Vështrim/Analizë

Fatos Tarifa: VDEKJA E ARSYES – Pse të mos flasin edhe kinezët shqip?

Për të mënjanuar çdo keqkuptim, deklaroj që në hyrje dy të vërteta: E para, unë nuk jam as gjuhëtar, as historian. E dyta, unë e dua gjuhën time, shqipen, të cilën gjithnjë jam përpjekjur e përpiqem ta flas e ta shkruaj drejt, saktë dhe bukur dhe, po kështu, jam shumë i interesuar ta njoh objektivisht historinë e vendit dhe të popullit tim.

Këto dy të vërteta që sapo deklarova më shtyjnë të shkruaj për një dukuri që, edhe pse jo masive, është bërë shqetësuese për shumë njerëz te ne. Jo vetëm në rrethet akademike, por edhe në radhët e shumë qytetarëve që kanë një sens realist në gjykimet e tyre, ose një common sense, nëse më lejoni të përdor një term që, i huazuar prej Aristotelit, përdoret sot gjerësisht në gjuhën e përditshme thuajse kudo.

Mbrëmë, një meme që qarkullon në rrjetet sociale, u bë shkak i një vargu shkëmbimesh online—disa serioze, disa humoristike—me miq e shokë. Çfarë thuhet në atë meme me dy fjalë, është kjo: Shqipëria është përsëri “kërthiza e botës”.

…për disa shqiptarë të sotëm vendi ynë është “origjina e gjithçkaje” mbi Tokë dhe gjuha shqipe “e para gjuhë që ka folur njerëzimi”!

* * *

Një milenium para Erës së Re, duke mos pasur as më të voglën ide mbi qytetërimet e tjerë në perëndim, kinezët besonin se perandoria e tyre shtrihej në qendër të botës, e rethuar nga popuj barbarë, ndaj edhe e quajtën atë “Perandoria e Qendrës” (Middle Kingdom).

Një milenium para kinezëve ishin egjiptianët ata që e quajtën perandorinë e tyre “Middle Kingdom”. Pas tyre ishin grekët e lashtë ata që e bënë Europën “qendër të botës”, edhe pse njihnin një pjesë shumë të vogël të këtij kontinenti—kryesisht bregdetin e verior dhe atë jugor të Mesdheut dhe disa territore në veri dhe në lindje të tij. Kur u zbulua Amerika, ky kontinent u quajt “Bota e Re”, ndërsa europianët vazhduan ta quanin kontinentin e tyre “bota e vjetër”.

Të gjitha këto tashmë kanë rënë pasi disa shqiptarë, që shquhen për “patriotizëm” të flaktë dhe njohuri “të jashtëzakonshme” historike e gjuhësore (edhe pse, njëlloj si unë, nuk janë as historianë, as gjuhëtarë), kanë “zbuluar” dhe besojnë—pa pasur nevojë të provojnë gjë prej gjëje—se asgjë në këtë botë që popullohet nga tetë miliardë njerëz nuk bën kuptim dhe s’mund të shpjegohet pa ne, pa disa milionë shqiptarë, dhe pa gjuhën shqipe.

Është krejt pa rëndësi të përmend emrat e atyre personave që janë autorë, mbrojtës apo përhapës të pikëpamjeve të tilla, ndaj edhe maftohem me ato çka ata besojnë dhe thonë. Dhe çfarë ata thonë janë ide të tilla deluzive si:

“Në Romën e lashtë flitej shqip”; “gjermanishtja mund të kuptohet përmes shqipes”, në mos edhe ka rrjedhur prej saj; “në Francë është folur shqip”; “greqishtja është bijë e shqipes”; “shqipja është çelësi i të gjitha gjuhëve indo-europiane”. Edhe Thoti, një prej perëndive në Egjiptin e lashtë dhe vetë egjyptianët kanë folur shqip. (Pse jo, a nuk flet shqip edhe nipi im Heru, që mban emrin e një prej perëndive kryesore të Egjiptit të lashtë :).

Por nuk janë vetëm këto. “Hebrejtë e zanafillës flisnin shqip”; pellazgët po se po. Edhe “sumerët dhe aztekët e Meksikës flisnin shqip”. “Krishti vetë ishte shqiptar”; “shqiptar ishte edhe Zeusi”. Shqipja është folur që në fillimet e njerëzimit; ajo është “gjuha e parë”, “mëma e të gjitha gjuhëve”. Gjuha shqipe është “gjuha e natyrës” dhe vetë “natyra ka folur shqip qysh nga fillimi”.

