Komenti

Xh. Gjini: Qyfyre qyfyrexhinjsh fejsbukian për çështje serioze

QYFYRE QYFYREXHINJSH NË KOHË SERIOZE
Sulmi terrorist i Serbisë ndaj Kosovës shqiptare ka krijuar një situatë gati krejtësisht të re… Ajo që i druheshin shqiptarët dhe ajo që përflitej në kuluaret e shërbimeve sekrete u pa të shpërfaqej nga një grup i strukturuar, i organizuar dhe i trajnuar mirë nga sektorë dhe shërbime të specializuara të Serbisë, i cili sulmoi Republikën e Kosovës shqiptare me qëllim konflikti dhe destabilizimi më të gjerë…
Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me KFOR-in dhe EULEX-in, e “neutralizoi” këtë bandë terroristësh me profesionalizēm dhe sukses…
Sulmi terrorist ndaj Kosovës shqiptare dhe vrasja e oficerit të policisë së Kosovës u dënua nga NATO-ja, nga SHBA-ja, nga BE-ja dhe nga shumë vende të botës… Serbia u (vetë)demaskua si asnjëherë tjetër në këto vite… Situatë e re dhe rrethana të favorshme për ta shkulur praninë e Serbisë nga territori i Kosovës shqiptare…
Reagimi i Tiranës zyrtare ishte i menjëhershëm dhe pa ekuivoke… Natyrisht, që edhe shqetësimi i shtetit tonë, Republikës së Shqipërisë, ishte më i shprehur… Shteti ynë kishte shumë më shumë informata, shqetësuese…
Propozimi i Kryeministrit Edi Rama që rajoni “problematik” të vendoset nën kontrollin e forcave të KFOR-it ngjalli reagimin e krerëve të institucioneve në Prishtinë dhe të militantëve (partizanëve) axhaminj e qyfyrexhinj të tyre!!…
Forcat e Armatosura të Kosovës ende nuk kanë fuqi dhe zotësi të mjaftueshme për t’u përballur me fuqinë dhe zotësinë ushtarake të Serbisë… Pse jemi në këtë gjendje, kush është përgjegjës, etj. është temë tjetër. Sigurisht që dy duar për një kokë janë dhe shqiptarët nuk i tremben Serbisë, sepse me Kosovēn është shteti i saj, Republika e Shqipërisë, trojet tjera shqiptare (ende të pushtuara) dhe shqiptarët kudo në botë, është SHBA-ja – NATO… Kjo është po erdhi puna te lufta.
KFOR-i edhe sot ka mandat (këtë mandat e ka njohur Republika e Kosovës) për ruajtjen e kufijve të Kosovës… Policia e Kosovës nuk mund t’i afrohet kufirit më afër se 1 km, kurse FSK-ja nuk mund ta kalojë lumin e Ibrit pa lejen e KFOR-it!! Kjo ishte pranuar dhe miratuar nga qeveritë e mëparëshme (janë bërë edhe marrëveshje!). E padrejtë, por tash për tash është kështu… më vonë, kur të jemi më të zotët dhe më të fuqishëm edhe mund të ndryshohet ky “raport” e kjo marrëveshje (edhe tjera si kjo…) vetëposhtëruese…
Prandaj, kërkesa e Kryeministrit tonë shqiptar që KFOR-i ta marrë në kontroll atë rajon ishte e drejtë në kontekstin e dhënë… Kjo nuk nënkupton largimin dhe as zëvendësimin e policisë së Kosovës, por ruajtjen dhe mbrojtjen e kufirit në atë pjesë ku sot nuk mund të vendoset FSK-ja, nuk mund të vendoset policia, ku sot janë ofruar e po ofrohen forca të mëdha ushtarake dhe armë e makineri të rënda të Serbisë shoviniste…
Kontrollimi – mbrojtja e kufirit shtetëror në atë rajon nga KFOR-i – NATO do ta “dekurajonte” Serbinë dhe do ta vështirësonte dhe pamundësonte në masë të madhe hyrjen e bandave dhe grupeve terroriste e diversante të Serbisë… Pamundësia e hyrjes së grupeve të strukturuara dhe të stërvitura për akte diversante dhe terroriste krijon mjedis të qetë në ato komuna dhe siguri e normalitet për veprimtarinë e policisë së Kosovës dhe ushtrimin e përgjegjësive ligjore e kushtetuese të saj… Prania dhe fuqia e policisë së Kosovës në ato komuna duhet të rritet… Zgjidhje edhe më e mirë, gjë që duhet ta inicojnë dhe kërkojnë autoritetet e Tiranês e të Prishtinës, është anëtarsimi i Republikës së Kosovës në NATO, me procedura të përshpejtuara… Por, puna është si të veprohet këto ditë që Serbia të mos “guxoj” të dërgojë grupe e banda tjera për të provokuar e kryer sulme tjera terrorise në territorin e Republikës së Kosovës… Kjo dhe arsye si kjo, mendoj unë, duhet ta kenë shtyrë Kryeministrin Rama të kërkonte kontrollin e atij rajoni nga KFOR-i, që në fakt është forcë ushtarake e NATO-s…
Qyfyret e krahut partizan e militant fejzbukian edhe mund të kuptohen, madje edhe të na zbavitin, kur japin e marrin me sa fuqi kanë (duke u bërë edhe qesharak) t’i tregojnë Kryeministrit tonë shqiptar kush është Serbia e kush është Vuçiçi…, por nuk është e lehtë të kuptohen reagimet e krerëve të institucioneve, të ministrave e zyrtarëve të lartë!!… Këta në vend se të vraponin për t’i takuar autoritetet e shtetit tonë dhe për t’u këshilluar e bashkërenduar me ta në këtë situatë të re, hedhin vickla e shesin trimëri deklarative… nga kabinetet e tyre… Sepse, pa të tjerët edhe mund të bëjmë ose mund të mbetemi një ditë, por pa shtetin tonë as nuk mund të bëjmë dhe as nuk do të mbetemi kurrë… Kosova është çështje shqiptare, si çdo trevë shqiptare, dhe nuk mund të shkëputet nga kombi shqiptar… Kombi shqiptar, pa dëshirën dhe vullnetin e tij, jeton në 6 shtete, por ka vetëm një Atdhe – një Shqipëri…
Me qyfyret dhe me qyfyrexhinjtë e rrjeteve sociale nuk bëhen politika shtetërore e kombëtare! Këta qyfyrexhinj e sehirxhinj janë kryesisht shqiptarë që janë plakur ose po plaken pa ua pa hajrin me asgjë Kosova dhe çështja e pazgjidhur shqiptare! Për më tepër midis tyre ka të tillë që ishin në anën e gabuar… Deficitin e tyre patriotik kërkojnë ta “përmirësojnë” me donkishotizmin fejsbukian!?
Çështja ishte, është dhe mbetet shumë më serioze, prandaj kërkohet pjekuri politike, diplomatike e shtetërore nga ata që kanë marrë mandate në emër të shqiptarëve, sidomos këtu në Prishtinë… Kërkohet unitet politikë e kombëtar dhe bashkëpunim e bashkërendim i sinqertë midis qeverive dhe forcave politike shqiptare që të arrihet ruajtja e fitoreve të arritura me përpjekje, mençuri, mund e luftë çlirimtare dhe pavarësimi – shkëputja e plotë nga Serbia, që është kusht sine que non për të ecur më tej…