Opinion

Tefta Cami: Partitë politike duhet të mbështesin Qeverinë dhe Kryeministrin

FAKTORI POLITIK SHQIPTARË TË MBËSHTESIN KRYEMINISTRIN E KOSOVËS z.ALBIN KURTI

Po i ndjek me shumë shqetësim ngjarjet, që po zhvillohen kohët e fundit në Veri të Mitrovicës.   Nuk i kam të qarta qëndrimet e misionarëve të SHBA-së, që po e përkëdhelin Presidentin e Republikës të Serbisë z.Aleksandër Vuçiq dhe po i bëjnë presion Kryeministrit të Republikës së Kosovës z.Albin Kurti për qëndrimet e drejta, që vazhdon të mbajë në mbrojtje të Pavarësisë dhe të territoreve të Republikës së Kosovës!?   Sa për qëndrimet antishqiptare të misionarëve të BE-në dihen historikisht, se ka segmente të saj, që po vazhdojnë traditën e vazhdimit të coptimit të trojeve shqiptare të fillimit të shekullit të kaluar.    Në mesin e shekullit të kaluar regjimi antishqiptar titist i rindau përsëri trojet shqiptare në RFJ-së në tri republika, duke krijuar Maqedoninë e Malin e Zi, që në ato vite ishin me shumicë  popullsia shqiptare. Në vend që të krijonte Republikën Shqiptare të Kosovës, ku të përfshiheshin të gjitha viset shqiptare, që ishin popullsia e tretë në Jugosllavi nga numëri i banorëve dhe e lidhur me territor.   Ishin misionarët e BE-në, që u premtuan liberalizimin e vizave, nëse Qeveria e Republikës së Kosovës do të nënëshkruante Marrërëveshjet e demarkacionit me Republikën e Maqedonisë dhe më pas me Republikën e Malit të Zi. Dhe nënëshkrimi me këto dy Republika çoi në ricoptimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare të Republikës së Kosovës, duke i dhënë 2500 hektarë territor Republikës së Maqedonisë dhe 8200 hektarë territor Republikës të Malit të Zi. Akoma pas aq vitesh ende nuk ka filluar zbatimi i liberalizimit të vizave për shqiptarët e Republikës së Kosovës. Pse ky qëndrim antishqiptarë i BE-në? Flamuri i Republikës të Kosovës nuk e përfaqëson më atë sipërfaqe tokësore, që kishte në fillim Republika e Pavarur e Kosovës. Prandaj ose duhen anolluar ato marrëveshje të demarkacionit, që kanë nënëshkruar personalitete të papërgjegjëshëm të Qeverive të mëparëshme të Republikës të Kosovës, ose duhet rindërtuar apo hequr Flamuri i Republikës së Kosovës dhe të vendoset Flamuri yne Kombëtarë.    Ideja e copëzimit të mëtejshëm të viseve shqiptare dominon tek ndonjë segment në BE-në, pavarësisht nga paraqitja me imazhe e sllogane të reja. Këmbëngulja e tyre për krijimin e Asocacioneve në disa komuna me shumicë të popullsisë serbe sipas modelit të Republikës së Bosnje-Hercegovinës e jo sipas modelit të Republikës të Kroacisë, dmth, të krijimit të një shteti brenda shtetit, që të varet e drejtohet nga Beogradi dhe të mos e njohë Kushtetutën e Qeverinë e Kosovës. E ç’po bëhet kështu? Zallamahi e Han pa porta po e shëndërojnë e trajtojnë Republikën e Kosovës! Mendoj, se në territorin e Republikës të Kosovës s’ka nevojë të krijohen Asosacione serbe, sepse serbët i gëzojnë liritë e të drejtat e barabarta me shqiptarët. Serbët në Kosovë s’duhet të përdoren e nxiten nga Beogradi.    Republika e populli shqiptar i Kosovës s’po gjen qetësi nga Serbia edhe pas çlirimit nga pushtimi serbë e  shpalljes së Pavarësisë. Kjo ka qenë e mbetet strategjia e Rusisë me Serbinë, që synojnë ta lodhin e mposhtin dhe në fund, pasi ta kafshojnë në çdo pjesë të saj, ta gëlltisin.    Dihet nga historia, se gjitha të këqiat shqiptarëve i kanë ardhur nga Rusia, që më me Traktatin e Shën Stefanit, me 3 mars 1878 midis Perandorisë të Rusisë dhe Perandorisë Osmane, ku u vendos coptimi i trojeve shqiptare dhe më pas  Kongresi i Berlinit me 13 qershor 1878, 3 ditë pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër që filloi me 13 dhjetor 1912 dhe vazhdoi deri me 29 korrik 1913, ku u vendos përfundimisht coptimi i trojeve shqiptare, duke përfunduar me Traktatin e Versajës.   