KUJTESA HISTORIKE FORCON BINDJEN PËR TË NDARË TË MIRËN NGA E KEQJA
71 vite më parë, kufiri juglindor i RSH, në agun e datës 2 gusht 1949, nuk ishte një mëngjes i zgjimit të zakonshëm, por ishte një mëngjes me zhurmë topash e batare armësh, me ulërima avionësh dhe kërcëllima djegëse nga flakët e luftës. Ushtria greke kishte sulmuar, ndoshta për të parë përmbushjen e një ëndrre nga fantazitë e krisura të lakmive.
Edhe pse kjo sot njihet si provokacionet e 2 gushtit 1949, ky provokacion ishte një luftë e mirëfilltë, duke shënuar gjithçka ka një luftë, armatimin e të gjitha llojeve, mësymjen dhe kundërmësymjen, të plagosur, të vrarë, robër dëshmorë dhe heronj.
Një batalion grek kundër një grupi të vogël ushtarësh nisën betejën për jetë a vdekje në postën e Vidohovës, e cila fillimisht ra për disa orë në duart e grekëve pas sulmit të furishëm të tyre, me artileri tokësore dhe ajrore. Ushtarët e postës së Vidohovës e kishin të qartë se edhe ky sulm nuk do të përfundonte pa gjak. Përleshja vazhdoi për 7 orë rresht. Në këto luftime u vra Abdulla Mustafa Hida, lindur më 1920 në Elbasan, Pren Filip Dedja, lindur më 1920, në fshatin Nezhan të Shpatit Elbasan, Mahmud Ahmet Deliu lindur më 1928 në Mollagjesh të Elbasanit, Adem Elmaz Asllani lindur në Shtëpanj të Elbasanit me 1927. Grekët kishin lënë pas 100 ushtarë të vrarë dhe 3 robër. Më 4 gusht sulmuan në Devoll dhe Leskovik. Më 5 gusht 1949 bombarduan fshatin Menkulas të Devollit. Më 7 gusht sërish sulmojnë në Vidohovë. Më 12 dhe 13 gusht, sulmojnë Bilishtin. Më 14 gusht sulmuan në drejtim të fshatrave Trestenik, Kapshticë, Cangoj dhe Bilisht. Në Kapshticë vritet djali elbasanas Shefki Ymer Pitja i datëlindjes 1923.
Territori shqiptar nga kufiri deri ne fshatin Cangonj, ku më pas ndodhi një masakër nga mbetjet e municioneve luftarake, u minua gjerësisht për të ndaluar me çdo mjet përparimin e ushtrisë greke drejt Korçës. Ëndrra e vjetër për të ngritur flamurin në kryeqendrën e juglindjes, do të shënonte fitoren e luftës nga pala greke. Heroizmi, mobilizimi i gjithanshëm dhe lufta për çdo pëllëmbë tokë nga ushtria shqiptare, bëri të dështonin provokacionet e gushtit.
Dokumentet arkivore të asaj kohe tregojnë se gjatë këtyre përleshjeve në trojet shqiptare mbetën të vrarë mbi 300 ushtarë dhe oficerë grekë, 500 të plagosur dhe 270 të tjerë u kapën robër. Nga ana jonë pati 29 ushtarë dhe oficerë të vrarë, por dhe mjaft civilë.
Ishin ushtarët dhe oficerët e postës së Vidohovës që nuk lejuan hyrjen e grekëve në qytetin e Korçës, prandaj posta kufitare e Vidohovës u nderua me titullin e lartë Hero i Popullit.
Asnjë popull nuk do të largonte nga kujtesa e tij kaq lehtë një pjesë të rëndësishme të historisë dhe ekzistencës së tij.
Në fakt çuditërisht për këtë periudhë mungon kujtesa e fortë historike. Këtë e tregon mungesa e një memoriali që të flasë për provokacionet e gushtit në këtë zonë. Sa më shumë kalon koha ajo fshihet nga çdo gjurmë, sikur të mos kishte ndodhur kurrë. Faktet nga kujtesa historike, nuk janë motive për të krijuar pakënaqësi të reja, por, kujtesa historike sa të nderon krenarinë kombëtare, aq edhe forcon bindjet për të ndarë të mirën nga e keqja, nga të gjithë, e midis dy fqinjëve të lashtë siç jemi ne me popullin grek.
Në këtë datë, kujtojmë të rënët në ruajtje të kufirit territorial dhe të lirisë së vendit, simbolit të trimërisë dhe sakrificës shqiptare!
Lavdi të përjetshme trimave tanë të kufirit tokësor!
add a comment