Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCXLIV) JANINA – QYTETI LEGJENDAR I ALI PASHËS

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXLIV)
JANINA – QYTETI LEGJENDAR I ALI PASHËS
   Kam pas dëshirë të flaktë ta vizitoja qytetin e Janinës dhe krahinën e Çamërisë. Më në fund, me ndihmën dhe shoqërimin e shokëve, në majin e bukur të këtij viti u gjenda në Prevezë, Artë e Janinë, në Janinën legjendare të Ali Pashë Tepelenës. Përshtypjet e para në këtë qytet krijohen me qytetin e vjetër, me mungesën e soliterëve, me rrugët e ngushta me kalldrëm, me liqenin e Janinës, me ishullin e paemër në liqen, me kështjellën madhështore, me dy xhamitë me minare të shndërruara në muze, me shumë muze…
   Dikur Janina ishte qytet i shqiptarëve, qyteti më i madh i jugut shqiptar, kurse sot në të nuk dëgjohet shqipja! Historia e ka ngrënë Janinën e bukur shqiptare. Ajo ndodhet në brigjet e Liqenit të bukur të Janinës dhe poshtë një mali, jo aq të lartë. Është larg 100 km nga Gumenica, 440 km nga Athina, 295 km nga Selaniku, 315 km nga Tirana dhe 70 km nga Gjirokastra. Janina është qytet universitar, që ka aeroport e që është rritur e zgjeruar në një qendër të madhe ekonomike, tregtare, arsimore, kulturore etj.
Gjatë antikitetit krahina e Janinës së sotme ishte e banuar nga fisi ilir i molosëve. Kështjellën madhështore, pra qytetin e Janinës e ndërtoi Justiniani I në vitin 528. Si peshkopatë përmendet në vitin 1020, pastaj gjatë historisë përmendet si provincë, si themë, si mitropoli, si sanxhak, si vilajet. Në vitin 1204 është sunduar nga Mihail Komneni, i cili aty ka formuar dinastinë e despotëve të Epirit, me kryeqytet Artën, që kishte shtrirje deri në Durrës dhe ishte një mburoje nga depërtimi i feudalizmit bizantin. Rreth vitit 1318, pas ndërhyrjes së Gjonit nga Berati, Janina iu nënshtrua Bizantit, kurse në vitin 1342 është pushtuar nga serbët.
   Sundimi osman u vendos në Janinë në vitin 1431 dhe zgjati deri në vitin 1913, plot 482 vjet. Nën këtë sundim qyteti ishte qendër administrative, si seli e sanxhakut, kur filloi të pësonte rënie të vazhdueshme. Megjithatë, në shek. XVII – XVIII qyteti mori kthesë të zhvillimit, veçanërisht të zhvillimit të tregtisë.
Udhëpërshkruesi osman, E. Çelebia, e vizitoi Janinën në vitin 1670, kur Janina numëronte 1900 dyqane, 37 lagje me 4000 shtëpi. Kur u pushtua nga Greqia, në vitin 1913, Janina kishte rreth 40 mijë banorë, nga të cilët 3/4 ishin shqiptarë myslimanë, plus shqiptarët ortodoks. Në këtë kohë Janina kishte 30 xhami, katër teqe dhe gjashtë kisha. Kurse francezi Pukëvil, në fillim të shek. XIX ka thënë se Janina kishte 3200 shtëpi. Sot Janina, me rreth 70 mijë banorë, është kryeqendër e rajonit të Epirit në Greqi.
Një epokë historike e Janinës, që nga viti 1788 deri në vitin 1822, për 32 vjet me radhë, identifikohet me sundimin e Ali Pashë Tepelenës, kur historia e tij njëjtësohet me historinë e Janinës. Sundimi i Ali Pashës vlerësohet se ishte tiranik, sepse qeverisi me rreptësi, por edhe me drejtësi. Sundoi një zonë të gjerë; Shqipërinë jugore, një pjesë të madhe të Greqisë, deri në Selanik dhe qytetet me rrethina të Ohrit e Manastirit në Maqedoninë e sotme. Në këtë kohë Janina ishte bërë qendër ndërkombëtare politike, tregtare, diplomatike, ekonomike e kulturore. Janina lidhi marrëdhënie diplomatike me disa shtete. Në këtë kohë qyteti po shndërrohej në qytet modern, sepse Ali Pasha ndërtoi vepra të mëdha, siç janë riparimi i kështjellës, ndërtimi i kështjellave të reja, ndërtimi i ndërtesave publike, i porteve, i urave e i rrugëve ndërlidhëse me qytete tjera, janë hapur miniera, janë tharë këneta, janë ngritur pallate, është themeluar shkolla ushtarake franceze etj. Mjaft interesant është fakti që Ali Pasha ka ndërtuar dhjetëra kisha ortodokse dhe nuk ka ndërtuar asnjë xhami. Në moshën e tretë është martuar dhe ka bërë dasmë të krishterë me Vasiliqinë, një vajzë greke e cila Pashës i qëndroi besnike deri në vdekje. Më 5 shkurt 1822 Ali Pasha pati fundin tragjik, kur Janinën e rrethoi dhe e pushtoi Hurshit Pasha, i cili e vrau Aliun në një manastir në ishullin e Liqenit të Janinës, që sot është muze i Ali Pashës. Për Ali Pashën, i mbiquajtur “Luani i Janinës”, kanë shkruar personalitete të larta letrare evropiane, si Lordi Bajron, A. Dumas, La Martini, V. Hygo, Gëte etj., kurse korrespondoi edhe me Napoleon Bonapartën.
