deri 2568 metra, gjendet në gjysmën e rrugës për Theth. Nga Shkodra është larg 47 km, nga Kopliku 29 km dhe nga Thethi 29 km.
Boga (e Shkrelit) ndodhet në thellësi të Alpeve Shqiptare dhe në luginën e Përronit të Thatë, që është një luginë akullnajore në formë të një rrethi, e rrethuar nga malet e larta mbi 2000 metra. Në zonën e Bogës janë gjetur dëshmi arkeologjike të vendbanimeve antike ilire dhe romake. Andej pari ndodhen shumë shpella, që ishin vendbanime parahistorike. Si vendbanim njihet që nga shek. XV, ndërsa defteri i regjistrimit osman i vitit 1485 e ka treguar Bogën si vendbanim me vetëm dy shtëpi. Kur organizimi ishte në formën e bajraqeve, në fund të shek. XVII, Boga ishte njëri ndër katër bajraqet e Kelmendit. Gojëdhëna flet se Boga e ka marrë emrin e djalit të dytë të Klementit, nga i cili është formuar fisi i Bogës, pjesë e fisit të Kelmendit, i vendosur mes maleve të Shkrelit, Kastratit, Shalës dhe Kelmendit.
Si një vend dhe një zonë me pozitë shumë të mirë gjeografike, me pamje të mrekullueshme dhe klimë të shëndetshme, Boga ka qenë vend ku kanë pushuar të pasurit e Shkodrës, ndërsa sot pushojnë turistë të shumtë vendorë dhe të huaj. Ajo paraqet një zonë mjedisore e turistike me biodiversitet të zhvilluar; 150 lloje të bimëve mjekësore, 25 lloje gjitarësh, 40 lloje shpendësh.
Fshati malor i Bogës është ndër fshatrat më të bukur dhe më të veçantë. Mirëpo, edhe Boga ka probleme të shumta, që e bëjnë jetën shumë të rëndë. Veçanërisht përmendet largësia me qytetin, mungesa e shpeshtë e energjisë elektrike, mungesa e ujit për pije, infrastruktura e dobët rrugore, mungesa e sinjalit telefonik etj.
Fshati Bogë, me rreth 250 banorë, shumë herë gjatë vitit dëmtohet nga reshjet e shumta dhe nga vërshimet e përrenjve malorë. Veçanërisht dëmtohen rrugët, urat dhe shtëpitë e fshatit, duke marrë ndonjëherë pamjen e një fshati të shkretuar. Edhe gjatë dimrave të gjatë e të ftohtë, Boga pothuaj tërë dimrit izolohet nga bora e madhe, që zakonisht bie në këtë anë.
Në Bogë ndodhet njëri ndër hotelet më të veçantë, i quajtur Kulla e Bajraktarit, që gjendet në lartësinë 1750 metra. Pronari i hotelit, me profesion veterinar, është kthyer nga emigrimi për ta rindërtuar kullën e trashëguar nga të parët. Një objekt tjetër turistik është edhe “Boga Alpine Resort”, por ka edhe objekte tjera turistike e bujtina. Gjithashtu, është rimodeluar dhe funksionalizuar Sheshi i Kronit, si një pikë qendrore orientuese e fshatit. Shtëpitë prej guri janë të ndërtuara sipas stilit tradicional, autentik dhe origjinal, që kanë arkitekturë tipike të kushtëzuara nga kushtet natyrore, historike dhe ekonomike. Jeta e rëndë në këtë fshat ka bërë që shumica dërmuese e popullsisë të emigrojnë jashtë vendit. Ky emigrim i theksuar ka ndikuar edhe në rënien e numrit të fëmijëve të shkollës së fshatit.
Boga, e vendosur mes Shalës e Shoshit, është një vend me vlera të veçanta turistike; me natyrë të paprekur, me ajër të pastër, me pamje magjepse, me ushqim organik dhe, sidomos, me mikpritjen tradicionale malësore. Përveç turizmit malor alpin dhe formave tjera të turizmit, Boga njihet edhe për vlerat dhe vetitë e saj shëruese, duke mundësuar edhe zhvillimin e turizmit shëndetësor.