Po shtroj pyetjen? A do të lihet të zhvillohet e qetë Republika e Kosovës? Përse BE-në nuk e mbështet e ndihmon shtetin më të ri në Europë e në Botë? Pse po i le të livadhisin segmentet antishqiptare të BE-në që po vazhdojnë t’ia marrin frymën derisa ta paralizojnë për ta zhdukur përfundimisht.   Republika e Kosovës nuk po i kërkon Republikës së Serbisë Sanxhakun e Nishit, (që e kanë pushtuar e sllavizuar e shpërngulur me dhunë popullsinë shqiptare), për t’u vendosur kufiri i dikurshëm tek molla e kuqe, ose siç i themi ne dibranët tek guri i shpû. Po u kërkojmë ta lenë të qetë e të zhvillohet e përparojë Republika e Pavarur e Kosovës! Beogradi të mos i përdorë serbët në Kosovë si mish për top, për të nxitur konflikte në Ballkan, sipas synimeve rusofile!   Po jap dy episode të qëndrimeve miqësore të serbëve ndaj shqiptsrëve: 1. Këtë episod e kam të përjetuar. Kur kam vizituar Prizrenin gjatë vizitës së Krahinës Autonome të Kosovës në tetor 1980 si ministre e Arsimit dhe Kulturës të RPSSH-së, në anë të urës ngjitur me argjendari “Mirdita” takoj në një lokal disa pensionist dhe njeri ishte serb, që më tha: “Jam fqinj me familje shqiptare dhe shkojmë mirë. Miqtë më të mirë i kam shqiptarë”. 2. Këtë episod e kam të dëgjuar. Gjatë Luftës të Divizionit Patkoi të Serbisë ishte dhënë një urdhër, që të pushkatohen të gjithë shqiptarët në një fshat pranë Deçanit. Një djalë me kombësi serbe e merr në telefon babain e ti, që ishte oficer me forcat pushtuese të Serbisë dhe i thotë: “Si mund të pushkatoj nënën e filanit, fqinjën tonë, që më ka rritur e është kujdesur për mua, kur mamaja shkonte në punë? Po edhe fshatarët e tjerë nuk mund t’i pushkatoj”.   Atëherë i përgjigjet babai:”Mirë e ke, o bir! Por do të veprosh kështu? Mblidh gjithë fshatarët dhe në orën 19 deri në 21 të mbrëmjes të kalojnë të gjithë në këtë pikë kufitare për në Mal të Zi, se do të jetë e lirë ajo pikë!” Ashtu u veprua dhe shpëtuan të gjithë në atë fshat. Sa mirë i zgjidh populli konfliktet, nëse nuk ndërhyn politika.    E keqja e shqiptarëve kanë qenë e vazhdojnë të jenë elitat politike shqiptare, që vazhdon të jenë të përçarë dhe të kapur nga shtetet fqinje. Kjo i bën, që të mos kenë një zë të përbashkët, për mbrojtjen e interesa/ve të Republikës të Pavarur të Kosovës. Këto qëndrime të ndara të elitës shqiptare, s’ka asnjë ndryshim me qëndrimet e elitave në të kaluarën.    Në këtë rast më kujtojnë momentin e Konferencës së Ambasadorëve më 1913 në Londër të Fuqive të Mëdha, kur ministri i MPJ të Perandorisë Austro-Hungareze po luftonte, që të mbetej ky territor i Shqipërisë dhe të gëzonin liritë e të drejtat etnokulturore shqiptarët, që kishin mbetur në trojet e veta nën mbretëritë e Serbisë, Bullgarisë e Greqisë. Këto liri e të drejta të ishin të barabarta me popullsitë e tjera. Megjithëse pas coptimit, delegacioni shqiptar i kryesuar nga Ismail Qemali ngrinte zërin për përfshirjen e 4 vilajeteve në shtetin Shqiptar.   Pikërisht në atë moment vendimtarë në Shqipëri vepronin 4 qeveri, dmth, e kishin coptuar edhe këtë vend: 1. Qeveria e Iigjëshme e Ismail Qemalit. 2 Qeveria e Gjon Markagjonit në Mirditë   3. Qeveria e Shqipërisë së Mesme me Esat pash Toptanin, i figurë e njohur si filoserb.   4. Qeveria në Jug….   Faktori shqiptar është e domosdoshme të jenë të bashkuar dhe të kenë një mendim e qëndrim të përbashkët për çeshtjet shqiptare, siç është evitimi i krizës në Mitrovicën e Veriut i shkaktuar nga Beogradi! Qeveritë e dy shteteve shqiptare  dhe elitat politike në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi duhet të jenë në mbështetje të Kryeministrit të Republikës të Kosovës, z.Albin Kurti! Tefta Cami-ish-ministre e Arsim Kulturës Tiranë, e premte, 16 qershor, 2023