Nga pushteti turk Janina është çlirua më 21 shkurt 1913, por është pushtuar nga shovinistët grekë. Lufta për mbrojtjen e Janinës nga grekët, në vitet 1912 – 1913, është ndër ngjarjet më të rëndësishme historike dhe ndër luftërat më heroike shqiptare. Në ndihmë janiniotëve kishin ardhur forca nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, kurse vija luftarake kishte gjatësi prej 36 km. U pushtua nga grekët pas betejës së Bezhanit në LPB. “Janinës ç’i panë sytë”, është varg i një kënge polifonike labe që shpreh mbetjen dhe krimet në këtë qytet shqiptar. Gjatë Luftës së Parë Botërore Janina është pushtuar nga ushtria italiane kurse, që nga viti 1917, mbeti në kuadrin e shtetit grek. Si njëra ndër qendrat kryesore shqiptare, Janina, por edhe Çamëria ishin humbje e madhe ekonomike dhe strategjike e Shqipërisë.
Që nga vitet 1919 – 1922 ndaj shqiptarëve ka filluar spastrimi etnik, kur vetëm nga qyteti i Janinës janë dëbuar rreth 25 mijë shqiptarë të fesë myslimane. Me marrëveshjen greko-turke të vitit 1923 është paraparë dhe është realizuar këmbimi i shqiptarëve myslimanë (gjoja si popullsi turke) me grekët e Anadollit.
Në zemër të qytetit dhe në bregun e liqenit ndodhet kështjella madhështore e ndërtuar në vitin 528 nga perandori Justinian I dhe e rindërtuar nga Ali Pasha në vitin 1815. Brenda kështjellës ndodhen shumë monumente kulturore e historike, si muzeu bizantin, dy xhami të shndërruara në meze, një kishë, një sinagogë, sarajet dhe varri i Ali Pashës, biblioteka turke, banjat bizantine, etj.
Ishulli pa emër në Liqenin e Janinës, i banuar me rreth 100 familje, ka një lagje me shtëpi të vogla tradicionale, rrugë të kalldrëmta dhe shtatë manastire të ngjitura njëri pas tjetrës. Ky ishull është ruajtur deri sot si një ishull – muze, ku ndodhen shumë monumente kulturore e historike, ku ndodhet edhe shtëpia – muze, në të cilën ishte strehuar, në fund të jetës së tij e ku është vrarë Ali Pashë Tepelena. Banorët e paktë të ishullit u dalin në pritë vizitorëve për t’i qerasur ata me raki, me bakllava e me llokume, një traditë e vjetër për t’i ëmbëlsuar turistët në ishullin e tyre të vogël, por me zemër të madhe.
Janina është qytet me shumë muze. Ndër të tjerë tërheq vëmendjen muzeu i Ali Pashës, që dikur ishte shtëpia e tij e sot, si muze, përcjell ndër breza të bëmat historike të Pashës së Janinës. Një pashë tjetër, Asllan Pasha e kishte rrënuar një manastir brenda kështjellës dhe, në vendin e saj, në vitin 1618, kishte ngritur një xhami, e quajtur Xhamia e Asllan Pashës, e cila sot është muze etnografik. Janë me interes të vizitohen edhe parku i muzeve dhe koleksioneve, muzeu arkeologjik, muzeu i argjendit, muzeu bizantin, muzeu i dyllit Vrelis etj. Rreth 22 km nga Janina ndodhet teatri antik i Dodonës, me 18 mijë vende, i ndërtuar nga mbreti Pirro i Epirit, ku ndodhet orakulli më i vjetër në Greqi.
Arsimi në Janinë ka zanafillë që nga viti 1206, kur janë themeluar dy shkolla greke në dy manastire, kurse në shek. XIX filluan të hapen disa shkolla të reja, duke përfshirë edhe shkollën Zosimea (1828), aty ku kanë mësuar Naim Frashëri, Sami Frashëri, Ismail Qemali e shumë personalitete tona kombëtare. Zosimea ishte institucioni i parë arsimor, i themeluar pas luftës për pavarësinë greke, ku mësohej vetëm greqisht. Që nga viti 1970 Janina është qytet universitar.
Janina, dikur njëra ndër selitë e katër vilajeteve shqiptare, është qyteti me liqenin e me ishullin e jashtëzakonshëm, ku natyra ka bërë mrekulli si askund tjetër. Ndaj, Ali Pasha e kishte zgjedhur për vendqëndrim të vetin.
Qyteti i Janinës ndërthur në vete të djeshmen me të tashmen, tradicionalen me modernen, kurse sot paraqitet si një qytet i veçantë, por etnikisht i tjetërsuar.