Sherbetori Buzhala i tregon zoteris ku ta lidhe gomarin
Prishtinë, 28 shtator 2012
Pak fjale per hyrje
Shoqëria jonë po vazhdon të përkundet në djepin e një krize të thellë morale, kuptohet, pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike, sociale e politike. Kësaj krize morale nuk po mundet t’i shpëtojë as Partia më e madhe në vend, Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka hisen më të madhe në qeverisje (pushtet) dhe në këtë krizë. Pas hallakamës së madhe (rrahjes me karrike) në LDK, që shpuri në shkërmoqjen e kësaj partie, PDK-ja fitoi zgjedhjet në shumicën e komunave dhe doli forca e parë politike në Kosovë edhe në zgjedhjet e përgjithshme. U bë mirë, sepse me këtë Parti (në strukturat) ishin bashkuar dhe udhëhiqnin njerëzit, emrat që kishin drejtuar, përfaqësuar dhe fituar Luftën Antipushtuese Çlirimtare. Mandati i parë i kësaj Partie në institucionet qendrore dhe në ato vendore mund të them me bindje se shquhej për një përkushtim, zotim dhe energji kryesisht pozitive. Kishte një entuziazëm që u shndërrua në politika dhe projekte publike. Ishte një mandat që, me gjithë gabimet e vogla, “prodhoi” të mira publike për interesat e qytetarëve. Mandati i dytë nisi mbrapshtë (si duket na morën mësysh), vazhdoi mbrapshtë dhe, sipas të gjitha gjasave, do të përfundojë mbrapshtë. Rrënjët e kësaj mbrapshtie gjenden te hartimi i listës së kandidatëve për deputetë, pastaj e keqja vazhdoi me procesin zgjedhor dhe me votën e manipuluar e të vjedhur dhe kulmon me koalicionin famëkeq me Pacollin, me Ukë Rugovën, Bukoshin dhe me disa axhami që nuk kishin as moshën dhe as përvojën për të marrë dhe ushtruar funksione të larta shtetërore.
Buzhala sinonim i denj i krizës morale
Dje ishin mbushur gazetat, faqet dhe rrjetet e internetit me “prononcimet” e Berat Buzhalës për intervistën e sekretarit të Përgjithshëm të PDK-së dhe Kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqit! I lexova, i rilexova dhe po mendoja: mor, po kush është ky Berat Buzhala? Çfarë përfaqëson ky në PDK? Anëtar i PDK-së nuk është (nuk ka qenë asnjëherë), madje ishte i dalluar për “sulmet” e tij (me kaçikun e tij) ndaj kësaj Partie. Në listën e PDK-së për deputet ka hyrë dhunshëm, votat për te janë vjedhur. Të gjithë e dimë (shikoni të dhënat zyrtare) sa vota, me gjithë vjedhjen, kishte marrë ky njeri. U dasht ndërhyrja dhe përsëritja e zgjedhjeve në dy komuna për t’ia siguruar-vjedhur votat (kuptohet me të mbushme të kutive) këtij dhe dy-tre tjerëve, të preferuar të dikujt, por jo të PDK-së!! Ky “azgan” ka “guximin”, ka pafytyrësinë me dalë dhe me u prononcu në emër të PDK-së! Madje, me i tregu Sekretarit të përgjithshëm të Partisë dhe para së gjithash me i dhënë mend Jakup Krasniqit dhe me një farë mënyre me i tregu derën në shtëpinë e tij?! Vjen hajduti, hynë dhunshëm në shtëpinë tënde dhe të tregon derën!! Më liro shtëpinë, thotë hajduti!! Unë respektoj vendimin e Krasniqit, thotë Buzhala për mediat tona, të cilat nuk janë më pak në krizë morale dhe profesionale. Ai mund të rrij, por mund edhe të shkojë! Unë për vete, vazhdon ai, pretendoj majat e PDK-së, vazhdon Buzhala!! Secili anëtar i PDK-së me të drejtë pyet: Kush është ky Berat Buzhala? Ç’lidhje ka ai me PDK-në? Vërtetë ka grabitur dhe vjedhur një mandat deputeti, por në asnjë mënyrë nuk do të duhej të fliste kurrë në emër të PDK-së. Meqë, e ka marrë atë mandat do të bënte mirë (sikur mos të ishte në një krizë të thellë morale), të fliste vetëm në emër të atyre që kanë vjedhur votat për te dhe e kanë veshur me një mandat, që në vendet normale është më shumë se i rëndësishëm dhe i veshur me ndere e përgjegjësi. Ndërsa në PDK as nuk hyhet as nuk dilet nga prapanica e H. Thaçit, le ta dij mire ky pinjoll i hajnise!
