Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCXLVIII) – PLAZHI I MADH I ULQINIT – NJË COPË PARAJSË E ZBRITUR NË TOKË

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXLVIII)
PLAZHI I MADH I ULQINIT – NJË COPË PARAJSË E ZBRITUR NË TOKË
Plazhi i Madh i Ulqinit është një ranishte apo një plazh i gjatë në Detin Adriatik, afër qytetit të Ulqinit dhe në kufi me R. e Shqipërisë. Plazhi shtrihet në gjatësi 12.5 km dhe gjerësi 60 – 100 metra, që nga Porta e Gjeranave deri në Adën e Bunës. Kjo ranishte, e cila dikur quhej Fusha e Ulqinit, ndërsa vendorët e quajnë “Zalli i Madh”, e ka bërë Plazhin e Ulqinit më të gjatin në bregun lindor të Adriatikut dhe nga më të gjatit në Evropë.
Ky plazh është një vendpushim i ngrohtë pranë lumit çudibërës të Bunës dhe vijës kufitare Mali i Zi – Shqipëri. Pra, është një vend shumë i popullarizuar dhe i vizituar nga turistët e vendit dhe të huaj, sepse aty ka vend për të gjithë. Sigurisht, Plazhi i Madh është plazhi më i mirë, më i pastër dhe me shumë diell dhe është ndër plazhet më të lira në rajon. Rëra e Plazhit të Madh, e imët me ngjyrë të murrmë, është i pasur me 24 lloje mineralesh, që kanë dozë të mjaftueshme të radiacionit e që mund të shfrytëzohet edhe për përmirësimin e shëndetit, sidomos është i dobishëm për sëmundjet e reumës e të eshtrave. Prandaj, pos për larje e për rrezitje në diell, rëra e Plazhit të Madh të Ulqinit përdoret edhe për terapi shëndetësore (psamoterapia), dhe për veprimtari sportive; për ecje, vrapim etj.
Plazhi i Madh, me rërë të shëndetshme, është burim i pashtershëm i energjisë, është vendi ku pushuesi i dorëzohet detit, rërës, diellit e qetësisë, duke marrë mjaftueshëm energji pozitive. Thonë se këtu ndodhë mrekullia, se këtu rinohet edhe mendja, se këtu pushon shpirti e qetësohet trupi. Një shkrimtar (Balsha Bërkoviq) për këtë plazh, ka thënë: “Një copë e parajsës që rastësisht ka rënë në Tokë”.
Janë shtatë plazhe apo zona që përbëjnë Plazhin e Madh të Ulqinit, kryesisht të ndara sipas hoteleve apo restoranteve pranë plazhit, të cilët janë: Miami, Saranda, Capacobana, Bolshoi, Long Beach, Safari, MCM. Nga mesi i Plazhit të Madh ndodhet plazhi magjeps, që dikur quhej “Capacobana e Jugosllavisë”. Të gjitha këto plazhe janë të pajisura me një flamur të kaltër, që paraqesin përmbushjen e 29 kritereve evropiane, siç është kriteri i pastërtisë, i sigurisë, i mbrojtjes së mjedisit etj.
Në komunën e Ulqinit ka gjithsej 21 plazhe, të cilat kryesisht janë ranore, por ndonjëra është edhe shkëmbore e gurore. Pas Plazhit të Madh, që është më i njohur dhe më i gjatë, më i popullarizuar është Plazhi i Vogël, që ka gjatësi 400 metra dhe ndodhet në afërsi të drejtpërdrejtë të Qytetit të Vjetër të Ulqinit. Ky plazh është i mbrojtur mjaft mirë nga valët e detit dhe nga erërat, ndërsa ditëve të verës është tepër i mbushur. Plazhi Valdanos ndodhet në një gji të qetë shkëmbor, rreth 5 km nga Ulqini. Ky plazh, me gjatësi harkore prej 600 metra, është i vetmi që në vend të rërës ka guralecë, kurse kufizohet me një zonë ku ka rreth 18 mijë ullinj të mbjellë. Pra, periferia e plazhit është e mbushur me ullishte, me pemë të ndryshme e me pisha. Plazhi shkëmbor i Femrave ndodhet afër qytetit dhe vizitohet vetëm nga gratë, pasi aty gjenden burime të squfurit, të radiumit e të kripërave të detit që, pos tjerash, ndikojnë në shëndetin e grave. Ka edhe shumë plazhe tjera në rivierën e Ulqinit, kryesisht plazhe të vogla në veriun e qytetit.
Plazhi i Madh nuk do të ishte kaq i rëndësishëm pa fshatin Shtoj, fshat që shtrihet paralelisht me Ranishten apo Plazhin e Madh. Dy fshatrat binjake, Shtoji i Poshtëm dhe Shtoji i Epërm shtrihen në tokën pjellore mes Plazhit, Kripores dhe Bunës, tokë që mbillet me perime, sidomos me shalqi dhe me agrume, me portokaj, limona etj. Nga këto fshatra furnizohen mjaft mirë me prodhimet e freskëta bujqësore pushuesit në Plazhin e Madh. Dikur fshatra bujqësore, sot ato janë fshatra plotësisht turistike, por që janë vërshuar edhe nga ndërtimet e egra të shtëpive të pushimit dhe shtëpive për banim. Ndërtimet e reja të kryera nga njerëz të ardhur kryesisht nga veriu i Malit të Zi, kanë krijuar gjendje kaotike në fshat.
Mes qytetit dhe Plazhit të Madh ndodhet pylli me pisha, shumë i përshtatshëm për ecje e shëtitje, pasi edhe ky pyll ka ndikim shërues dhe rekreativ, posaçërisht për sëmundjen e astmës. Në 1500 hektarë aty pranë, prapa shpine ndodhet ish-Kriporja e Ulqinit, më e madhja në ish-Jugosllavi dhe ndër kriporet më të mëdha në Mesdhe. Mirëpo, si e tillë sot nuk funksionon por është shndërruar në një Lagunë apo në një vendbanim të madh të shpendëve shtegtarë, siç janë fajkoni, huti, skifteri, shqiponjat etj.
Duhet thënë se shumica e pushuesve në Plazhin e Madh, si në të kaluarën, ashtu edhe tash, janë shqiptarë nga Kosova. Janë bërë mbi 50 vjet qëkur shqiptarët nga Kosova e viset tjera e vizitojnë dhe pushojnë në Ulqinin e tyre. E vizitojnë sepse Ulqinin e llogarisin si qytetin dhe plazhin e vet, ku gjejnë rërën e shëndetshme, ujin e jodizuar, trashëgiminë kulturore, mikpritjen e ngrohtë ulqinake.
Vlerën Plazhit të Madh ia shtojnë edhe numri i madh i hoteleve e restoranteve gjatë tërë vijës bregdetare, të cilat japin shërbime cilësore me çmime konkurruese. Të theksojmë se Ulqini, me natyrën e mrekullueshme, me plazhet e pastra e shëruese, me shërbimet dhe ushqimet e preferuara, u konkurron bindshëm plazheve në R. e Shqipërisë sa i përket tërheqjes së turistëve nga Kosova.
Plazhi i Madh i Ulqinit mbetet një vend i mrekullueshëm për pushim, ku pushuesit, pos detit e rërës, do të gjejnë atë që e kanë kërkuar, pushimin në kushtet më të mira të mundshme. Madje, pushuesit nga Kosova e viset e njohin mirë Ulqinin dhe Plazhin e madh të tij.