TIRANË, 25 gusht/ATSH/ Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka vlerësuar punën e prokurorisë në mbledhjen e provave për ndalimin e zjarrvënësve.
Balla, duke komentuar vendimin e Gjykatës për të lënë në masën “arrest me burg” zjarrvënësin e arrestuar në Laç, thekson se organi akuzës ka bërë një punë të mirë në dokumentimin e shkeljes së ligjit.
“Gjykata e vlerësoi të ligjshëm dhe të mbështetur në prova arrestimin e zjarrvënësit të Laçit dhe kjo është një arsye për ta vlerësuar Prokurorinë për dokumentimin e dosjes penale dhe vendimin e përgjegjshëm të Gjykatës!”, vijon Balla.
“Në pritje që 23 zjarrvënësit e arrestuar nga Policia e Shtetit këtë sezon veror të marrin dënimin e merituar për veprën e tyre kriminale, bëj apelin e përsëritur edhe nga Kryeministri Rama, që gjykatësit e këtyre çështjeve ta mbyllin përfundimisht me vendimet e tyre kapitullin e gjatë dhe të turpshëm për drejtësinë të mosndëshkimit të duhur të kësaj vepre penale për vite me radhë!”, thekson Balla.