* * *

Është një mori idesh nga më fantazmagoriket që disa, pa pikë droje, madje me shumë zell dhe me delirin e “zbuluesve të mëdhenj”, i thonë kudo që munden—në libra që i sponsorizojnë vetë, në artikuj gazetash, në intervista televizive, në portale dhe blogje të ndryshëm.

Edhe pse pikëpamjet e tyre variojnë, këta njerëz kanë të përbashkët tri gjëra:

E para, ata vetë e shkruajnë dhe e flasin keq gjuhën shqipe.

E dyta, pikëpamjet e tyre janë larg edhe prej asaj që mund të quhej “shkencë divulgative”.

E treta, këta njerëz janë me njëri-tjetrin në një garë që tashmë ka mbaruar, pasi dikush prej tyre e ka gjetur, më në fund, origjinën më të lashtë të gjuhës sonë—shqipja ka lindur bashkë me njeriun, si gjuhë e humanitetit, si gjuha e parë e Homo sapiens-ëve, madje kjo gjuhë është e vjetër sa vetë natyra, sepse është “gjuha e natyrës”!!!

Që Zeusi ishte shqiptar dhe fliste shqip, kjo as duhet vënë në dyshim. Ç’mund të ishte tjetër Zoti i të gjithë zotave veçse një shqiptar dhe ç’gjuhë tjetër mund të fliste ai veç shqipes! Këtu mbyllet çdo gjë dhe bëhet e panevojshme që t’i shkohet më thellë njohjes sonë!

“Teoritë” e njerëzve të tillë, sidoqoftë, kanë disa mungesa të ndjeshme, ndaj edhe kërkohet të zhvillohen më tej. Duhen më shumë hulumtime, më shumë se korrelacione iluzore, më shumë fantazi dhe, domosdo, më shumë zell “patriotik”.

Fjala vjen, ende nuk janë dhënë prej tyre prova të mjaftueshme nëse ishin shqiptarët e Mesjetës së vonë ata që u vendosën mes banorëve indigjenë të Meksikës në periudhën e tyre post-klasike (e njohur ndryshe edhe si periudha e kulturës parakolumbiane) dhe u mësuan atyre shqipen, apo ishin grupe aztekësh ata që emigruan në trojet shqiptare në prag të invazionit osman dhe e mësuan shqipen këtu, për ta bërë atë gjuhën e aztekëve në vendin e tyre.

Ose, nëse Krishti ishte shqiptar dhe fliste shqip, pse s’mund të ketë qenë shqiptar edhe profeti Muhamed dhe pse ai duhej të fliste një gjuhë tjetër, të ndryshme nga shqipja?!

Ose, nëse Demokriti, filozofi materialist i Greqisë së lashtë, pra edhe ai një shqipfolës, udhëtoi në shekullin e pestë para Erës së Re, përmes Azisë Qendrore, deri në Indi, ai mesiguri duhet të jetë marrë vesh me banorët e atyre viseve të largëta në shqip. Edhe ky është, pra, një subjekt për t’u eksploruar.

Por, ndoshta, edhe vetë Buda, edhe pse i lindur në atë vend që sot quhet Nepal, duhet të ketë folur shqip. Ç’gjuhë tjetër mund të flisnin ai, indianët dhe popujt e tjerë të Azisë Juglindore që përqafuan budizmin si fenë e tyre?! Po pse jo edhe Konfuci dhe Lao Zë në Kinë, bashkëkohës të Budës, dhe tërë kinezët?!

* * *

Në shkencë, faktet janë kokëfortë. Faktet duhen provuar. Dhe ata provohen nëse janë ose ndodhin realisht, nëse evidentohen ose zbulohen empirikisht, nëse shpjegohen përmes një arsyetimi kritik e rigoroz. Në shkencë asgjë nuk pranohet si e vërtetë absolute, e provuar një herë e përgjithmonë. Nëse thua Zeusi dhe Krishti flisnin shqip dhe se shqipja është gjuha e parë e njerëzimit, ky është jo vetëm fundi i kërkimit dhe i asaj çka synojmë të njohim e të mësojmë përmes shkencës, por edhe fundi i vetë të menduarit racionalVdekja e Arsyes.

Unë nuk e di se çfarë i lidh me shkencën ata individë që historinë e shqiptarëve e rrëfejnë si të ishte një përrallë dhe gjuhën tonë e shpallin gjuhën e perëndisë. Kushdo që i kundërshton mendimet e tyre nuk është patriot, nuk i do Shqipërinë, as shqiptarët dhe aq më pak gjuhën e tyre.

