Shqipëria/Aktualitet

Shtegtime nëpër Atdhe (CCLII) – MUZEU I MALËSISË NË LEKAJ – NJË THESAR KULTUROR KOMBËTAR

Shtegtime nëpër Atdhe (CCLII)
MUZEU I MALËSISË NË LEKAJ – NJË THESAR KULTUROR KOMBËTAR
Me të hyrë në oborrin e shtëpisë së Shtjefnit në Lekaj, vizitori mahnitet me eksponatet, të shtrira gjithandej. Kur hyn brenda shtëpisë, mbetet pa frymë çfarë sheh aty. Sheh mijëra eksponate të ekspozuara në hapësira të ngushta të një shtëpie të vogël private. Në atë shtëpi është muzeu etnografik privat apo familjar, i formuar dhe i mbajtur nga një qift i moshuar bashkëshortor. Ky qift, Shtjefën Ivezaj e Gjyste Ivezaj, nga fshati Lekaj, Malësi e Madhe, komuna e Tuzit, shtëpinë e tyre përdhese me katër dhoma e kanë shndërruar në një muze të vërtetë e shumë të pasur etnografik.
Shtjefën Ivezaj, me profesion fotograf, është një njeri i jashtëzakonshëm, një atdhetar i përkushtuar, një njeri-muze, i dekoruar edhe nga kryetari i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Edhe pse në moshë të shtyrë, në moshën 86-vjeçare dhe me shëndet mjaft të rënduar, ai nuk ndalet së punuari për gjetjen, grumbullimin dhe ruajtjen e artefakteve interesante muzeore në Malësinë e Madhe, duke e kthyer tërë shtëpinë e tij të vogël dhe oborrin e gjerë të shtëpisë në një muze unik, të veçantë e të pashembullt në muzeologjinë etnografike shqiptare.
Të gjitha dhomat e shtëpisë, ku jeton qifti i moshuar bashkëshortor Ivezaj, janë të kthyera në hapësira muzeore. Aty ruhen mijëra artefakte nga fusha të ndryshme të jetës, madje edhe aso çfarë nuk gjenden nëpër muzetë etnografike shtetërore. Tërë puna kolosale e Ivezajve për gjetjen, grumbullimin dhe ruajtjen e artefakteve është bërë me vullnet të pashembullt dhe pa ndihmën e shtetit e të askujt tjetër, duke e lënë veten në kushte tepër të rënda për jetesë. Ky qift ka sakrifikuar gjithçka ka pasur, edhe mirëqenien e tyre në vitet e pleqërisë së shtyrë, vetëm e vetëm që ta bëjnë dhe ta ruajnë pasurinë e tyre – muzeun etnografik.
Muzeu familjar i Ivezajve sot është një monument kulturor, por edhe një pikë referimi turistik, i vizituar nga turistë të shumtë, nga mërgimtarë, nga nxënës, nga mediat, nga profesionistët e nga kategori tjera shoqërore. Shtjefni dhe Gjysta i presin vizitorët me dashamirësi, duke u shpjeguar në hollësi për secilin eksponat. Ndërsa, ata shprehin pakënaqësinë me mosinteresimin e qeverive, të institucioneve kulturore e turistike shtetërore të Malit të Zi, të Shqipërisë dhe të Kosovës për funksionimin e këtij muzeu, që është një institucion i të gjithë shqiptarëve. Së paku, të kishte punuar një etnolog, sa për të siguruar vazhdimësinë e funksionimit të muzeut. Pastaj, pse mos të botohet një publikim i posaçëm për muzeun, për vlerat e tij, për reliktet e rralla që gjenden aty. Dhe, para së gjithash, pos falënderimeve, mirënjohjeve, dekoratave e lavdërimeve të llojllojshme që marrin, Shtjefnit e Gjystës i duhet një pension meritor dhe i posaçëm për t’ua siguruar këtë pjesë të jetës pak më dinjitoze.
Në muzeun e Shtjefnit e Gjystës gjenden artefakte autoktone dhe origjinale nga tradita materiale dhe shpirtërore e malësorëve të Malësisë së Madhe. Aty gjejmë vegla pune për bujqësi e blegtori, vegla të vjetra muzikore, armë të shumta, veshje popullore, libra në shqip dhe në gjuhë tjera, filateli, dokumente e fotografi të veçanta, që janë të rëndësishme për etnokulturën tonë. Një muze i pasur, sikur ky, mund të haset vetëm edhe në qytetin e Plavës, në kullën-muze të Rexhepagiqëve.
Muzeu i Ivezajve, i hapur në vitin 2002 në Lekaj, 4-5 km nga Tuzi, është një thesar kulturor kombëtar, i veçantë në krejt praktikën muzeore të hapësirave shqiptare, ndoshta edhe botërore. Ky muze, që ruan mijëra eksponate, është një vlerë kombëtare e papërshkrueshme, që përditë pret e përcjellë vizitorë të shumtë.