Kurse shqiptarët e profilit të Jakup Krasniqit, si dhe gjithë brezi i “vjeter” liridashës, që sot jemi bërë “therrë” në PDK për brezin e
“ri” Buzhalist, profiterëve të lirisë, përpiqeshin dhe qëndronin e luftonin për liri, për të drejta kombëtare, politike, demokratike, ekonomike dhe përparim të gjithanshëm. Edhe sot me Buzhalët vetëm këtë problem dhe dallim të “vockël” kemi: ne zotohemi, përpiqemi dhe këmbëngulim për demokratizimin e PDK-së dhe të mbarë shoqërisë sonë, kurse Buzhalët vazhdojnë të zotohen, të përpiqen dhe të këmbëngulin për ringjalljen e ideve, vlerave, politikave dhe ideologjive të tejkaluara, metodave të vjetruara qeverisëse – udhëheqëse në vend dhe në partitë tona. Kuptohet, idet dhe “mallin” e tyre kujdesen mirë që ta shesin me një ambalazh të ri, të kohës, por tejdukshmëria e ambalazhit dhe etja për t’i kapur majat e PDK-së po i tradhton. Edhe sot lexova një mal me shpifje në adresë të J.Krasniqit-PDK-së, nga njëra anë, dhe një mal me servilizëm dhe sahanlëpirje në adresë të Hashim Thaçit dhe (sipas këtyre sahanlëpirësve) pushtetit të tij, partisë së tij… Edhe ky servilizëm dhe kjo lëpirje për t’i bërë qejfin Hashimit bëhet pikërisht për ta dëmtuar PDK-në dhe kundër PDK-së. Hashim Thaçi nuk ka nevojë për lëvdat e tyre që për qëllim përfundimtar kanë dobësimin sa më të madh të PDK-së dhe të vlerave të saj.
Partia Demokratike ishte dhe është e hapur për të gjithë shqiptarët dhe qytetarët e vendit që janë me vlera qytetarie, me ide politike dhe demokratike si këto që ishin vendosur në themele të PDK-së. Me këtë nuk mendojmë kurrë që të tjerët t’i ndjekim apo t’ua mohojmë të drejtat e tyre, idetë e tyre politike, të drejta këto të garantuara edhe me kushtetutën e vendit. Le të organizohen në parti, organizata, shoqata politike e jopolitike dhe le t’i promovojnë e përhapin idetë e tyre politike, ideologjinë e tyre, projektet e tyre, kulturën e tyre, moralin dhe “ambiciet” e tyre të (stër)vjetruara. Pastaj, është votuesi ai që do t’i jap notat, nëse do të kemi një sistem zgjedhor që garanton votën e lirë të qytetarit dhe paprekshmërinë e asaj vote. Por, në asnjë mënyrë nuk do të duhej që dikush, si Buzhala dhe kompania e tij, të provojë të futet midis Hashimit dhe Jakupi (udhëheqjes së PDK-së) dhe në çështje që janë të PDK-së. Ka aq vullnet dhe forcë në organet e PDK-së edhe për hapjen e çështjeve të “nxehta”, por edhe për trajtimin dhe tejkalimin e tyre në mënyrë krejt demokratike, sepse nuk jemi Parti e tipit çfarë e duan të rinjtë me mendime, ide dhe vizione të vjetruara. Në këtë kuptim, them unë, është koha që PDK (organet) e saj të ulen dhe të debatojnë gjerë e gjatë dhe t’i dalin përballë situatës së
vështirë në të cilën po notojnë vetëm përfituesit e pamoralë dhe matrapazë të paskrupulltë që ushqehen me gjakun, mundin dhe djersën e qytetarit tonë të përkushtuar për këtë vend e që po vuan varfërinë edhe në këtë kohë lirie, 13 vjet pas çlirimit!
add a comment