A kuptojnë vallë këta njerëz se ç’është shkenca dhe ç’do të thotë të bësh shkencë! Tre mendimtarë të mëdhenj racionalistë do u vinin në ndihmë të kuptonin se sa miliona vite larg janë ata nga ajo sipërmarrje e madhe dhe e vështirë që quhet shkencë—Francis Bacon, Karl Popper dhe Bertrand Russell.

Për të parin, shkenca nuk bëhet duke sajuar “të vërteta” nga vetvetja, siç tjerr merimanga rrjetën e saj, as duke mbledhur pa kriter, andej-këtej, çdo gjë që të del përpara.

Për Popper-in, teoritë shkencore mund të testohen vetëm nëse ato provojmë t’i hedhim poshtëjo t’i verifikojmë. Shkenca për të është një proces; ajo nuk është kurrë një e vërtetë përfundimtare.

Për Russell-in, ata që thonë se e vërtetë është ajo që ata vetë mendojnë se është e tillë, nuk dinë se ç’thonë. Duke e vënë theksin në rëndësinë që ka në shkencë mendimi racional kritik, Russell thoshte se mendimi kritik nënkupton edhe vetë reflektimin kritik ndaj çdo gjëje që merret si mendim kritik.

Ata që janë shkencëtarë të vërtetë janë njerëz modestë. Arsyeja është e thjeshtë: shkencëtarët e vërtetë e dinë se përballë një realiteti që është pafundësisht i gjerë, i komplikuar dhe kurrë i njohshëm përfundimisht, dijet e tyre janë veçse pjesërisht, relativisht dhe përkohësisht të saktaasnjëherë të vërteta absolute e përfundimtare. Për ta nuk ka Zeus, Krisht, fillim apo fund që të shpjegojë atë çfarë ata duan të zbulojnë e të kuptojnë.

* * *

A i vlen të merremi me këta pseudostudiues, pseudohistorianë e pseudogjuhëtarë shqiptarë, që gjithnjë e më shpesh po shfaqen në ekranet e disa televizioneve dhe në disa gazeta? Ndoshta jo!

Por, nëse kur të keqen e ndeshim të shfaqet dhe kur e shohim të ndodhë rrimë e bëjmë sehir—si spektatorë të një shfaqejeje komike që mundet edhe të na argëtojë—dhe vetëm presim, e keqja dhe e pavërteta, sidomos kur kamuflohen si qëndrime dhe si një detyrë patriotike, hedhin rrënjë lehtë, sidomos në radhët e një brezi të ri që lexon gjithnjë e më pak.

Interneti e ka bërë sot shumë të lehtë që dije të rreme—nga teoritë konspirative deri te njohuri që, edhe pse mund të synojnë një qëllim të mirë, janë të paverifikuara e të pavërteta—të përhapen masivisht e të krijojnë një mjedis jo miqësor për zhvillimin e arsimit e të shkencës. Interneti ka bërë të mundur edhe që njerëz pa asnjë meritë dhe pa asnjë kredibilitet shkencor të hiqen e të shiten sot para një publiku jomirë të informuar si studiues apo shkencëtarë të vërtetë. Kjo, në vetvete, përmban një rrezik real.

Edhe pse nuk ka ndonjë lidhje të drejpërdrejtë me këtë çka thashë më sipër, kujtoj se, disa kohë më parë, kur një kolegu im profesor, anëtar i Akademisë së Shkencave, më tha me mburrje se ai është më i njohur në botë se sa Eqrem Çabej, pasi në ResearchGate ai është më i cituar sesa Çabej dhe ka një “research interest score” më të lartë sesa gjuhëtari ynë më i shquar.

Çfarë megallomanie! Kur Eqrem Çabej u nda nga jeta, në vitin 1980, Interneti nuk ishte as ndër ëndrat më të guximshme të njerëzimit dhe, pra, nuk kishte se si vepra e shquar e tij të bëhej botërisht e njohur kudo dhe për këdo, siç ndodh rëndom sot me çdo tezë masteri dhe me “studimet” e dhjetëra pseudohistorianëve, pseudoantropologëve apo shqiptarologëve diletantë si ata për të cilët shkrova më sipër.

Ndërsa dëgjoja kolegun tim akademik të mburrej për “meritat epërore” të tij ndaj Çabejt të madh, aty për aty më erdhën ndër mend fjalët e të ndjerit Prof. Zija Xholi, mendorit tim në Universitetin e Tiranës, kur na fliste me shumë pasion për filozofët e lashtë grekë. “Ne të gjithë dimë sot shumë më tepër sesa dinte Aristoteli në kohën e vet”, thoshte Prof. Xholi, “por askush nga ne nuk është më i mençur se ai”.