Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCLIII) – DINOSHA – FSHATI I GJYTEZËS DHE I DRURIT PREJ NGA BURON UJI

Shtegtime nëpër Atdhe (CCLIII)
DINOSHA – FSHATI I GJYTEZËS DHE I DRURIT PREJ NGA BURON UJI
Rreth 5 km nga Tuzi dhe 7 km nga Podgorica ndodhet fshati shqiptar, Dinosha, që është fshati më i madh i komunës së Tuzit. Shtrihet në Malësinë e Madhe, zona e Grudës, në fushën e Cemit dhe në brigjet e lumit Cem, lumë që përshkon përmes fshatit sapo del nga mali. Në vitin 1920 Dinosha kishte 80 shtëpi e në vitin 1941 – rreth 120 shtëpi. Sipas regjistrimit të vitit 2003, Dinosha ka rreth 1000 banorë. Popullsia e Dinoshës është pasardhëse e fisit ilir të Labeatëve.
E ndodhur në rrugën antike Scodra – Narona, Dinosha ka vazhdimësi të jetës dhe ka shtresa të pasura historike që nga antikiteti i hershëm. Nga lumi Cem gjenden ende gjurmët e ujësjellësit antik romak (aquaduct) nga shek. II, që kishte gjatësi 14 km. dhe që çonte ujë në qytetin antik të Duklës. Mbi fshat ndodhet një kodër e zhveshur shkëmbore 110 m. e lartë, ku gjendet një lokalitet arkeologjik – fortifikatë, në sipërfaqe 2,5 ha, që ka mure ciklopike. Nga aty, ku ndodhej edhe një kishë, mund të kontrollohej tërë lugina e Cemit. Duket se Dinosha qysh në parahistori ishte qendër e zonës së Doklës, siç është edhe sot, qendër e bashkësisë lokale. Këtë lokalitet arkeologjik vendësit e quajnë Gjyteza e Dinoshës. Në fshat ndodhen mbetje arkeologjike; katër tumula ilire, varrezat monumentale ilire, stela, rrugë me kalldrëm antik, pllaka të mëdha të një sarkofagu, shpella etj. Edhe në oborrin e xhamisë së fshatit është gjetur një kolonë antike – një dysheme me mozaik, që ende qëndron në tokë. Për fat të keq pushteti malazias nuk ka bërë hulumtime shkencore në këtë lokalitet arkeologjik, mbase pse është një qytet ilir.
Emrin e Dinoshës e hasim në një hartë të vitit 1690.
Në Dinoshë, në vitin 1916, gjatë Luftës së Parë Botërore është hapur shkolla e parë shqipe, por e mbyllur nga regjimi serb dhe e rihapur në vitin 1945. Sot në Dinosha ka shkollë të plotë fillore – shkollë tetëvjeçare. Që nga viti 1978 në fshat vepron shoqata kulturore artistike “Koha”, e cila kultivon këngën dhe vallen shqipe, duke përfaqësuar folklorin dhe veshjen e traditës brenda dhe jashtë hapësirës kulturore shqiptare.
Një dru qindravjeçar i manit në një livadh të fshatit Dinoshë ka marrë vëmendjen dhe është bërë lajm sensacional edhe në mediat botërore (BBC), për shkak se nga trupi i tij, në lartësi 1.5 m, nxjerrë vrushkull të pandërprerë uji. E, me ujin që buron nga trungu mbushet tërë livadhi. Ky fenomen (botëror) paraqitet që nga viti 1990, zgjatë një deri dy ditë dhe përsëritet një herë në vit pas reshjeve të mëdha të pranverës. Mendohet se ujërat nëntokësorë kalojnë përmes një zgavre të trungut të manit, duke krijuar një pamje spektakli, por edhe një fenomen të paparë dhe të jashtëzakonshëm natyror.
Paralel me rrjedhën e lumit Cem, që nga Dinosha e deri në pikën kufitare në Triesh, në gjatësi prej 17 km, përshkon rruga rajonale, e cila lidhet me rrugën Hani i Hotit – Vermosh.
Dinosha është një fshat i bukur dhe piktoresk, është një vend ideal për jetesë, e pasur me ujëra, me male e me fusha, e pasur me monumente të trashëgimisë kulturore dhe me një të kaluar të pasur historike.